Dy në pranga për armë dhe vjedhje
Policia e Mirditës ka arrestuar në orën 13.00 në flagrancë Pashk Zefin, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Livadhëz, Bashkia Rubik të rrethit Mirditë. Arrestimi i Zefit është bërë pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij në fshatin Livadhë të rrethit Mirditë, pasi iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik model 56 dhe 65 copë fishekë, të cilat 29-vjeçari i mbante pa leje. Pas arrestimit policia e Mirditës ka ngritur akuzën për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Ndërsa policia e Lezhës ka arrestuar dje në orën 14:00, në flagrancë një të ri me iniciale R.V., 17 vjeç, në lagjen «Nënë Tereza» të qytetit Lezhë. Arrestimi i tij u bë për arsye se rreth orës 11:55 u kap në flagrancë duke vjedhur në dyqanin ushqimor në Ishull-Shëngjin të rrethit Lezhë, në lagjen e Shalianve, në pronësi të shtetasit me iniciale P.L. Policia e Lezhës ka ngritur akuzën për veprën penale të “Vjedhjes”.