Pranga 5 marokenëve, ishin pa dokumente
SHKODËR- Pesë shtetas me kombësi marokene janë kapur nga policia e Shkodrës teksa kanë qenë duke kaluar kufirin shqiptar në drejtim të Malit të Zi. Sipas burimeve të policisë së Shkodrës, mësohet se pesë marokenët janë futur në Shqipëri nga Greqia dhe kanë qëndruar disa kohë në Gjirokastër.
Kapja e shtetasve të huaj që kishin hyrë në Shqipëri pa dokumente dhe në mënyrë të paligjshme, ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit që po i transportonte ato. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër bëjnë të ditur ndalimin e 39-vjeçarit Ilir Isufi, banues në lagjen “Vasil Shanto” të këtij qyteti. Ai është ndaluar me akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, në formën e vënies në dispozicion të mjeteve të transportit. Sipas policisë, rreth orës 19 të së shtunës, ky shtetas është kapur në flagrance nga shërbimet e seksionit kundër trafiqeve të paligjshme, pasi në mjetin tip Benz MLC me targa X261JVT ndodheshin 5 shtetas të huaj, që kishin hyrë në Shqipëri në mënyrë të kundërligjshme, pa dokumente. Policia e Shkodrës bën të ditur se 39-vjeçari Isufi është ndaluar duke tentuar për t’u dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, drejt Malit të Zi. Shtetasit Hazim Abdulla Mexhid, 24 vjeç; Hasan Zaid Myftakiri, 21 vjeç; Reshid Ahmed Nexhi, 24 vjeç lindur në Kazablanka, Marok, me arsim 7 klasë secili, me shtetësi marokene; Hasan Halife Ubakand, 27 vjeç, lindur dhe banues në Suksebet, Marok me arsim 7 klasë, me shtetësi marokene; dhe Zeid Adil Mamuri, 22 vjeç, lindur në Bagdat të Irakut dhe banues prej 7 vitesh në Siri. Pas kontrollit që u është bërë, ka rezultuar se kanë qenë pa pasaporta dhe kishin hyrë në Shqipëri nga kufiri i gjelbërt në zonën e Gjirokastrës.