E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora, mungesë energjie në disa fshatra

PESHKOPI-Reshjet e dendura të dëborës kanë nisur me intensitet të lartë në të gjithë qarkun e Dibrës mbrëmjen e së shtunës dhe kanë vijuar edhe dje paradite. Nëse në ultësirën e Matit ato kanë qenë më të pakta dhe trashësia e saj varionte 20-30 cm, në zonat malore të rretheve Dibër, Bulqizë e Mat trashësia arriti mbi 70 cm. Komunat Lurë, Kala e Dodës, Selishtë, Martanesh, Ostren, Trebisht, Zerqan, Fushë-Bulqizë, Xibër, Macukull e Derjan mbetën të izoluara. Komunat dhe drejtoritë e rrugëve rurale nuk patën mjetet dhe fuqinë e duhur punëtore për të nxjerrë nga izolimi dhjetëra fshatra të këtyre komunave. Në orët e para të ditës së djeshme pati një bllokim total të rrugës nacionale. Vonesa në hapjen e trasesë së rrugës bëri që shumë mjete transporti, sidomos ato të udhëtarëve të linjave Peshkopi-Tiranë, Bulqizë-Tiranë dhe Burrel-Tiranë ta nisnin udhëtimin më vonë nga ditët e tjera. Rruga nacionale u bë e kalueshme rreth orës 10.00, por nga Dibra e deri në Qafë-Bualli rruga ishte me një kalim, madje vetëm me zinxhirë. Nëse rruga nacionale u bë e kalueshme, nuk bëhej fjalë për hapjen e rrugëve deri në qendrat e komunave të thella. Fatmirësish nuk ka patur njoftime për të sëmurë apo mungesa ushqimore. Dje pasdite disa njësi vendore kanë siguruar mjete me qira dhe kanë nisur nga puna për hapjen e rrugëve, mirëpo mendohet se reshjet do të vazhdojnë përsëri, çka do të sjellin ribllokim të rrugës. Mësohet gjithashtu se dhjetëra fshatra të Matit, Bulqizës e Dibrës kanë mbetur pa energji elektrike. Këputja e telave të korrentit dhe shembja e shtyllave të pensionit të ulët dhe të mesëm ka shkaktuar mungesën e energjisë. Riparimi i këtyre defekteve do të vonohet, pasi numri i specialistëve që merreshin me remontet është shkurtuar ndjeshëm nga CEZ.

P. H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›