E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e plotë për 3 vrasjet, lirohet protestuesi me armë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 25-01-2011 10:39

Tiranë- Gjykata e Tiranës ka caktuar ditën e djeshme masat e sigurisë, për 116 personat e arrestuar gjatë demonstratës së zhvilluar ditën e premte, përpara Kryeministrisë. Në bazë të të dhënave zyrtare të Gjykatës së Tiranës rezulton se, nga të 116 të arrestuarit, 84 prej tyre janë lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje, 22 prej tyre do të qëndrojnë 20 ditë në burg dhe 4 të tjerë për 15 ditë. Vetëm dy prej të arrestuarve, Lavdim Balla dhe Jak Markgjoni do të qëndrojnë në burg pa afat e dy të tjerë në arrest shtëpie. Sa i përket kryetarit të Sindikatës të Minatorëve, Fiqiri Xibri, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Ushtarak, Gjykata e Tiranës ende nuk ka caktuar një masë sigurie. Kanë qenë 12 gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës, të cilët gjatë gjithë ditës së djeshme kanë marrë në shqyrtim kërkesat e Prokurorisë së Tiranës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve.

Masa për “të armatosurin”

Për shumicën e të arrestuarve, pas demonstratës që precipitoi në dhunë, Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi kërkesën e bërë nga ana e organit të akuzës, për caktimin e masës së sigurisë, por përjashtim ka bërë rasti i shumëpërfolur i Gjin Ndreut, i cili nga filmimit e Policisë së Tiranës ishte identifikuar si person i armatosur gjatë protestës të zhvilluar më 21 janar. Mësohet se gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë për Ndreun, gjyqtarja Blerina Muça ka kërkuar nga prokuroria paraqitjen e armës, e cila sipas policisë ka qenë në zotërim të Ndreut. Organi i akuzës ka deklaruar se gjatë momentit të arrestimit, atij nuk i është kapur asnjë armë. Kjo gjë mësohet se ka qenë një prej rrethanave lehtësuese për Gjin Ndreun, i cili nga ana e tij ka deklaruar përpara Gjykatës se nuk ka pasur pistoletë në brez, por një çadër të vogël. Gjatë kësaj seance, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 ditë burg për Gjin Ndreun, kohë e mjaftueshme, sipas tyre, për të provuar mbajtjen pa leje të armës gjatë demonstratës, por gjykata ka vendosur ta lirojë atë, me masën e detyrimit të paraqitjes.

Provat e Prokurorisë

Nga ana tjetër, të pakta kanë qenë provat që janë servirur gjatë seancave gjyqësore, ku rolin kryesor e zinin pamjet filmike. Pothuajse te të 116 kërkesat, për caktimin e masës së sigurisë, ka qenë i njëjti tekst që përshkruante ngjarjen e ndodhur përpara godinës së Kryeministrisë. “Sipas programit të tubimit, rreth orës 14:00, protestuesit kanë ardhur në këmbë nga sheshi “Skëndërbej” dhe kanë ndaluar përpara godinës të Këshillit të Ministrave. Pasi janë vendosur përpara kësaj godine, protestuesit kanë filluar të godasin me sende të forta forcat e policisë, të vendosura në mbrojtje të godinës”, – thuhet në këto kërkesa. Më tej, bëhet e ditur se nga shërbimet e Policisë Gjyqësore është ndjekur nga afër zhvillimi dhe evidentimi i veprimeve të autorëve, në drejtim të identifikimit të atyre që kryenin këto veprime të dhunshme. “Në këtë vendngjarje, shërbimet e policisë kanë mbajtur nën vëzhgim nga afër, deri në arrestim, personat që kryenin këto veprime. Në vendin e ngjarjes janë filmimet, të cilat mundësojnë njohjen dhe identifikimin e autorëve të këtyre veprave. Por për shkak të procedurave, vënia në dispozicion e këtyre akteve e materialeve kërkon një afat, i cili konsiderohet i rëndësishëm për të garantuar marrjen dhe vërtetimin e këtyre provave”, – thuhet në kërkesat e Prokurorisë, për 116 të arrestuarit pas demonstratës së 21 janarit. Mungesa e paraqitjes së pamjeve filmike si provë, përpara Gjykatës së Tiranës ka sjellë edhe lirimet masive nga qelitë, ku pas vendimeve të djeshme, vetëm 28 prej të arrestuarve janë rikthyer në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›