Bashkëshortja e Xibrit: Nuk më lënë ta shikoj
Tiranë- E rënduar vazhdon të paraqitet gjendja e dy prej të plagosurve gjatë protestës së datës 21 janar. Burime zyrtare nga Spital Ushtarak bëjnë të ditur se dy të plagosurit Aleks Nikaj dhe efektivi i policisë Haki Dauti vazhdojnë të gjenden në reanimacion nën kujdesje të vazhdueshme të mjekëve. “Gjendja e tyre paraqitet e rënduar, por fatmirësisht Haki Dauti është në gjendje më të mirë dhe hera-herës përmendet, ndërsa përsa i përket të riut Aleks Nikaj, situata për të është shumë kritike, pasi plumbi në kokë i ka shkaktuar dëme shumë të rënda” - bën të ditur njëri prej mjekëve të këtij spitali. Ndërkohë, me ankth për jetën e të afërmit të tye, familjarët e Nikajt shprehen se gjendja e tij shëndetësore është shumë e rëndë dhe në bazë të kartelës mjekësore ai është goditur në kokë me snajper, me një plumb të kalibrit disa herë më të madh se ai me të cilin janë vrarë tre personat. Ata shprehen gjithashtu se janë në pritje të miratimit nga mjekët e spitalit për ta nisur atë në drejtim të Greqisë për kurime më të specializuara. Një tjetër situatë po aq e rëndë paraqitet dhe në repartin neurokirurgjik të këtij spitali, ku gjenden të shtruar 3 të plagosur, ku mes tyre gjendet dhe kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, si dhe dy efektivë policie, të cilët kanë marrë plagë të rënda në trup dhe në kokë. Gjashtë është numri i policëve që qëndrojnë përpara derës së Xibrit dhe nuk lejojnë askënd që t’i afrohet derës së tij dhe aq më pak që ta vizitojnë atë. Përjashtim nuk bën as bashkëshortja e tij, e cila qysh prej dy ditëve nuk ka arritur ta vizitojë nga afër dhe të shohë gjendjen e tij. Ndërkohë, edhe tre deputetë të Partisë Socialiste, Ledi Shamku, Vasilika Hysi dhe Xhemal Qefalia, të cilët ishin paraqitur pranë ambienteve të këtij spitali për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të Fiqiri Xibrit dhe të të gjithë të plagosurve të tjerë që gjenden në këtë spital. Por ata nuk janë lejuar nga efektivët e policisë që të hyjnë në dhomat e të plagosurve, edhe pse, sipas tyre, më parë ata kishin marrë leje në Prokurori. Në një prononcim për gazetën MAPO deputetja e PS-së, Ledi Shamku, denoncon dhunën e ushtruar ndaj të gjithë të plagosurve dhe gjithashtu kërkon një shpjegim se pse deputetët nuk lejohen që të hyjnë në dhomat e pacientëve. “Kemi ardhur në Spital për të takuar mikun tonë Fiqiri Xibri, i cili ndodhet i shtruar në dhomën 5 të këtij spitali dhe aty është, sepse është rrahur barbarisht nga Garda dhe pamjet janë të filmuara. Dhoma e tij është e bllokuar me policë dhe nuk na lejojnë që të hyjmë, pavarësisht se ligji parashikon se deputetët mund të futen dhe në qelitë e burgut dhe jo më në dhomat e spitaleve” - shprehet deputetja Shamku. Ajo shton se kanë qenë dhe në ambientet e Burgut 302 dhe 313 për të vizituar nga afër të gjithë të arrestuarit, por edhe aty nuk janë lejuar që të hyjnë për të takuar. “Jemi në prag të një gjendjeje të jashtëzakonshme, kur shteti nuk ekziston më, dhe kur Policia nuk zbaton urdhrat e Prokurorisë dhe ku të gjithë shqiptarët janë në duart e një partie fashiste” - mbyll deklaratën e saj deputetja Shamku.