E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora shtron petkun, nisin bllokimet

KUKËS- Reshjet të dendura dëbore kanë përfshirë rajonin e Kukësit gjatë natës së të shtunës dhe që vazhdojnë me intensitet. Reshjet e dëborës në qytet janë 20 cm dhe në zonat e thella shkojnë në 50-70 cm lartësi. Sipas shtabit të emergjencës, i mbledhur pranë prefekturës së Kukësit, raportohen të bllokuara thuajse të gjitha komunat dhe fshatrat e thella, si Shishtavec, Zapod, Arrën, Bushtricë, Grygëcaj, Kalis Ujmisht dhe Topojanë në rrethin e Kukësit; Gjinaj dhe Golaj të rrethit të Hasit; si dhe Margegaj dhe Lekbibaj në Tropojë. Po sipas burimeve nga shtabi i emergjencës, mbeten problematike akset nacionale dhe rurale. Kështu janë të izoluara akset Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Kukës-Dibër, Kukës-Qaf Mali, Krume-Bajram Curri, Bajram Curri-Qaf Mali. Aksi Kukës-Krumë është i kalueshëm me shumë vështirësi dhe vetëm me zinxhirë. Ndërsa vëmendje më e madhe nga ana e ndërmarrjes së rrugëve i është kushtuar aksit Morinë-Kukës, Tuneli Kalimashit. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Arben Basha, në këtë segment është punuar ditë natë me borëpastruese kripë dhe skorje, për ta mbajtur në funksion të plotë. Por duket që vështirësitë në aksin Tiranë-Kukës në një situatë dimërore vijnë nga Thirra, pasi raportohen probleme për automjetet që vijnë nga Tirana. Policia rrugore, e cila është e pranishme në këto segmente dhe akse rrugore, tërheq vëmendjen e përdorimit të zinxhirëve dhe domosdoshmërinë e pajisjes me mjete dimërore. Gjithashtu polica rrugore kërkon që të evitohen lëvizjet e pa nevojshme për të shmangur aksidentet e mundshme. Me gjithë këto masa nuk janë shmangur aksidentet, pasi vetëm në aksin Morin Tuneli Kalimashit janë shënuar 3 aksidente, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Gjithashtu janë bllokuar disa automjete të vogla, që janë gjendur në udhëtim e sipër. Probleme për shkak të motit të keq janë krijuar edhe në sistemin elektrik. Kështu gjatë mëngjesit të së dielës dy lagje të qytetit të Kukësit nuk janë furnizuar me energji elektrike, për shkak të defektit në rrjet. Ndërsa ka mungesë të theksuar të energjisë elektrike në fshatrat e thella të qarkut të Kukës. Për fat të mirë nuk janë raportuar emergjenca shëndetësore apo ushqimore.

Reshjet e dëborës të alternuara dhe me reshje shiu kanë sjellë vështirësi për banorët e Shkodrës Në qytetin e Shkodrës dëbora ka nisur të bjerë gjatë mesnatës dhe të dielën qyteti ka gdhirë i zbardhur, por reshjet e shiut kanë bërë që ajo të shkrijë menjëherë . Gjatë së dielës reshjet e dëborës në qytet janë alternuar me ato të shiut, duke mos sjellë probleme për qarkullim, pasi dëbora që bie shkrihet shpejt. Ndërsa në komunat malore të qarkut Shkodër, situata është rënduar për shkak të dëborës së shoqëruar dhe me ngrica.

Drejtoria Rajonale e Rrugëve po punon për të mbajtur nën kontroll akset rrugore për një qarkullim normal të automjeteve. Aksi Tamarë-Vermosh është i pakalueshëm në Qafë të Perdolecit, ku dëbora, sipas burimeve nga kjo komunë, ka arritur në 50 cm dhe janë të bllokuar fshatrat Lëpushë dhe Vermosh. Në rrethin Malësi e Madhe aksi drejt komunës Qendër gjithashtu është i bllokuar, ndërsa po punohet për zhbllokimin e rrugës drejt Razmës. Burime të nënprefekturës së Malësisë së Madhe bëjnë të ditur se ky aks është zhbllokuar deri në fshatin Vrrith, ndërsa trashësia e dëborës ka arritur mbi 30 cm. Një tjetër fshat i izoluar është a i Bogës në komunën Shkrel. Aksi Shkodër - Dukagjin është i pakalueshëm në Qaf -Thore në drejtimin e Bogës dhe ka vështirësi te Mali i Shoshit në drejtim të Kirit. Reshjet e borës kanë izoluar dhe 72 fshatra në Pukë. Probleme në qarkullim ku dhe paraqitet rrezikshmëri, janë akset Qafë Mali-Kukës, Pukë-Fushë Arrëz.

Policia e qarkullimit rrugor ka shtuar patrullimet duke kërkuar nga drejtuesit e automjeteve që të kenë me vete pajisjet dimërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›