E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy nënat e “çiftit” të Bandës: “Na vrau e mbajti peng fëmijë”

01/06/2010 “Fundoset” Lul Berisha. Nëna e Sotirit: Djalin ma vrau ai. Nëna e Jahos: Vajza, 1 muaj peng

TIRANË- Lulzim Berisha dhe shokët e tij të ndodhur në të njëjtin kafaz të hekurt në Gjykatën e Krimeve të Rënda dëgjuan dje për gati një orë dëshmitë e dy nënave. E para është nëna e Valbona Jahos, vajzës e cila u përdor si karrem për të vrarë Marsel Sotirin dhe e dyta, që dëshmoi ishte Teuta Sotiri, nëna e Marselit. Dëshmia e Flora Jahos ka kaluar mes debateve dhe ngacmimeve me fjalë nga ana e të pandehurve dhe një pjese të avokatëve mbrojtës. Seanca deri në momentin kur foli Flora Jaho u zhvillua me dyer të mbyllura për t’u hapur më pas me vendim. Nga burime brenda sallës mësuam se Flora Jaho ka akuzuar disa nga të pandehurit. Ajo është shprehur se nuk ka pasur dijeni për lidhjet që ka pasur vajza e saj Valbona, por gjithçka e ka mësuar pas kthimit të saj nga Italia. “Në vitin 1998 unë kam punuar si centraliste në Çorovodë. Jemi shpërngulur në Durrës ku qëndruam disa kohë. Unë veja dhe vija në Skrapar”, ka filluar të flasë Flora Jaho. Ajo është pyetur nga prokurori nëse kishte dijeni për vajtjen në plazh dhe kush ishte arsyeja duke u përgjigjur se në plazh ka vajtur për vit dhe se nuk e dinte pse ishte e veçantë ajo e vitit 1998. Më pas Jaho është shprehur se vajza e saj ka ikur nga shtëpia dhe me të është lidhur me telefon. “Vajza ime Valbona më ka thënë se ka ikur nga shtëpia dhe është me Klodianin. Por unë mësova më pas se ajo pas vrasjes së Marsel Sotirit ka qëndruar për një muaj në shtëpinë e Lulzim Berishës. Kur u kthye nga Italia mësova nga të tjerët se ajo vet nuk hapej, se kishte punuar si prostitutë”. Ndërkohë që deklarimet e nënës së vajzës janë shoqëruar edhe me ironi të të pandehurve. Herë pas here të pandehurit kanë marrë vërejtje nga kryesuesi i trupit gjykues për mënyrën e komunikimit. Ndërsa mësohet se në një moment nëna e Valbona Jahos ka reaguar ashpër kur i është përgjigjur të pandehurve. Emri i Lulzim Berishës është përmendur dje edhe gjatë leximit të deklarimeve të bëra nga dy prindërit e Marsel Sotirit. Aktualisht ata jetojnë jashtë vendit dhe gjykata ka pranuar të lexohen deklarimet e bëra pas vrasjes së djalit të tyre. Teuta Sotiri i ka thënë Prokurorisë se djalin e saj e ka vrarë Lulzim Berisha. Këtë fakt ajo e ka mësuar nga shokët e djalit. Po kështu ka thënë se djalin ia vranë pasi ishte inspektor i krimit ekonomik në doganë. Më pas prindërit e Sotirit janë shprehur se kanë mësuar nga të tjerët se në momentin kur është vrarë djali i tyre ka qenë në makinë me dy femra. Ndërsa kanë shtuar se nuk i kanë njohur shokët e djalit. Nëna e Marsel Sotirit gjatë deklarimeve të dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore në vitin 1998, ka thënë se djali i saj nuk merrej me veprimtari të jashtëligjshme, por është vrarë nga Lulzim Berisha për shkak të detyrës. Dy prindërve të Marsel Sotirit i janë bërë pyetje edhe për shtetasit e vrarë Ilir Paja dhe Viron Curri, shok të ngushtë të Klodian Saliut dhe Indrit Dokles. Por në përgjigje ata kanë deklaruar se nuk i kanë njohur dhe se djali i tyre kurrë nuk do të vriste njeri.

Valbona ndryshon lojën për të mbrojtur Berishën

Fillimisht ka ndryshuar deklarimet, por më pas i është bindur atyre të thënave që ka bërë para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Valbona Jaho, vajza që futi në kurth Marsel Sotirin, e shtyrë nga i dashuri i saj Klodian Saliu, është përpjekur në gjykatë të ndryshojë thëniet duke i dalë në mbrojtje Lulzim Berishës. Por më pas është tërhequr duke pranuar se ka qëndruar në shtëpinë e Lulzim Berishës një muaj. Kjo periudhë lidhet me vrasjen e Marsel Sotirit. Pas vrasjes ajo është larguar nga Plazhi dhe sapo është takuar me Klodian Saliun ka shkuar tek shtëpia e Lulzim Berishës. Aty ka qëndruar e fshehur për një muaj për t’u larguar më pas në Itali. Ky fakt është pohuar edhe nga motra e Valbonës Gentiana Cufe dhe nëna e saj Flora Jaho.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›