E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe ne kemi lista

Në një kohë kur Partia Demokratike ka hartuar një listë paraprake me kandidatët që do të dalin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, edhe aleatët e saj kanë përveshur mëngët për të hartuar listat e tyre, pavarësisht se ata e pranojnë se lista nuk ka marrë një formë zyrtare dhe mund të ndryshohet në momentet e fundit. Deri tashmë, aleati i përhershëm i Partisë Demokratike, Bashkimi Liberal Demokrat dhe aleati i përkohshëm, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pranojnë se kanë një listë jozyrtare se kush do të jenë kandidatët që do të futen në zgjedhjet e ardhshme, me shpresën se do të jenë deputetë. Kryetari i BLD-së, Arian Starova, thotë se ka një draft-listë me disa emra që mund të jenë pjesë e listës së ardhshme që është duke u diskutuar. Kjo përgatitje paraprake e Starovës duket që është menduar që më parë, kur deklaroi se është i gatshëm që të dalë edhe vetëm në zgjedhje me listën e tij, të cilën e kishte përgatitur. Po ashtu, edhe nënkryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis, pranon se partia e tij ka një listë, e cila po rregullohet duke përfshirë vazhdimisht emra të rinj që janë kandidatë potencialë për zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa aleatët e tjerë të Partisë Demokratike, republikanët dhe agraro-ambientalistët, duket se akoma nuk kanë nisur përgatitjet se cilët do të jenë kandidatët e tyre për zgjedhjet e ardhshme. Kryetari i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, thotë se akoma nuk ka një listë paraprake, sepse do të jetë baza ajo që do të bëjë propozime. Ai shpjegon se tashmë republikanët po mbledhin asambletë rajonale, ku pasi të përfundojnë këto takime, atëherë në fazën e dytë do të nisin edhe propozimet e bazës republikane për emrat me të cilët PR-ja do të përfaqësohet para popullit për zgjedhjet e ardhshme. Në të njëjtën linjë është edhe aleatja e re e Partisë Demokratike, Partia Agraro-Ambientaliste, e cila nuk ka nisur akoma përgatitjet për të hartuar listën e saj. Sipas kryetarit të grupit parlamentar agraro-ambientalist, Petrit Gjoni, partia e tij nuk ka akoma një listë paraprake, por kur të jetë momenti i duhur, potencialet e nevojshme janë për t’u përshtatur me zhvillimet. Ndërkohë, të gjithë këta aleatë duket se janë në një mendje për dy pika rreth kësaj çështjeje. Ata shprehen se, duhet që fillimisht kodi zgjedhor të kalojë provën parlamentare, në mënyrë që të nisë zyrtarizimi i veprimeve dhe orientimi për zgjedhjet. Po ashtu, të gjithë këta aleatë, edhe pse me mangësi në këtë aspekt, shprehen se do të respektojnë kuotën e gjinisë femërore të përcaktuar në kodin e ri zgjedhor, ku lista duhet të ketë të paktën 30 për qind gra ose vajza. Po ashtu, në kodin e ri zgjedhor përcaktohet që, në rast se subjektet politike do të dalin vetëm në zgjedhje, atëherë duhet të kenë në listë 140 kandidatë, dhe në rast se ata dalin si anëtarë koalicioni, atëherë numri i kandidatëve nuk do të jetë më pak se 70.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›