SHBA, Presidenti argëton korrespondentët
Presidenti amerikan Xhorxh Bush pëlqen të veshë shpeshherë petkun e gaztorit. Ai ka bërë shaka e humor me pasuesit e tij të mundshëm, gjatë darkës së fundit të tij me Shoqatën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti tha se ishte i habitur pse asnjë prej tyre nuk gjendej mes të pranishmëve, ndaj nuk i kurseu thumbimet në kurriz të tyre. Duke iu referuar mungesës së kandidatit republikan, Xhon MekKejn, ai tha: "Ndoshta ka dashur të distancohet nga unë". E vazhdoi më pas me kandidatët demokratë: "Hillari Klinton nuk ka mundur të hyjë për shkak të zjarrit të snajperëve, ndërsa senatori Obama është në kishë". Ai iu referua kështu "keqinterpretimit" të deklaratave të ish-Zonjës së Parë, kur ajo kishte thënë gabimisht se ishte përballur me plumbat e snajperëve gjatë një udhëtimi në Bosnjë, në vitet ‘90, dhe pastorit të Obamës, Xheremia Rajt, që kritikon Amerikën në predikimet e tij të ashpra. Presidenti pohoi se ishte disi melankolik në këtë darkë të fundit të tij, ndërkohë që në mbrëmje u transmetuan edhe videoklipe të performancave të tij në të shkuarën. E në përfundim, ai "vendosi vulën", duke dirigjuar bandën e Marinës në një seri marshesh patriotike. Darka e përvitshme me gazetarët daton që në 1924-ën dhe në të marrin pjesë personalitete të medias, njerëz të famshëm dhe politikanë. Vendin e Presidentit Bush e zuri më pas Kreg Ferguson, drejtues i një emisioni në televizionet amerikane. I lindur në Skoci, Ferguson e pyeti Bushin se çfarë planifikonte të bënte pasi të largohej nga zyra, duke i sugjeruar: "Mund të kërkoni një punë me pushime më të gjata". Në fakt, Presidenti është kritikuar për shkak të kohës së madhe që ai ka kaluar jashtë Shtëpisë së Bardhë, gjatë presidencës së tij. Pjesëmarrja e Presidentit Bush në këtë eveniment vazhdon një traditë të filluar që në vitin 1924 nga Presidenti i atëhershëm, Calvin Coolidge.