Berlinezët: Të shpëtojmë aeroportin e vjetër
Berlinezët kanë votuar dje në një referendum, në të cilin shprehën mendimin e tyre për të ardhmen e aeroportit të vogël Tempelhof. Administrata komunale e së majtës lëshoi një dekret, sipas të cilit, aeroporti, tepër i vogël për të përmbushur nevojat aktuale, do të mbyllej në tetor dhe do të zëvendësohej nga një park. Por, opozita ka kërkuar mbajtjen e referendumit, duke pretenduar se Tempelhof duhej të vazhdonte të mbetej në përdorim, të paktën për fluturimet e biznesit, sepse veç të tjerash, ka edhe një vlerë historike. Aeroporti është ndërtuar në 1923-shin, në qendër të Berlinit dhe u bë i famshëm në 1948-ën, kur u shndërrua në urën e vetme nëpërmjet së cilës avionët amerikanë dhe britanikë shkarkonin ndihmat e domosdoshme për pjesën perëndimore të Berlinit, duke shkelur embargon e shpallur nga sovjetikët. Aeroporti, në fakt, ishte hapur nga sipërmarrës hebrenj, në vitet ‘20 dhe më pas, ai u shpronësua nga Hitleri. Pikërisht në pistat e tij ka lindur edhe kompania e madhe e fluturimeve, "Lufthansa". Arkitektët e planifikimit urban, nazist, e bënë atë të parin aeroport modern në Evropë. Një kompleks i madh, por i racionalizuar. Në stil nuk ka asnjë lidhje me regjimin. Në fakt, Hitlerit nuk i pëlqente. Gjithsesi, jo për këtë shkak, në sondazhe, një pjesë dërrmuese e berlinezëve do të donin ta shpëtonin atë. Madje, në mbrojtje të tij janë hedhur edhe një seri e gjatë personalitetesh, që nga Kancelarja Angela Merkel e deri tek ish-kancelari Helmut Kohl, nga ish ylli i tenisit, Boris Bejker, e deri te top modelja Heidi Klum. Në fakt, Tempelhof nuk është thjesht një aeroport. Është një memorial kujtese në zemër të Berlinit dhe të Evropës. Për më tepër, është godina e tretë më e madhe në botë pas Pentagonit dhe pallatit të Çausheskut. Sot, për të moshuarit, Tempelhof është vetë kujtesa, ndërsa për të rinjtë, legjenda që duhet trashëguar.