Shokohet Austria: E izoluar dhe e përdhunuar nga i ati për 24 vjet
Një austriake, 42 vjeçe, është mbajtur e sekuestruar nga i ati për më shumë se 20 vjet, në një bodrum pranë Amstetenit në Austrinë lindore dhe mund të ketë me të disa fëmijë, njoftoi policia austriake. Hetuesit konfirmuan kështu një reportazh të kanalit publik radioteleviziv ORF, të transmetuar mëngjesin e së dielës dhe që fliste për një sekuestrim 24-vjeçar. Sekuestrimit i shtohet edhe dyshimi për incest. Sipas hetuesve, gruaja Elisabeth Fritzl, ka gjashtë fëmijë me të atin, që të gjithë të lindur në bodrumin e shtëpisë dhe që nuk u janë deklaruar autoriteteve. Tre vajza dhe tre djem të moshës nga 5-20 vjeç. Ndërkohë, edhe një foshnjë, që kishte vdekur menjëherë pas lindjes, thanë gjithashtu hetuesit, që do të kryejnë teste ADN-je për të siguruar më shumë informacione. Gjatë një konference shtypi në Amsteten, një zëdhënës i prokurorisë së Sankt-Pölkten, Gerhard Sedlacek, i cilësoi si "të besueshme" deklaratat e Fritzl, që e akuzon të atin për "krime masive". Ky i fundit, 73 vjeç, u arrestua dje, por nuk ka bërë asnjë deklaratë. Ky rast i ri sekuestrimi të dyshuar u zbulua pas shtrimit në spital në mes të prillit të një vajze të re, 19 vjeçe, që u transferua në gjendje të rëndë në spitalin e Amstetenit. Me qëllim zbulimin e infeksionit, për momentin misterioz, që ka prekur vajzën e re, Kerstin, mjekët kërkuan më kot të hynin në kontakt me të ëmën, Elisabeth Fritzl. Pas këtyre kërkimeve u zbulua edhe sekuestrimi. Nëna ishte shpallur e zhdukur që prej shumë vjetësh, madje edhe Interpoli kishte proceduar me hetime të lidhura me zhdukjen e saj. Sipas televizionit publik ORF, nëna dhe fëmijët janë marrë tashmë në ngarkim nga një ekip psikologësh, të cilët po kujdesen për ta. Austria ka njohur vitet e fundit disa raste sekuestrimesh spektakolare, siç ishte rasti i Natasha Kampush, që u mbajt për tetë vjet e izoluar nga një burrë në bodrumin e një shtëpie në periferi të Vjenës dhe ai i tri vajzave të vogla, që qëndruan për shtatë vjet të mbyllura pranë Linzit, të detyruara nga nëna e tyre, e sëmurë mendore.