E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Do të kërkoj shkarkimin e Bushatit dhe Gurakuqit

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, thyen heshtjen, duke iu përgjigjur akuzave të anëtarëve demokristianë në adresë të tij. Ndoka, pas kthimit nga Anglia dhe Skocia, ka kërcënuar dy zëvendësministrat demokristianë, Zef Bushati dhe Anton Gurakuqi, duke u shprehur se "do t‘i kërkoj Kryeministrit Berisha, që në bazë të marrëveshjes PDK-PD, të shkarkojë nga detyra zv/ministrin e Jashtëm dhe atë të Integrimit". "Kur u jep një mandat politik njerëzve që nuk e meritojnë, ky është faji im. Është koha për pastrime dhe do përpiqemi që këto pasthirrma t‘i rregullojmë në ditët në vazhdim", u shpreh Ndoka.

Kreu i PDK-së e ka cilësuar Zef Bushatin si një njeri xheloz dhe ambasador të dështuar dhe Gurakuqin si një njeri konfliktual, për të cilin është përplasur mbi zgjedhjen e kreut të PDK-së, dega e Shkodrës. "Deklarime të tilla u ngjajnë fjalëve në kafene. Këtë gjë mund ta bëjë edhe Gjinushi apo një formacion tjetër politik, duke kërkuar dorëheqjen time. Ata nuk janë pjesë e PDK-së. Prandaj kam vendosur t‘i lë në fund dhe PDK-ja do të jetë një formacion që duhet të ecë përpara", tha ai. Ndoka la të kuptohet se të gjitha këto përplasje po inskenohen nga klane të PD-së. "I njoh shumë mirë planet e tyre djallëzore, por mazhoranca nuk duhet të funksionojë në këtë mënyrë tinëzare, por është në të mirë të saj të ketë bashkëpunim. Askush nuk më largon dot. Tendenca të tilla do t‘i bëjnë keq mazhorancës dhe vet vendit", shtoi ai. Për Bushatin dhe Ujkën, Ndoka është shprehur se nuk janë pjesë e PDK-së, sepse janë regjistruar në një forcë tjetër politike.

Ditët e fundit, një grup anëtarësh të PDK-së kanë hedhur akuza të ashpra ndaj kreut demokristian, duke kërkuar edhe largimin e tij nga partia. Më 10 maj, PDK-ja pritet që të mbledhë kongresin e jashtëzakonshëm për të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me largimin e Nard Ndokës nga drejtimi i Partisë Demokristiane. Pashk Ujka, duke përdorur ironinë, vë në dyshim arsimimin e njeriut që drejton Partinë Demokristiane, Anton Gurakuqi e cilëson atë si të paaftë dhe jo profesionist, ndërsa Zef Bushati e akuzon se ka thyer statusin e partisë. Në vijim të deklaratës së Ndokës, ka reaguar edhe kreu i LDK-së, Nikoll Lesi, duke u shprehur se Bushati, Gurakuqi dhe Ujka janë përfaqësues dinjitozë të PDK-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›