E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy orë fjalim, Berisha shmang Fazliçin

Plot 1 orë e 48 minuta Kryeministri Berisha ka folur për të gjitha gjërat e mundshme në Kuvend, por nuk ka thënë asnjë fjali për thelbin e mocionit për debat, lidhjet e tij me biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazliç. Kryeministri i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së opozitës për mocion me debat në Kuvend, por nuk u ka dhënë përgjigje konkrete pyetjeve të ngritura nga opozita, e cila kërkonte përgjigje se cilat ishin lidhjet e tij me biznesmenin serbo-boshnjak; a ka bërë ky i fundit pastrim parash në Shqipëri; a është favorizuar nga qeveria shqiptare dhe pyetje të tjera. Të gjitha këto pyetje kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi Kryeministri Berisha e ka shfrytëzuar kërkesën për mocion me debat dhe nëpërmjet saj foltoren e Kuvendit, për t‘u treguar të gjithë shqiptarëve punën e qeverisë së drejtuar prej tij gjatë këtyre tri viteve. Kryeministri nuk ka përtuar që në fjalimin e tij në Kuvend të ndalet me radhe në të gjitha sektorët e zhvillimit të vendit, si ekonomia, siguria, integrimi, shëndetësia, arsimi, drejtësia, infrastruktura, bujqësia etj. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë te gjithsecila prej tyre, Kryeministri u ka treguar deputetëve të opozitës dhe nëpërmjet tyre gjitha shqiptarëve, punën e suksesshme që qeveria e drejtuar prej tij (siç e cilëson Berisha "qeveria ime") ka shënuar një sukses të madh në ekonominë shqiptare, si në rritjen e të ardhurave, vjeljen e taksave, rritjen e rrogave, përmirësimin e kushteve për zhvillimin e bizneseve etj. Po kështu, sipas Kryeministrit, me hapa galopantë ka ecur zhvillimi në arsim dhe në shëndetësi, ku rroga e arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve është rritur me 2 numra, duke përmirësuar kështu, sipas kreut të qeverisë, jetën e shtresës së mesme në vend. Drejtësia është një tjetër fushë, që sipas Kryeministrit ka shënuar një zhvillim pozitiv, pasi janë reformuar një sërë ligjesh, duke plotësuar kështu standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, sipas kreut të qeverisë, ka shënuar zhvillim. Por Berisha në fjalën e tij akuzoi opozitën se nuk ka fuqi të paraqesë mocion mosbesimi dhe paraqet "eunuk mocion".

Në sallën e Kuvendit, Berisha ka përmendur disa grupe kriminale dhe persona me precedentë penalë, të cilat tashmë janë vënë para drejtësisë, pavarësisht lidhjeve të tyre të ngushta që kanë pasur me deputetë dhe eksponentë të rëndësishëm të opozitës së sotme. Infrastruktura ka qenë një tjetër pikë ku Kryeministri është ndalur gjatë, duke përmendur rrugët e ndërtuara dhe që kanë për t‘u ndërtuar nga jugu në veri, të cilat, sipas kreut të qeverisë, po i japin vendit një pamje evropiane. Punë kjo, sipas Berishës, që është bërë për tre vjet nga qeveria e PD-së. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha ka theksuar se kjo mazhorancë do të mbahet mend për firmosjen e MSA-së dhe për marrjen e ftesës për në NATO të Shqipërisë, duke e vlerësuar si një ditë të madhe vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri. Gjithashtu, kreu i qeverisë nuk i ka kursyer edhe akuzat për opozitën, duke theksuar se kjo është një opozitë pa bosht, pasi i mungon një plan dhe një program i saktë. Sipas kreut të qeverisë, akuzat e ngritura deri më tani nga opozita në adresë të tij dhe të qeverisë që ai drejton janë të bazuara në fjalë boshe. Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha Kryeministri Berisha, e ka zhytur opozitën në batak, sepse Rama përdori vdekjen e një qytetari për akuza politike. Kjo opozitë, tha Berisha, nuk paraqet në Kuvend asnjë alternativë për shqiptarët, saqë nuk kërkon dot asnjë mocion për shkarkim për Kryeministrin, ndaj merret me deklarata e akuza pa fakte në Kuvend.

Qëndrimi

Deputetët e PD-së: Opozita shpif, se na ka zili për arritjet

Deputetët e mazhorancës janë lënë paksa në hije gjatë diskutimit të djeshëm në Kuvend. Duke përqendruar të gjitha bateritë te ministrat, të cilët kanë dhe përgjegjësinë e drejtimit të shtetit, pak kohë është vënë në dispozicion për deputetët. Deputeti Ferdinand Xhaferri, gjatë diskutimit të tij, ka theksuar se opozita në deklaratat e saj ndaj Kryeministrit bazohet në shpifje, sepse vendi ka ecur mjaft para dhe certifikata e këtyre arritjeve iu dha Shqipërisë nga Presidenti Bush gjatë vizitës së tij në vendin tonë. Vizitë, e cila certifikoi arritjet e qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Berisha. Duke u ndalur tek opozita, deputeti i PD-së tha se kjo e fundit e ka problemin te lideri i saj. Sipas deputetëve të mazhorancës, Rama është në krye të trafiqeve në Shqipëri, pasi ka blerë votat me leje ndërtimi. Në këta tre vjet për deputetët e mazhorancës Shqipëri ka ndryshuar dhe kjo falë qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Berisha.

Në foltore janë ngjitur Olldashi, Basha dhe Pollo, që kanë renditur sipas tyre sukseset e kabinetit

Ministrat, në radhë për të mbrojtur kreun e qeverisë

Ministrat "janë vënë në rresht" dhe kanë bërë mbrojtjen e tyre për Kryeministrin Berisha gjatë debatit për mocion në lidhje me çështjen "Fazliç". Pas fjalës së gjatë të Kryeministrit Berisha, i pari që është ngjitur në foltoren e Kuvendit për të bërë mbrojtjen e tij dhe për të renditur sukseset e qeverisjes dhe konkretisht të Ministrisë së Transporteve, ka qenë ministri Sokol Olldashi. Ky i fundit, brenda dhjetë minutave të diskutimit të tij, nuk ka përtuar të numërojë gjithë rrugët e Shqipërisë, të cilat gjatë këtyre tri viteve janë ndërtuar ose janë në proces ndërtimi. Gjithashtu, ministri Olldashi ka theksuar gjatë diskutimit të tij se u ka ardhur fundi lidhjeve korruptive të qeveritarëve me njerëz të botës së krimit, duke renduar emra drejtorësh dhe shoferësh, të cilat janë favorizuar gjatë qeverisjes së PS-së. Pas Olldashit ka qenë ministri Basha, i cili ashtu si Kryeministri ka qenë mjaft i ashpër ndaj deputetëve të opozitës. Ai ka hedhur poshtë çdo lidhje të tij dhe të familjarëve të tij me afera korruptive, ashtu siç ka ndodhur me familjarët e deputetëve të opozitës në kohën kur ata ishin ministra. Ministri Basha është pasuar nga zëvendëskryeministri Pollo, i cili nuk ka vetëm pak kohë që ka marrë këtë post, pasi ka qenë në krye të Ministrisë së Arsimit. Ky është ndalur më gjatë te fusha e arsimit. Pollo ka theksuar se gjatë këtyre tri viteve qeveria ka shënuar suksese në fushën e arsimit dhe kjo tashmë duket qartë dhe nuk ka nevojë për të bërë krahasime. Më pas fjalën e kanë marrë edhe ministrat e tjerë të kabinetit qeverisës, të cilët, sipas ministrive, kanë bërë edhe mbrojtjen e tyre, duke theksuar se kjo qeveri ka ecur para, duke shënuar arritje të mëdha. Sipas ministrave të kabinetit të drejtuar nga Berisha, është rritur zhvillimi ekonomik, është ulur kriminaliteti, është luftuar korrupsioni dhe trafiqet. Ministrat nuk kanë thënë asgjë më pak apo më shumës se Kryeministri gjatë diskutimit të tij prej gati dy orësh. Ata thjesht e kanë fragmentarizuar, secili sipas fushës që ka në administrim, duke thelluar faktet të cilat i kanë përdorur në mbrojtje të Kryeministrit.

Opozita akuzon Kryeministrin për tradhti kombëtare

Ruçi: Berisha hiqet si patriot, por ka shitur interesat e vendit

Kanë qenë shumë të ashpra akuzat e opozitës ndaj Kryeministrit Berisha, mbrëmë në sallën e Parlamentit, në mocionin për debat me Kryeministrin Berisha. Në mënyrë të përsëritur, deputetët socialistë kanë furnizuar me argumente, të cilat, sipas tyre, faktojnë lidhjen e Kryeministrit dhe e familjes së tij me biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazliç. Këto akuza kanë shkuar larg, thelbi i së cilës u prononcua nga kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi. I cili në fjalën e tij në Kuvend e akuzoi kreun e qeverisë as më pak e as më shumë, por për "tradhti kombëtare" dhe "shitje të interesave të vendit, vetëm për përfitime personale. Ruçi theksoi se Berisha ka lejuar që serbët të ulen këmbëkryq në Shqipëri, pasi u janë dhënë rrugë për të ndërtuar dhe u janë shitur troje për të ndërtuar aktivitetet e tyre të biznesit. Gjatë fjalës së tij, Ruçi ka theksuar se Kryeministri Berisha po vë të gjithë shtetin në shërbim të biznesmenit Damir Fazliç, i cili po pastron paratë në Shqipëri. Kryeministri, tha Ruçi, injoroi Kuvendin dhe kërkesën e opozitës, duke mos dhënë asnjë përgjigje për pyetjet e ngritura. Sipas deputetit socialist, Kryeministri po instalon anti-shtetin në Shqipëri. Pas fjalës së deputetit të PS-së, Gramos Ruçi, ka ardhur edhe reagimi i Kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit i ka drejtuar një pyetje deputetit Ruçi, ku i thotë "kam vetëm një pyetje për don Gramozin, e ka zgjidhur çështjen e gjakut që ka me Fatos Nanon apo jo, pasi Nano e ka akuzuar se ke dashur ta vrasësh dhe për ta vrarë i ka sharruar aksin e makinës". E menjëhershme ka qenë dhe përgjigjja e deputetit Ruçi, i cili ka kundërshtuar këtë pretendim të Kryeministrit Berisha, duke e cilësuar si të pa vërtetë dhe i ka bërë një tjetër pyetje Kryeministrit Berisha, nga e cila ka dashur të marrë një përgjigje: "Z.Berisha kur do të shkoni në Tropojë dhe kur do të falësh gjakun e tyre", pyetje e cila nuk ka marrë përgjigje nga kreu i qeverisë. Gjithashtu, mjaft i ashpër në fjalën e tij ka qenë edhe nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, i cili me fakte e dokumente ka akuzuar për abuzime Kryeministrin, i cili sipas nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, ka bërë gjatë qeverisjes së tij duke u dhënë favore miqve dhe njerëzve të tij serbë, pasi u ka dhënë toka dhe tenderë rrugësh për ndërtim, siç është rruga e Thumanës dhe plot rrugë të tjera, që priten të bëhen. Braçe tha se tenderët do t‘i marrin njerëzit me lidhje të afërta pranë Kryeministrit. Ndërsa deputeti tjetër socialist, Ben Blushi, ka theksuar se e djathta erdhi në pushtet për të vjedhur dhe kjo shpjegon edhe ardhjen e Damir Fazliçit, pikërisht pas 2005-ës, për të investuar në Shqipëri, pasi erdhi për të vjedhur, gjë që nuk e bënte dot në qeverisjen socialiste. Duke u ndalur te prokuroria, Blushi tha se organi i akuzës po bllokohet në punën e tij për të mos zbuluar gjurmët që fshihen pas Gërdecit dhe Fazliçit, pasi po të hetohen këto, del se Kryeministri dhe familja e tij është pas tyre. Tre janë bizneset kryesore në vend, armët, tokat dhe ilaçet, theksoi Blushi. Pas shitjes së armëve, fshihet djali i Kryeministrit, pas tenderëve të ilaçeve fshihet mbesa e Kryeministrit dhe pas pronave në bregdet është i emëruar nga Kryeministri dhëndri i tij. Ne, si vend, tha Blushi kemi mjaft probleme dhe nuk mund të krahasohemi me vendet e tjera, por as me Bosnjën nuk mund ta bëjmë, pasi jemi shumë larg. Bosnja e ka arrestuar Damir Fazliçin e saj, ndërsa ne e mbajmë në postin e Kryeministrit. Gjithashtu, diskutimi i opozitës ka vijuar edhe nga deputetët e tjerë, të cilët kanë renditur fakte që, sipas tyre, tregojnë lidhjet e Damir Fazliç me Kryeministrin Berisha.

Akuza e Ruçit

Dhe kujt ja bën ti këtë gjë, shqiptarëve, që sot janë në luftë me krimin ballkanik që vjen nga Serbia e Fazliçit. Të rreshtohesh me krimin, me të cilin je në luftë për të luftuar shtetin tënd, kjo është quajtur dhe vazhdon të quhet në çdo vend të botës veçse tradhti

Replikat

Berisha pyet Ruçin: A e ke zgjidhur çështjen me Nanon, që të ka akuzuar se ke dashur ta vrasësh, duke i sharruar aksin e makinës. Ruçi iu kundërpërgjigj me pyetje: Unë e pyes z.Berisha pse ai nuk shkon në Tropojë dhe kur do e falë gjakun e të vrarëve

Blushi

Tre janë bizneset kryesore në vend, armët, tokat dhe ilaçet. Pas shitjes së armëve, fshihet djali i Kryeministrit, pas tenderëve të ilaçeve fshihet mbesa e Kryeministrit dhe pas pronave në bregdet është i emëruar nga Kryeministri dhëndri i tij

PS mocion me debat me Kryeministrin për biznesmenin serbo-boshnjak

Leskaj: Berisha të sqarojë lidhjet e tij me Fazliç

Partia Socialiste nëpërmjet kryetares së grupit parlamentare Valentina Leskaj i ka kërkuar Kryeministrit Berisha të sqarojë lidhjet e tij me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazliç. Sipas Leskaj, grupi parlamentar i PS-së e ka kërkuar këtë mocion për debat me Kryeministrin Berisha për dy arsye. Së pari, tha Leskaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend, Kryeministri, si njeri me imunitet politik, duhet të bëjë transparente marrëdhëniet e tij me shtetasin serbo-boshnjak, Damir Fazliç, marrëdhënie nga të cilat kanë derivuar një sërë aferash korruptive të bëra publike kohët e fundit edhe në shtyp. Së dyti, theksoi ajo, Kryeministri ia ka borxh këtij Kuvendi dhe shqiptarëve një rrëfim të sinqertë për lidhjet e hershme të tij me Damir Fazliç që nga zgjedhjet e vitit 2005. "Që nga ajo kohë, ne vazhdimisht kemi kërkuar, që Kryeministri të deklaronte shpenzimet e fushatës dhe lidhjet e tij me kompaninë BG&R e cila kohë më parë loboi për Serbinë kundër interesave të Kosovës dhe tani rezulton përfituese në tenderë", tha Leskaj. "Është kapje e shtetit, për sa kohë që Kryeministri vë në shërbim të tij institucionet e shtetit dhe Qeveria merr vendime në favor të biznesit të tij, si ngritja e parkut energjetik, kur familjarë të Kryeministrit dhe ministrave rezultojnë të lidhur direkt në afera biznesi me të", theksoi kryetarja e grupit të PS-së. Për Leskaj, është kapje e shtetit kur Fazliç vë në rresht qeveritarë, të cilët raportojnë përpara tij për çështje të sigurisë kombëtare dhe këtë e bën në cilësinë e biznesmenit. Opozita i ka kërkuar Kryeministrit që t‘u thotë shqiptarëve se cili është statusi i Fazliç, i cili, sipas PS-së, duket hapur se i janë krijuar lehtësira dhe e keni marrë në mbrojtje, duke bërë presion edhe mbi institucionet e pavarura.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›