E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy orë leksione nga Pirandello

Mendime dhe përjetime të aktorëve para shfaqjes. Idetë regjisoriale dhe mesazhi që Mehmet Xhelili uron t'i transmetojë publikut me veprën "Gjashtë personazhe kërkojnë autor" të Luigi Pirandello-s. Sonte premiera në Teatrin Kombëtar

Sonte, ora 20.00, Teatri Kombëtar shfaq premierën e dytë të këtij sezoni artistik, veprën "Gjashtë personazhe kërkojnë autor" (Sei Personaggi in cerca d'autore, 1921) të dramaturgut italian Luigi Pirandello, me regji të Mehmet Xhelilit.


Një ditë para premierës, në prezantimin për median, regjisori e përkufizoi punën e bërë këto dy muaj me aktorët si një "angazhim të madh energjish, talenti, pasioni". Një ndër detyrat që hëngri shumicën e energjive ishte përzgjedhja e aktorëve që Pirandello ka futur në veprën e tij dhe realizimet e figurave të tyre artistikisht.


Edhe pse Xhelili nuk preferoi të përmendte emra të veçantë aktorësh, duke e konsideruar punën e tyre si një ansambël, Pirandello i ka lënë më tepër hapësirë në veprën e tij personazheve: Babait (në rol Fatos Sela), Thjeshtrës (Eftiola Laçka), Nënës (Marjeta Ljarja), Biri (Dritan Boriçi).


Djaloshi (Erin Kujovsa) dhe Vogëlushja (Dea Xhelili) janë dy fëmijët që plotësojnë familjen, të cilët autori ka preferuar t'i mbajë larg dialogut dhe të rrëfejnë të tjerët për dramën e tyre.


Regjisori ka caktuar për rolin e regjisores aktoren Olta Dako, një personazh ndërmjetësues, që drejton ngjarjet, bën lidhjen e personazheve me njëri-tjetrin dhe ekuilibron situatat.


Një rol që nxjerr kokën pak në vepër, por ka gisht në zhvillimin e dramës është ai i Madam Paçesë (në rol Suela Konjari), një grua tinëzare, e spërdredhur, lajkatare dhe karakter i veçantë në vepër.


Të tjerë personazhe janë: aktorja e parë (Flaura Kureta), aktori i parë (Fadil Kujovsa), Aktori i dytë (Sokol Angjeli), Aktori i ri (Devis Muka), përgjegjësi i skenës (Mërkur Bozgo), Sufleri (Klodian Hoxha), Aktorja e dytë (Elida Janushi), Sekretarja (Dasara Xhangolli), Aktorja e re (Arjeta Dhima).


Ngjarjet e "Gjashtë personazhe kërkojnë autorë" ngjesin në një sallë teatri, ku një regjisore po punon për një shfaqje të dramaturgut italian Luigi Pirandello dhe i ankohet aktorëve për veprat e mërzitshme, që nuk i komunikojnë publikut, nuk i thonë asgjë kohërave moderne dhe kanë mbetur si relike në repertoret e teatrove.


Në këtë kohë, në sallën e Teatrit vijnë 6 personazhe, që i ka braktisur autori, e ndërpresin regjisoren nga puna, dhe i kërkojnë të rrëfejnë dramën e tyre, një dramë rrëqethëse që flet për varfëri, prostitucion, incest, probleme të rënda sociale.


Një grua e martuar dy herë në jetë, një nënë që ka braktisur djalin e saj nga martesa e parë nuk e ka parë prej vitesh.


Nuk është vetëm ky dënimi që ajo merr nga burri i saj i parë, por i duhet të kalojë dhembjen më të madhe, dramën më të madhe të një familjeje, marrëdhënien e incestit të burrit të saj (babai) me të bijën (thjeshtra).


"Një rol që "nuk flet shumë në shfaqje, por ka peshën më të madhe dramatike" tregon aktorja Marjeta Ljarja për rolin e Nënës, një rol që e ka punuar me kënaqësi, për shkak ndoshta edhe të mungesës së gjatë në skenë. Ljarja pohoi se Pirandelloja i ka mrekulluar të gjithë me karakteret e tij, dhe raportet që ka krijuar mes tyre.


Aktorja Eftjola Laçka e përshkroi thjeshtrën, roli i parë i saj protagonist në Teatrin Kombëtar, si një vajzë me fëmijëri të hidhur, që është abuzuar shumë me të në vogëli. Dritan Boriçi nuk u ndal tek roli i tij por, preferoi të priste rezultatet e shfaqjes.


"Do të na falni nëse përpjekja jonë nuk do të përmbushë dëshirën tuaj për realizimin e veprës".
Ngjarjet e veprës, Pirandello jo më kot i vendos në një sallë teatri. Në të përmenden shumë probleme që vuan teatri në kohën kur është shkruar vepra.


Ai flet për vepra të mërzitshme që nuk i thonë asgjë kohës dhe shfaqen për hir të "madhështisë" së tyre. Flet për personazhe që nuk janë dakord me aktorët, që nuk e shohin veten të përfaqësuar tek ata, nuk shohin dramën e tyre aty dhe u duken mediokër, fëminorë e sipërfaqësorë.


"Vepra trajton probleme sociale, probleme që kanë të bëjnë me moskomunikimin e njerëzve mes tyre, probleme që kanë të bëjnë me natyrën tonë të ngatërruar, probleme që kanë të bëjnë me dështimin tonë për të organizuar një harmoni me ekzistencën tonë, për të krijuar një harmoni me njëri-tjetrin, një harmoni burri me gruan, fëmija me prindin, fëmijët me njëri-tjetrin. Një shoqëri ku me individin abuzohet, ku individi shfrytëzohet.
E veçanta është që të gjitha këto mesazhe, vijnë nëpërmjet një gjetje.


Është një provë e zakonshme teatri që mund të jetë teatri ynë, çfarëdo teatri. Flitet për probleme që kanë të bëjnë me teatrin, me mënyrën e komunikimit, me të vërtetën, si ballafaqohen njerëzit me të vërtetën, si ballafaqohet teatri, çfarë do publiku, çfarë i pëlqen publikut.


Ka një moment që aktorët ndeshen me personazhet: ti apo unë jam më i rëndësishëm, ti më ndjen apo jo mua? Unë e kam zërin ndryshe si do ta pasqyrosh zërin tim?", tregon rreth veprës dhe mesazheve të saj, regjisori Xhelili.


Skenografia është realizuar nga Genc Shkodranit, një skenë e vërtetë teatri ku "Gjashtë personazhet" e Pirandellos do të tregojnë sot, më 10 dhe 11 prill dramën e tyre. Kostumet janë të Anila Zajmit.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›