E Shtunë, 31 Tetor 2026

U arrestua në Bullgari, Apeli vendos arrest shtëpie

Tenderi i Uniformave

Dy muaj pas arrestimit të biznesmenit Ilir Sulo, nga autoritetet e Interpol Sofies për llogari të Shqipërisë, ndaj tij zbutet masa e sigurisë


Vendimi pritet të favorizojë biznesmenin e akuzuar për tenderin e uniformave bashkë me disa tregtarë te tjerë dhe zyrtarë shtetërorë

TIRANË- Në kohën kur pritej që gjykata bullgare të niste shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradimin e biznesmenit Ilir Sulo, Gjykata e Apelit i ndryshoi masën e sigurisë, nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie", duke lehtësuar pozitën e tij. Sulo, është në hetim për llogari të njësisë së Task- Forces së prokurorisë së kryeqytetit në lidhje me tenderin e blerjes së uniformave me shumën 1.2 milionë euro.


Ndërkohë, në kërkesën për ekstradimin e biznesmenit mësohet se Prokuroria e Përgjithshme, përveç provave të ndryshme, i ka bashkangjitur kërkesës edhe vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pak muaj më parë për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" në mungesë.


Mbi bazën e këtij vendimi, mësohet gjithashtu, se zyra e Interpol Tiranës e ka shpallur emrin e tij në listën e personave të kërkuar, të cilin autoritetet e policisë bullgare e arrestuan në fillim të muajit shkurt.


Një vendimi i tillë i dhënë nga Gjykata e Apelit duket se e favorizon Sulon përballë drejtësisë bullgare në procesin e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë dhe nuk është çudi që kërkesa për ekstradimin e tij të rrëzohet nga pala bullgare.


Sipas burimeve nga gjykata, mësohet se trupa gjykuese e ka argumentuar ndryshimin e masës së sigurisë me ndryshimin e rrethanave të hetimit, si dhe në referim të vendimeve të tjera të kësaj gjykate dhe asaj të Gjykatës së Lartë, që kanë vendosur ndryshimin e masave të sigurisë për të gjithë bashkë të pandehurit e kësaj dosjeje, ku edhe Sulo është i akuzuar.


Biznesmeni Ilir Sulo, u arrestua nga policia bullgare në fillim të muajt shkurt, vetëm pak javë pas arrestimit në Shqipëri të personave të tjerë të akuzuar për të njëjtën çështje.


Sipas prokurorisë, nga hetimet e deritanishme ka rezultuar, se Sulo është organizatori dhe përfituesi më i madh i shumës së tenderit të miratuar nga Këshilli i Ministrave për blerjen e uniformave me vlerë prej 1.2 milionë euro. Sipas hetimit, dyshohet se Sulo ka marrë përsipër të paguajë gjysmën e 10 % të vlerës së tenderit, shumë që do shkonte në xhepat e zyrtarëve shtetërore.


Po kështu ai dyshohet se kishte marrë përsipër të ishte personi që do dorëzonte paratë, që më pas do sillte edhe paracaktimin e fituesit të këtij tenderi të organizuar nga Drejtoria e Prokurimeve Publike pranë Ministrisë së Brendshme dhe Gardës së Republikës.


Bashkë me të akuzohen edhe Bujar Murati, ish-drejtor i Prokurimeve Publike pranë Ministrisë së Brendshme, Tahir Imami, ish-shef i Prokurimeve Publike pranë Gardës së Republikës, Redi Popesku ish-specialist në Ministrinë e Integrimit. Ky i fundit luante rolin e ndërmjetësit. Tre tregtarët Agur Sadiku, Artan Berberi dhe Jani Gjergjefi, fillimisht u arrestuan dhe më pas u liruan, nga Apeli dhe Gjykata e Lartë.


Të gjithë të dyshuarit po hetohen në gjendje të lirë me masat të ndryshme sigurie, nga ajo e "arrestit në shtëpi", në "detyrim për paraqitjeje" dhe gjendje të lirë pa masë sigurie.


Priten dy të pandehur të rinj


Pritet që në ditët në vazhdim kësaj dosjeje hetimore t'i bashkëngjiten edhe dy persona të tjerë që mendohet se kanë luajtur rol të rëndësishëm në paracaktimin e fituesit të këij tenderi 1.2 milion eurosh.


Sipas prokurorisë, të tre zyrtarëve me anë përfitimit të 10 % të vlerës së tenderit, përcaktuan katër biznesmenët si fitues të tenderit me objekt "Blerje të uniformave veshmbathjeve dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit 175 milionë lekë të reja i ndarë në 14 pjesë apo siç quhet në gjuhën zyrtare, në 14 lote.


Ato bënin pjesë në tenderin me fond total mbi 175 milionë lekë, me të cilat do bliheshin uniforma të pjesshme për Policinë, repartet RENEA-s dhe të FNSH-ve, si dhe për Gardën e Republikës, Ministrinë e Mbrojtjes Doganat, Ministrinë e Shëndetësisë etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›