"Teatri i Komedisë? Një hapësirë tjetër dembelësh"
Regjisori i ri, Enton Kaca, përmend të tjera probleme që qeveria duhet të nxitojë t'i zgjidhë.
Në vend të ngritjes së një Teatri Komedie: hapësirat për të rinjtë, freskimin e repertorit me projekte cilësore, mbështetjen e atyre që punojnë për teatrin, heqja e buxheteve nga duart e pak njerëzve
Një teatër që nuk do të na bëjë të qeshim kurrë. Është një tjetër pritshmëri që kanë artistët për Teatrin e Komedisë, në një kohë kur Ministri i Kulturës dhe aktorët e komedisë dhe satirës u ulën për herë të parë para dy ditësh për të "pleqëruar" strukturën e teatrit, njerëzit që do e mbajnë në këmbë dhe mënyrën e funksionimit.
Opinioni i regjisorit Enton Kaca i shtohet mendimeve, shqetësimeve që njerëzit që merren me teatër kanë ngritur këto kohë në gazetën "Shekulli", duke e cilësuar ngritjen e këtij teatri "ide absurde", "një teatër që shqiptarët nuk e meritojnë", "një histori për të institucionalizuar gallatën që politika bën me kulturën", apo sugjerimeve "Të ndihmohet Teatri i të Rinjve", "Të funksionojnë institucionet që kemi" dhe thirrjeve drejtuar kryeministrit: "të bëhet transparent projekti i Piramidës".
"Ndoshta kjo lloj kulture na përfaqëson: kultura e humorit dhe satirës", mundohet t'i japë një shpjegim mes ironisë, Kaca i cili përsërit problemet që rëndojnë vërtet mbi kulturën, aty ku shteti duhet "të mbajë frymën".
Enton, ç'mendon për idenë që po diskutohet këto ditë në Ministrinë e Kulturës: Ngritja e Teatrit të Humorit dhe Satirës?
Ndoshta kjo lloj kulture na përfaqëson në çdo aspekt: kultura e humorit dhe satirës. Siç është politika e shtetit, kultura jonë personale, pandjeshmëria ndaj të bukurës. Nëse sheh vërdallë nëpër rrugë, e ndjen përçudnimin estetik, tek ndërtimet pa kriter, rrugët e zëna me kunja hekuri, gropat që nuk i rregullon askush asnjëherë.
Ndërtimi i Teatrit të Humorit dhe Satirës do të thotë një hapësirë tjetër dembelësh, që marrin para nga shteti, që bëjnë ca skeçe idiote, me humor banal që nuk do të na bëjnë për të qeshur kurrë.
Para 2 vitesh i hyre punës për ndërtimin e një teatri për të rinjtë. Përse hoqe dorë?
Jam përpjekur të ndërtoj Teatrin Kombëtar të të Rinjve. Projekti duhej të aplikohej që në vitin 2007. Hapësira boshe që ekzistonte për këtë arsye në Teatrin Kombëtar nuk u dha sepse pritej hapja e sallës së re të teatrit, ajo e Piramidës. Ministria e Kulturës u tregua shumë e hapur dhe dashamirës për t'i hyrë kësaj iniciative, por pastaj më vonë çdo gjë u la në heshtje, asnjë nuk u çua më përpara
Të dyja institucionet u vunë në dijeni të kësaj iniciative, ndërtimin e një teatri të pavarur, që financohet vetë, gjen vetë projektet, ndërton vetë strategjinë, nuk merr përsipër të paguajë aktorë me rrogë siç ndodh me aktorët që janë në organikën e Teatrit Kombëtar.
Institucioni do t'u jepte mundësi të rinjve të përfaqësoheshin në një ambient të caktuar, të ishin të lirë të ndërtonin sipas opinionit të tyre, sipas mentalitetit që i përfaqëson. Teatri i të Rinjve nuk mendohej të ishte fotokopja e teatrit tradicional, por mendohej të prirej drejt risive, pikëpamjeve të reja.
Kjo hapësirë na e privua me një pandjeshmëri të lartë burokratike, për halle më të mëdha, për arsye më shumë politike sesa konkrete, që kishin të bënin me teatrin dhe kulturën. Nuk shihet nevoja e një hapësire që t'i jepte dorë disa të rinjve. Nevoja e tyre është që të ndërtojnë projekte sipërfaqësore, që të bëjnë bujë, që më shumë të duken sesa të kenë rrënjë. Kjo gjendje ka për të ekzistuar edhe pas 10 vjetësh.
Një tjetër iniciativë private që ke ndërmarrë është aktiviteti i Teatrit të Ri. Si ka qenë ajo përvojë?
Kompanitë kanë qenë një iniciativë e mirë. Ishin institucione të pavarura të artistëve të ndryshëm, që nuk gjenin gjuhën e bashkëpunimit me institucionet klasike që përfaqësojnë artin në Shqipëri.
Por shpejt këto kompani u detyruan të shkrihen.
Kompanitë janë ndërtuar në vitet 2000-2002. Po bëhen gati 8 vjet dhe nuk ka pasur asnjë tjetër të marrë përsipër një nismë të tjetër, të rriskojë. Pse? Sepse nuk ka siguri, mbështetje dhe mungon dëshira. Kjo është fryma dhe këtë lloj fryme e ndërton shteti me politikat e veta.
Përse kemi këtë gjendje?
Iniciativat janë shumë të vështira sot, për arsye se edhe modeli i formimit të një aktori vjen nga një shkollë klasike. Një shkollë që nuk e edukon atë t'i aplikojë vetë interesat artistike, por e mëson atë si një ushtar të rregullt, të shërbejë në një ushtri të madhe, me një pagesë mercenari, dhe që "bukën e vet" mos ta gjejë duke aplikuar, duke bashkëpunuar me njerëz të tjerë, por duke ofruar personalitetin e tij në institucionet klasike ku është më e lehtë të përfitosh të mira materiale.
Ka qenë e vështirë edhe nga ana ekonomike: çmimi i biletës, qiratë e shtrenjta, mjetet e punës. Tregu ka një absurditet në vetvete. Kur dikush do të punojë privatisht duhet t'i përgjigjet një çmimi shumë real dhe të vërtetë të mjeteve të punës. Ndërkohë, kur dikush duhet të paguajë biletën e teatrit, ai nuk i përgjigjet në formë reale tregut.
Teatri Kombëtar duke qenë se është ndërmarrje buxhetore, që subvencionet nga shteti, ai nuk ka interes që të krijojë një çmim të ndonjë standardi më interesant për çështjen e biletës, sepse nuk i intereson. Ai do të ketë gjithmonë njerëz në sallat e veta. Në moment që do të rritet çmimi i biletës në teatër, atëherë do të flitet realisht sesa konkret dhe sa i nevojshëm është ky lloj teatri.
Po ligji çfarë problemesh ka?
Ligji i Artit Skenik i vitit 2005 nuk ka gjetur përkrahjen nga shumica. E kanë quajtur manovër politike. Problemi që ka ligji është taksimi i kompanive private njësoj si bizneset e tjera që ndërtojnë, shesin, ose eksportojnë mallra të ndryshme.
Mirë do të ishte që ligji të rishikohej deri sa Shqipëria të binte në një normalitet.
Sot nuk ka konkurrencë, nuk ka ambicie, nuk ka kërkesë të lartë për cilësinë e projekteve, për prezantimin e lartë artistik. Shumica e projekteve nuk kanë moral të pastër artistik. Janë vetëm riprodhime bajate, janë vetëm vënie repertori, skena të para 1 milion herë.
Në momentin që kompania private do të fillonte të hynte në lojë dhe nuk do të kishte pengesa nga shteti, madje do të kishte mbështetjen e tij, do të sillte frymë të re. Do të ishte një këndvështrim opozitar shumë i fortë dhe do të tërhiqte të rinjtë. Kompanitë mund të ishin një hapësirë shumë e mirë për të rinjtë që "trokasin" nëpër institucione dhe nuk marrin përgjigje.
Por në momentin që këto financa janë të sigurta, nuk ndihet nevoja e ndërtimit të një iniciative private. Financat nuk është e thënë të përftohen nga cilësia e projektit që prezantohet, por nga njohjet personale, nga shkathtësia, nga raportet miqësore, nga nderet, ose favoret e ndryshme që shkëmbehen.
Buxhetet qarkullojnë vetëm mes një grupi të caktuar njerëzish që nuk e ndiejnë nevojën e iniciativave private.
Po tek Festivali i Teatrit të të Rinjve sa e ke gjetur veten?
Kam aplikuar dy herë. Në vitet 2005 kam vënë shfaqjen "Karriget" e Joneskos me aktorë të rinj. Isha në fillesat e punës sime. Punova me një staf të mirë. Ajo eksperiencë, sot më duket shumë e çuditshme: për faktin sesi arrita të ndërtoj një shfaqje në mënyrë klasike.
Njerëzit janë dashamirës kundrejt të rinjve në momentin që ata përfaqësojnë një stil të caktuar, ose kanë një lloj pikëpamje, nga steriotipi që ka mbledhur njerëz në këtë teatër. Kështu që shkoi mirë.
Por, më vonë nuk isha shumë i kënaqur për sa i përket pikëpamjes personale mbi teatrin. Në vitin 2007 kam marrë pjesë me një shfaqje tjetër që ishte më e pavarur, e bazuar me autorë shqiptarë Kuteli, Kadare dhe Migjeni.
Është punuar në mënyrë poetike, nuk ka pasur ngjarje, nuk ka pasur skena të teatrit tradicional. Është teatër i ndërtuar në mënyrë të pavarur, për sa i përket edhe kulturës masive që ekziston sot për skenën teatrale. Atë vit fitova çmimin e regjisë më të mirë.
Tani me çfarë po merresh?
Po përpiqem të kërkoj një hapësirë boshe për të ndërtuar një teatër privat, që nuk ka për qëllim as të konkurrojë sallat e mëdha, ose këtë sallën e re që do të na bëjë kryeministri, por të përmbushë të paktën interesat e disa njerëzve, që nuk e gjejnë gjuhën, nuk shprehen dot nëpër këto institucione dhe e shohin këtë lloj profesioni me shumë pasion. Për ata që nuk kanë dëshirë ta shesin dinjitetin e tyre nëpër formate të padenja për artin.