E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy persona të armatosur sulmojnë një bankë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Maskat në Tiranë

Dy persona të armatosur e me maskë kanë sulmuar filialin e një bankë në një prej zonave më të populluara në Tiranë. Kanë kaluar rojen e parë të sigurisë dhe, pasi i janë afruar arkës, janë penduar. Dy bashkëpunëtorët e armatosur kanë dalë pa marrë asnjë lek nga banka, pasi kanë mësuar se policia ishte njoftuar për ngjarjen. Të dyshuarit kanë mundur të largohen në rrugicat e lagjes pa mbërritur patrulla e policisë në vendin e ngjarjes. Gjithçka ka ndodhur dje rreth orë 14:00 te Zogu i Zi në Tiranë në filialin e “Raiffeisen Bank”. Burime nga policia bëjnë të ditur se dy grabitësit nuk janë identifikuar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Ndërkohë që kjo nuk hera e parë që ky filial banke vihet në shënjestër të maskave. Në të njëjtin vend dhe pothuajse në të njëjtën orë është shënuar e njëjta skenë grabitje plot një vit më parë, për t u pasuar dhe nga një grabitje tjetër gjatë këtij viti. Në dy herët e para personat me maska, nën kërcënimin e armëve, kanë boshatisur arkën në momentin kur punonjësit e bankës po bënin mbylljen e xhirove për ditën.
Ngjarja
Dy persona të armatosur kanë hyrë në filialin një banke në Tiranë, por më pas janë sinjalizuar se po afrohej një patrullë policie dhe kanë dalë prej saj pa mundur të marrin asgjë.
Burime nga policia bëjnë të ditur se dështoi tentativa për grabitjen e një filiali banke në Zogun e Zi në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14.00 të ditës së djeshme, kur dy persona të armatosur dhe të pajisur me syze dhe kapele kanë tentuar të grabisin filialin e një banke, ndërkohë që dyshohet se një grup tjetër personash ishin jashtë filialit në mbështetje të dy grabitësve.
Afrimi i një patrulle policore detyroi grabitësit të largohen pa arritur të marrin gjë nga banka. Mësohet se kanë qenë drejtuesit e bankës, ata që njoftuan menjëherë policinë. Kjo është hera e dytë që i njëjti filial banke bëhet pre e grabitësve.
Hetimet
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e personave të dyshuar. Ndërkohë që të gjithë punonjësit e bankës kanë dhënë deklarimet e tyre për grupin e hetimit. Sipas përshkrimeve të punonjësve për policinë mësohet se dy grabitësit ishin veshur me rroba të zeza dhe mbanin nga një kapele në kokë, një armë dhe syze. Policia ka dokumentuar të gjitha provat e mbledhura në vendin e ngjarjes si dhe ka nisur kontrollet në zonën ku ka ndodhur ngjarja. Edhe pse kamerat e sigurisë në banka shërbejnë pikërisht për të identifikuar personat dhe veprimet e tyre brenda bankës në asnjë prej grabitjeve pajisja nuk ka shërbyer për të çuar policinë në gjurmët e autorëve.

Precedentë

21 qershor 2008
Një person që mbante maskë në kokë, ka hyrë në ambientet e filialit të bankës rreth orës 14:00. Duke përdorur armën si presion në drejtim të njërit prej punonjësve të sportelit, ai ka marrë një sasi prej rreth 300 mijë lekësh të reja që ndodheshin në banak. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar më tepër se 20 persona të skeduar me tendenca kriminale në fushën e grabitjeve.

1 gusht 2008
Tre persona, të maskuar dhe me armë automatike, grabitën në mes të ditës arkën e bankës NBG, në km e 5 të autostradës Tiranë-Durrës. Fillimisht kanë kërcënuar me armë rojen e sigurisë dhe më pas kanë detyruar punonjësit e bankës të heshtin dhe të dorëzojnë paratë. Mësohet se kanë marrë rreth 1 milion lekë, dhe janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me një autoveturë pa targa.

22 nëntor 2008
Nën terrorin e armëve, një adoleshent ka mundur të grabisë me maskë një filial banke të rëndësishme në Tiranë. Me maskë në kokë dhe pistoletë në dorë, ai ka hyrë në ambientet e bankës, ka qëlluar dy herë në ajër, e duke bërtitur, ka marrë 800 mijë lekë nga arkëtarja, së cilës i ishte drejtuar arma në fytyrë. E terrorizuar, ajo ka mbushur çantën me para dhe ia ka dhënë grabitësit, për të cilin mendohet se është vetëm 17 ose 18 vjeç.

17 prill 2009
Dy persona të maskuar arritën të merrnin me forcë 800 mijë lekë nga një prej degëve të Raiffeisen Bank, pranë restorantit “Durrësi”, në kryeqytet. Sipas dëshmitarëve okularë, një prej grabitësve, i cili ishte edhe i armatosur, arriti të merrte paratë, ndërsa jashtë e priste me një motor një tjetër person. Policia është vënë në kërkim të dy grabitësve, ndërkohë që nuk ka pasur probleme mes njerëzve që ndodheshin në atë moment në bankë.
Ky lajm është publikuar: 23/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›