E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy persona tentojnë ti vrasin nënën, shkak sherri me djalin

TIRANE – Dy vëllezër kanë tentuar të vrasin një grua, duke e kërcënuar fillimisht me armë e më pas duke qëlluar 17 herë në ajër me automatik para shtëpisë së saj. Sipas Policisë, autorët tentuan të hakmerren ndaj nënës, sepse djali i saj 21-vjeçar i kishte rrahur disa ditë më parë. Ngjarja ndodhi në afërsi të zonës së njohur si Nish Tulla 3, në rrugën Gjergj Legisi, në Tiranë. Autorët e dyshuar të ngjarjes, të cilët u vunë në pranga menjëherë nga forcat e Komisariatit Nr.3, janë vëllezërit Shkëlzen dhe Gëzim Pjetërnikaj, 32 dhe 29 vjeç, nga Tropoja dhe banues në afërsi të ish-Kombinatit Josif Pashko, në kryeqytet. Sipas burimeve nga Policia, ata u arrestuan me akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, pasi kishin kërcënuar me armë 42-vjeçaren Dile Leka dhe më pas kishin qëlluar në ajër plot 17 herë me automatik. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga banorët e zonës, të cilët kanë dëgjuar të shtënat e armës e më pas edhe nga familja e dëmtuar, që ka denoncuar në sallën operative atë çfarë po ndodhte para shtëpisë së tyre. Sipas burimeve nga Policia, dy vëllezërit Pjetërnikaj kanë shkuar të armatosur në banesën ku jeton familja Leka dhe djali që i kishte rrahur disa ditë më parë. E pyetur nga oficerët e policisë, e dëmtuara Dile Leka ka treguar se ata fillimisht kishin nisur ti binin derës së jashtme me forcë e më pas duke thirrur e kërcënuar me zë të lartë djalin e saj. Për të shmangur përballjen e të birit me dy personat, që sipas saj dukeshin agresivë nga mënyra se si flisnin, ajo ka dalë vetë tek porta dhe nuk i ka lejuar që të futen brenda. Në këtë moment, ata kanë qëlluar në ajër me armë, pasi kanë kërcënuar se do ti vrisnin familjarisht. Burimet sqaruan se të arrestuarit ende nuk kanë dhënë shpjegime se çfarë konflikti kanë pasur me djalin e Dile Lekës, por vetëm faktin se ai i kishte goditur. Ndërsa nga të dhënat që ekzistojnë në arkivat e policisë së kryeqytetit, njëri nga vëllezërit e arrestuar, Gëzim Pjetërnikaj, rezulton të jetë person me precedentë penalë. Gjithashtu, një vit më parë, ai rezulton të jetë plagosur me armë zjarri në një lokal në Laprakë të Tiranës, pas një konflikti që ka pasur me një person.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›