E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, Gjykata e Lartë: Nuk ka prova për gardistin

Gardisti Gazmend Ahmetaj, një nga të akuzuarit e prokurorisë për vrasjet gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit para Kryeministrisë, do të hetohet në gjendje të lirë.Gjykata e Lartë rrëzoi dje pretendimet e prokurorisë për rikthimin e tij në qeli. Një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë e la të pandryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës të 2 marsit 2010, vendim që e liroi gardistin Ahmetaj nga paraburgimi. Ahmetaj është një nga gardistët e cilësuar nga Prokuroria si pjesëtar i grupit të zjarrit, ndër ata që hapën zjarr nga brenda kangjellave të godinës së Kryeministrisë gjatë zhvillimit të demonstratës. Pasi u arrestua, gjykata e Tiranës vlerësoi ndaj tij më 14 shkurt masën e sigurisë arrest me burg me afat 30-ditor, caktuar më parë në mungesë. Ky vendim u prish nga Gjykata e Apelit pak ditë më pas. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Lartë, përfaqësuesi i prokurorisë në proces i kërkoi gjykatës ndryshimin e vendimit të gjykatës së Apelit. Sipas prokurorit, vendimi i lirimit të gardistit Ahmetaj nga Gjykata e Apelit ka qenë i pabazuar në ligj. Para gjykatës, prokurori pretendoi se në afatin 30-ditor të arrestit me burg të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, prokuroria do të paraqiste provat mbi të cilat do të faktonte dyshimet e fajësisë së Ahmetajt. Ndërkohë, gjatë seancës, prokurori iu përgjigj me skam dijeni pyetjes së Kolegjit, nëse kishte dalë apo jo ekzaminimi i një predhe plumbi. Nga ana e tij, avokati i Ahmetajt pohoi dje se prokuroria nuk zotëron prova kundër klientit të tij. Dyshimi i prokurorisë për akuzat ndaj klientit tim nuk është i bazuar në prova. Kërkoj lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së Apelit, u shpreh avokati Marash Ibraj. Rekursi i prokurorisë për ndryshimin e masës së sigurisë detyrim paraqitjeje, të caktuar nga gjykata e Apelit, u regjistrua në Gjykatën e Lartë më 18 mars të këtij viti. Bashkë me të u depozitua edhe rekursi ndaj vendimeve të Apelit që liruan dy gardistët e tjerë Mark Nikolli e Sadik Çela. Gjykata e Lartë shqyrtoi pak ditë më parë rekursin ndaj gardistit Mark Nikolli, duke e lënë të pandryshuar vendimin e Apelit që e liroi atë nga paraburgimi. Ndërsa rekursi ndaj gardistit Çela pritet të shqyrtohet në ditët në vijim në Gjykatën e Lartë. Aktualisht, gardisti Agim Llupo është i vetmi efektiv i gardës, i cili është në masë sigurie arrest me burg.

Hetimi

Një numër i madh armësh të Gardës së Republikës janë sekuestruar nga grupi hetimor i 21 janarit, pas katër vrasjeve të ndodhura në kryeqytet në fillim të këtij viti. Rreth 75 copë automatikë dhe 60 pistoleta janë sekuestruar pranë Gardës së Republikës, ndërkohë që i janë nënshtruar ekspertizës krahasuese me predhat dhe gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Nga këto ekspertiza, vetëm një armë e Gardës është përputhur me predhën e shtetasit Ziver Veizi, i vrarë më 21 janar. Predha që qëlloi këtë person, sipas akt-ekspertimit ka dalë nga arma e Agim Llupos, gardist që po mbahet në masën e arrestit me burg.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›