E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritë makinës në Shijak, dy të vrarë e dy të plagosur

Vriten në pritë dy persona, ndërsa dy të tjerë plagosen rëndë. Ngjarja që tronditi qytetin e Shijakut ndodhi mbrëmë rreth orës 22:00 tek vendi i quajtur “4 rrugët e Shijakut”.Persona ende të paidentifikuar i kishin zënë pritë mjetit me të cilin po udhëtonin viktimat. Breshëria e plumbave i ka zënë ata në befasi pa asnjë mundësi manovrimi të mjetit apo kundërpërgjigje me armë. Sipas Policisë, Blerim Kërtalla dhe Mariglen Avdyli gjetën vdekjen gjatë rrugës për në spital, si pasojë e plumbave që kishin marrë në trup, ndërsa Altin Avdyli dhe Altin Brahimaj ndodhen në gjendje të rëndë, për shkak të plagëve të shumta. Viktimat kanë qenë në të njëjtin mjet, teksa janë vënë në shënjestër të plumbave. “Për shkak të plagëve të marra në trup, kanë vdekur gjatë transportit për në spital 20-vjeçari Mariglen Avdyli dhe Blerim Kërtalla, 30 vjeç, kurse dy të tjerët i janë nënshtruar operimit për disa orë”, bënë të ditur mbrëmë burime nga policia e Durrësit. Sipas mjekëve, viktimat kishin marrë disa plumba në trup, kryesisht në gjoks e në bark. Ngjarja vuri në lëvizje policinë e Durrësit dhe atë të Shijakut. Blutë mbërritën menjëherë në vend dhe vunë postblloqe të shumta, me qëllim kapjen e autorëve. Por deri në orët e vona, nuk kishte asnjë të arrestuar për krimin e rëndë. Burime të Policisë bënë të ditur se janë duke hetuar në disa pista. Paraprakisht, nga verifikimet e kryera rezultoi se njëri prej viktimave, i cili ka mundur t’i shpëtojë atentatit dhe ndodhet në Spitalin e Durrësit, është me precedentë penalë. Blutë për efekt hetimi nuk dhanë emrin e tij dhe as detaje në lidhje me precedentët e kryer, por paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë si motiv një hakmarrje të mundshme. Burimet shtuan se viktimat kanë qenë për shumë vite emigrantë, kryesisht në Itali dhe në Belgjikë. Larja e hesapeve për pazare droge apo konflikte të tjera të mundshme të tyre në këto shtete është një tjetër pistë në të cilën është përqendruar grupi i hetimit. Viktimat që u bënë objekt i krimit janë të moshës 28-35 vjeç. Vrasësit kanë pritur derisa mjeti është afruar dhe më pas kanë hapur zjarr. Sipas Policisë, atentati ka qenë i organizuar, duke hequr dyshimet se të vrarët dhe të plagosurit kanë qenë viktima të rastit. Të katër personat kanë qenë me Fuoristradë duke qarkulluar në rrugën nacionale Shijak-Durrës dhe në afërsi të “Katër Rrugëve”, pranë një karburanti janë qëlluar me arma automatike në një distancë jo shumë të largët. Të gjitha rrugët hyrëse e dalëse janë bllokuar nga patrulla policie, të cilat kanë ushtruar kontroll të rreptë për çdo mjet. Të plagosurit e viktimat janë transportuar për në Spitalin e Durrësit nga mjetet e tjera që kanë kaluar aty, menjëherë pas krimit të rëndë. Grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes disa gëzhoja dhe ka mundur deri diku të ndërtojë skenën e krimit të rëndë.

SHIJAK/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›