Dënohet banda e Pojanit, vrisnin e grabisnin me armë
Djemtë e bandës së Pojanit morën dje një dënim me burgim të përjetshëm, një tjetër me 25 vjet burg, ndërsa adoleshenti që bashkëpunoi me drejtësinë u dënua me 10 vjet. Në përfundim të seancave gjyqësore në Gjykatën e Korçës, trupi gjykues vendosi që Nerton Felaj, 25 vjeç, të vuajë burgimin e përjetshëm, 24-vjeçari Blerim Berberi 25 vite burg dhe 17-vjeçari M. Ropi 10 vjet burgim. Tre të rinjtë, banorë të fshatit Pojan, u gjykuan për veprën penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim me pasojë vdekjen, të bashkëfshatarit të tyre, 73- vjeçarit Nexhat Gega. Por, ndaj tyre rëndojnë edhe akuza të tjera për vjedhje me armë të kryera apo të mbetura në tentativë, krime të cilat u zbuluan pas arrestimit të tyre për vrasjen e të moshuarit dhe falë bashkëpunimit me Akuzën të adoleshentit. Ndonëse nga hetimi i kryer rezultoi se ishte pikërisht 17-vjeçari që qëlloi me armë Nexhat Gegën, ai, për efekt të bashkëpunimit, por edhe të moshës së mitur, u dënua më masën e mësipërme. Seanca e djeshme nuk kaloi pa tension për shkak të reagimeve të familjarëve të viktimës Nexhat Gega, sidomos kur u komunikua dënimi me 10 vjet burgim për të miturin M. Ropi. Reagimi i tyre mund të kishte precipituar me incident në sallën e gjyqit edhe për shkak të pranisë së familjarëve të të pandehurve. Të akuzuarit për vrasjen e 73-vjeçarit mbrëmjen e 25 marsit të vitit të kaluar, ndërsa ai ruante magazinën e tij, kërkuan mëshirë nga trupi gjykues. Ata pranua krimin me pasojë vdekjen e bashkëfshatarit të tyre. Por, ndaj tyre rëndojnë jo pak por, 20 akuza, më e rënda ajo e vjedhjes me armë në bashkëpunim me pasojë vdekje dhe të tjera për vjedhje me armë në bashkëpunim të kryera apo të mbetura në tentativë. Sipas prokurorisë, tre të rinjtë nga fshati Pojan ishin kthyer në tmerrin e udhëtarëve në rrugën Zvezdë-Liqenas. Ata u ngrinin prita dhe grabisnin udhëtarët që kalonin atje gjatë orëve të natës. Në procesin gjyqësor ndaj tyre rezultoi se ndaj 24-vjeçarit Blerim Berberi janë ngritur 9 akuza. Në bashkim të dënimeve, për të u vendos dënimi me 25 vjet heqje lirie. Ndërsa për 25-vjeçarin Nerton Felaj, 7 akuza. Në bashkim të dënimeve, për adoleshentin u vendos 10 vjet burg, ndonëse prokuroria kishte kërkuar 9 vjet vetëm për vrasjen. g.a