Fier, gjendet e vetëvarur në kasolle 18-vjeçarja
FIER – Një 18-vjeçare nga fshati Vlosh i rrethit të Fierit i dha fund jetës duke u vetëvarur. Sipas burimeve të Policisë, viktima Etleva Janko është gjetur e pajetë në një kasolle pranë banesës së saj. Ka qenë ora 19:15 e së martës kur familjarët e kanë gjetur 18-vjeçaren të vetëvarur në trarët e kasolles. Ata sinjalizuan menjëherë policinë e urgjencën, por ndonëse kanë tentuar ti japin ndihmën e parë, vajza nuk ka dhënë shenja jete. Sipas mjekëve, adoleshentja kishte humbur jetën përpara se të mbërrinte në spital, duke e bërë të pamundur edhe ndërhyrjen e tyre. Ndërsa burimet policore bënë të ditur se dyshohet se viktima kishte ndërruar jetë që në momentet kur është gjetur e vetëvarur nga të afërmit e saj. Nga hetimet paraprake të policisë mësohet se vetëvarja mund të ketë ardhur si pasojë e një depresioni. Por nuk përjashtohen as pista të tjera hetimi. Të afërmit e saj kanë dëshmuar për grupin hetimor se 18-vjeçarja ishte fejuar me një djalë nga një fshat i Lushnjës rreth një vit më parë. Sipas dëshmisë së tyre, mes çiftit nuk kishin vënë re mosmarrëveshje që mund të kishin ndikuar në vetëflijimin e viktimës. Sipas policisë, vajza kishte lënë një letër në vendin ku është vetëvarur. Ajo u kërkonte atyre që ta varrosnin pranë nënës së saj, e cila kishte vdekur 8 vjet më parë. m.r