E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy policë në pranga, vulosnin pasaportat e shqiptarëve në Greqi

GJIROKASTËR/ Ylli Hoxha dhe Brisilda Biraçi janë arrestuar ndërsa akuzohen për "shpërdorim detyre"


KAKAVIJË - Kanë thyer vizën e dhënë nga ambasada me qëndrimin jashtë afatit në vendin fqinj. Si rrjedhojë kanë gjetur një mënyrë për të mos iu djegur dokumentet e tyre e pikërisht duke dhënë para punonjësve të vendkalimit kufitar për t'i vulosur pasaportat me datën e duhur.


Dy efektivë të Policisë Kufitare në vendkalimin e Kakavijës janë arrestuar, pasi vulosnin pasaporta të shtetasve që nuk hynin realisht në Shqipëri nëpërmjet kësaj pike. Janë dashur hetimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që dy uniformat blu dhe sekseri i tyre të përfundonin në pranga.


Hetimet


Specialistët e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë marrë informacioneve në rrugë operative se shtetasi Spiro Çami, 35 vjeç, banor i fshatit Dervician, i punësuar pranë një agjencie udhëtimi në Kakavijë, grumbullonte pasaporta nga persona të interesuar, të cilët donin të merrnin vula hyrjeje për në Republikën e Shqipërisë nga punonjësit e policisë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës pa qenë të pranishëm.


Një gjë e tillë bëhej pasi këta persona kishin thyer vizën dhe u duhej vula në mënyrë që dokumentet e tyre të mos digjeshin dhe të ishin në rregull me ligjin.


Kështu, për të siguruar vulat e hyrjes në Shqipëri brenda afatit të caktuar, të interesuarit duhej të paguanin nga 600 - 800 euro. Këtë mësohet se e bënte shtetasi Çami me ndihmën e dy efektivëve të policisë kufitare.


Operacioni


Zëdhënësi për shtyp i policisë së Gjirokastrës, Genti Mullai, shprehet se mbi bazën e informacioneve të marra është regjistruar procedimi penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku për disa ditë rresht nga shërbimet e sipërpërmendura shtetasi Spiro Çami është mbajtur nën vëzhgim. "Pasditen e së shtunës, rreth orës 16.00, ky shtetas është arrestuar në flagrancë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë.


Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip "Benz" me targa greke INI 5097 të këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 (nëntë) pasaporta shqiptare, të cilat ishin të vulosura me vulë hyrjeje për në Republikën e Shqipërisë më datën 27.03.2010, gjatë orëve të mëngjesit, si dhe 1200 euro, 50 000 lekë të reja shqiptare dhe tre celularë me kartat SIM", ka bërë të ditur Mullai.


Ndërkaq, hetimet e mëtejshme kanë treguar se pasaportat e sekuestruara ishin vulosur nga dy prej efektivëve blu të policisë kufitare, Ylli Hoxha, 40 vjeç dhe Brisilda Biraçi, 24 vjeçe, të cilët janë arrestuar në flagrancë për veprën penale "shpërdorim detyre". Ndërsa mbi shtetasin Spiro Çami rëndojnë akuzat e "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit", si dhe "ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›