E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy premiera të Filarmonisë

Gjatë muajit maj, Filarmonia e Kosovës ka shënuar rekord, pasi që ka mbajtur pesë koncerte. Këtë e bëri të ditur, Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë, i cili njoftoi edhe për dy koncerte të tjera. Nga Albana S. Muja më 29 maj 2011 në ora 19:30

Në mesditën e së shtunës, Filarmonia e Kosovës, përmes një konference për media, njoftoi rreth dy premierave të koncerteve të Korit dhe Orkestrës. Premiera e parë e Korit, u shfaq mbrëmë nga ora 19:30, ndërsa koncerti i Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës do të jetë sot (e diel) në orën 20:00 në Sallën e kuqe. Të pranishëm për të folur rreth premierës së dy koncerteve të Korit dhe Orkestrës së Filarmonisë, ishin Rene Gulikers, dirigjent nga Holanda, Jouni Somero, pianist nga Finlanda, Rafet Rudi, dirigjent i Korit të Filarmonisë dhe Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës.
Me këtë rast, Baki Jashari tha se gjatë muajit maj filarmonia ka shënuar rekord me angazhime, duke numëruar kështu pesë koncerte.

“Është vërtetë për t’u lavdëruar puna e instrumentistëve dhe koristëve për këtë aktivitet të dendur”, theksoi Jashari.

Ai gjatë konferencës shtoi se në koncertin e orkestrës do të jenë dy mysafirë, dirigjenti Rene Gulikers nga Holanda dhe pianisti Jouni Somero nga Finlanda.

“Do të ketë vepra të Mendelsonit, Listz, por e veçantë është një vepër e një kompozitori holandez që interpretohet për herë të parë dhe është shumë atraktive”, tha ai.

Pianisti Jouni Somero tha që është i lumtur që është këtu, për dy arsyeje.

“E para është se më pëlqen të interpretoj vepër të Listz dhe e dyta është se njihem për së afërmi me Kosovën”, u shpreh pianisti finlandez, Somero.

Edhe Rene Gulikers, dirigjenti nga Holanda, u shpreh i lumtur për ardhjen e tij në Kosovë.

“Jam shumë i kënaqur nga përvoja ime këtu, mendoj se kam punuar me orkestrën për disa ditë dhe përshtypja ime është e mirë. Në program do të interpretohet edhe një vepër e kompozitorit nga vendi im dhe është kënaqësi”, tha Gulikers, duke pasur në mendje artistin që ka dal nga skena popullore dhe është ndërruar në muzikant klasik. Vepra e tij është shumë e veçantë me elemente bashkëkohore dhe me një përfundim shumë interesant.

Mbrëmë në orën 19:30, u mbajt koncerti i Korit, ndërsa sonte (e diel), do të jetë koncerti i Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës, e cila, midis tjerash, do të përmbajë veprat e Feliz Mendelssohn ‘Hebrides Overture’, Franz Liszt ‘Koncert për piano dhe orkestër nr. 1’ etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›