Dy protesta paralizojnë Ministrinë e Arsimit
Ministria e Arsimit është gjendur sot përpara dy protestave të mëdha të studentëve të Shkencave Sociale dhe Gazetarisë. Protestat ishin të ndara dhe të pakoordinuara, ndërkohë që kërkesat e studentëve nuk kanë marrë përgjigje nga zyrtarët e ministrisë. Studentët e Shkencave Sociale kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje për fakultetin e tyre, i cili është i pastrehë, për shkak të dëmtimit që ka pësuar ndërtesa e Juridikut pak muaj më parë. Ata deklaruan se nuk do të paguajnë tarifën prej 3 mijë lekësh që shërben për mirëmbajtjen e godinës, pasi këto para nuk shkojnë për ndërtesën e fakultetit të tyre.
Ndërkohë, pak minuta më vonë, një përfaqësi e studentëve të Gazetarisë kanë takuar zëvendësministren e Arsimit, znj. Adriana Gjonaj, ku i kanë komunikuar vendimin për të mos marrë diplomat e reja të përcaktuara nga MASH. Sipas tyre, këto diploma nuk kanë elemente sigurie, janë joserioze dhe kanë mungesa të mëdha, duke i kthyer në certifikata dhe të pavlefshme në tregun e punës. Studentët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës.
Gazetaria: S’morëm përgjigje
Pas takimit të zhvilluar mes studentëve të Gazetarisë dhe zëvendësministres së Arsimit, studentët u shprehën se nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete. Atyre u është thënë se kriteret e vendosura nga Ministria e Arsimit janë në bazë të Kartës së Bolonjës. Sakaq, një problem ligjor duket se ka lindur, sipas studentëve të Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës.
Ata i janë referuar ligjit të arsimit të lartë, i cili përcakton se ministria mund të udhëzojë parimet bazë të diplomës, por elementet e saj përcaktohen me vendim të senatit akademik të universitetit përkatës. Ndërkohë, në rastin konkret, në udhëzimin e ministrisë, ishte përcaktuar edhe pesha e fletës që nuk duhet të ishte më shumë se 200 gramë.
Ministria e Arsimit reagoi duke thënë se çdo gjë është sipas ligjit dhe sipas standardeve evropiane. “Theksojmë se kjo formë e emërtimit të diplomës sipas nivelit dhe fushës së studimit të kryer, krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës, në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë. Krahas diplomës, çdo student pajiset edhe me suplementin e diplomës, i cili jep hollësi për programin dhe nivelin e studimit të kryer, si dhe për mundësitë konkrete të punësimit”, – bëri të ditur MASH.
Si zgjidhje ndaj kësaj çështjeje, ministria ka propozuar jo ndryshimin e diplomës, por informimin e punëdhënësve që diploma ka të njëjtën vlerë. “Në vazhdim të këtij informimi, MASH do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë për shpërndarjen e këtij informacioni kategorive të ndryshme të punëdhënësve publikë dhe privatë”, – informon MASH. Kjo masë është kundërshtuar nga studentët. Sipas tyre, të informosh punëdhënësin kur shumë thjesht mund të ndryshosh formatin e diplomës është një veprim i kotë dhe i pavlerë.
Sipas studentëve, një vit më parë, me të njëjtin proces studimi, të diplomuarit kanë marrë tituj, njësoj sikurse e kanë marrë edhe studentët me ciklin katërvjeçar. Ndërkohë, në krah të tyre është pozicionuar edhe rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Dr. Dhori Kule, i cili është shprehur se ministria ka tejkaluar kompetencat me përcaktimin e diplomave dhe se studentët, ndonëse kanë të drejtë, duhet t’i drejtohen ministrisë për të gjetur një zgjidhje.
Shkencat: Duam godinë
Protesta e dytë që u zhvillua përpara Ministrisë së Arsimit rreth mesditës së djeshme, kishte të bënte me ankesën e vazhdueshme të studentëve të Shkencave Sociale, të cilët kanë mbetur pa ndërtesë, prej krisjes së godinës së Juridikut. Ata kanë deklaruar se nuk do të paguajnë taksën e mirëmbajtjes së shkollës, pasi ata nuk kanë një ndërtesë dhe deri sa të gjendet zgjidhja, janë të detyruar të gjejnë “strehim” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
“Ne nuk do të paguajmë taksën. Të gjithë studentët janë në protestë, por pedagogët nuk na mbështesin në kërkesat tona. Ne do të protestojmë derisa kërkesat tona të merren parasysh”, - tha Sokol Ahmati, student i vitit të dytë. “Ne zhvillojmë mësim në kushte mizerable, sa në një ndërtesë në një tjetër”.
Studentët janë shprehur se për shkak të gjendjes së krijuar në universitete, si pasojë e indiferencës së shtetit, mësimi i tyre zhvillohet gjatë orëve të mbrëmjes dhe i shpërndarë në disa godina. Me protestën e tyre, studentët kërkojnë sensibilizimin e ministrit të Arsimit, që të marrë një vendin për kushtet në të cilat ata ndodhen. Por, në të dyja rastet ata nuk kanë marrë përgjigje pozitive nga zyrtarët e ministrisë.
Master
Gati, programet e Ekonomikut
Programet Master për Shkollën Pasuniversitare të Ekonomikut do të miratohen së shpejti. Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se është duke shqyrtuar tarifat vjetore të programeve Master dhe më pas projekt-propozimet do të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave. Shkolla e Masterave të Ekonomikut ka dorëzuar në MASH propozimet e saj për rreth 288 vende.
Nëntëvjeçaret
MASH: Do ristrukturohen kurrikulat
Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon për strukturimin e programeve mësimore për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Në kuadër të reformave të ndërmarra në arsimin bazë, ministria do t’i orientojë nxënësit drejt prirjeve që ata kanë me anë të grupimit të lëndëve. Sipas MASH, nxënësit e arsimit bazë do të kenë një grup lëndësh të detyrueshme dhe një grup tjetër lëndësh me zgjedhje, me të cilat do të thellojnë njohuritë në një fushë të caktuar. Për strukturimin e programeve mësimore, MASH ka përgatitur një draft, i cili detajon të gjitha ndryshimet që do të pësojë ky sistem arsimor. Kjo formulë e re, sipas MASH, është tashmë në fazën përfundimtare dhe drafti do t'u shkojë për konsulencë edhe drejtuesve të shkollave e grupeve të interesit.