E Diel, 1 Nëntor 2026

I refuzohet lirimi nga burgu, arratiset Petrit Çakrri



Shfrytëzon lejen e dhënë në mirëbesim nga drejtuesit e burgut të Shënkollit, arratiset Petrit Çakrri, një nga dëshmitarët në gjyqin e vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Arratia e tij u bë publike, pasi kaloi ora për t’u kthyer sërish në ambientet e burgut, ku pritej të përfundonte masën e ngelur të dënimit prej 1 viti e 4 muaj burg. Por, arratinë do e konfirmonte publikisht edhe vetë Çakrri përmes një interviste televizive me telefon, ku do të deklaronte arsyet e ndërmarrjes së një hapi të tillë, vendin ku ndodhej dhe çfarë synonte të arrinte. Sipas deklarimeve të tij, Çakrri deklaronte se i ka dhënë liri vetes, pasi drejtësia nuk po e bënte, duke e mbajtur në burg dhe pse kishte mbaruar dënimin e tij. “Jam arratisur në orën 12 dhe nuk dorëzohem gjallë, se e kam mbaruar burgun”, - ka thënë Cakrri, gjatë intervistës dhënë për “News 24”. Madje, Çakrri ka dhënë edhe koordinata për vendndodhjen e tij, duke deklaruar se ndodhet në Malin e Zi dhe me destinacion Kroacinë ose Slloveninë. Gjithashtu, në këtë lidhje telefonike, Çakrri ka pohuar se i kërkon ndjesë drejtorit të burgut të Shënkollit për problemet që i shkaktoi, dhe ka theksuar se mbahet padrejtësisht në burg nga ana e gjykatës. Ndërkohë policia verifikoi dje edhe banesën e Petrit Çakrrit. Një fakt i tillë, ai i arratisë së këtij të dënuari, konfirmohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila menjëherë ka kontaktuar Policinë e Shtetit, duke kërkuar shpalljen në kërkim të këtij shtetasi. Sipas burimeve zyrtare nga burgjet, 38-vjeçarit nga Gugaj i Tropojës i kishte mbetur edhe 1 vit e 4 muaj burg për të vuajtur. Çakrri deklaroi se e mori vendimin e arratisë, pasi gjykata nuk pranoi dy ditë më parë kërkesën e tij për ndryshim mase arresti.

Arratia

Ka qenë ora 15:00 kur i dënuari Petrit Çakrri kishte orarin për t’u kthyer në ambientet e burgut të Shënkollit për të vuajtur kohën e dënimit të mbetur. Por, ai nuk i zbatoi oraret dhe menjëherë nga autoritetet e burgut u vu në dijeni kreu i Drejtorisë së Burgjeve, Gazmend Dibra. Por, paralelisht me njoftimin për arratinë e Cakrrit në institucionet kompetente, ky i fundit do ta njoftonte edhe vetë një akt të tillë të ndërmarrë prej tij, përmes televizionit “News 24”. Ai ka njoftuar arratinë dhe arsyet që u detyruan të ndërmarrë një veprim të tillë. Sipas tij, detyrimet me drejtësinë i kishte mbaruar dhe duhej të ishte liruar. Mirëpo, nga burgjet vjen lajmi se 38-vjeçarit i kishte mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 4 muaj burg. Kjo është masa e dënimit që kishte marrë nga gjykata për veprën penale të mashtrimit, në kushtet e burgut ndaj të dënuarit tjetër me 20 vjet burg, Fatmir Kallashi. Ndërkohë që vendimin e parë me 6 vjet burg për veprat penale të “vjedhjes me dhunë” dhe “armëmbajtjes pa leje” parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal, me 6 vjet heqje lirie, e ka përfunduar më datë 15 maj të vitit 2006. Por, gjatë kohës që ishte duke vuajtur dënimin e parë, më datë 3 mars 2006 është dënuar për një tjetër vepër penale me 6 vjet heqje lirie për veprën e mashtrimit parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal. Këtë dënim po e kryente në burgun e Lezhës. Sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit, rezulton se i dënuari duhet të vuajë edhe 1 vit e 4 muaj heqje lirie, pavarësisht pretendimeve të tij për përfundim të dënimit.

Leja

Lidhur me lejen e dhënë për këtë shtetas, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë të ditur se “sipas dispozitave të ligjit në fuqi “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve” nr. 8328 dhe Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, duke plotësuar disa kritere ligjore të dënuarit, mund të përfitojnë leje shpërblyese”. I dënuari Çakrri, sipas burimeve zyrtare, përveç rastit konkret ka përfituar edhe herë të tjera leje dhe është kthyer brenda afatit të caktuar. Për vitin 2009, të dënuarit Çakrri iu dha leje në datën 15 janar 2009 ora 13:00 deri në datë 22 janar 2009 ora 15:00. “I dënuari nuk është kthyer në afatin e caktuar, duke shkelur dispozita ligjore të largimit të burgosurit nga vendi i qëndrimit. Për këtë arsye, i dënuari në bazë të nenit 323/1 të Kodit Penal mund të dënohet deri në 5 vjet heqje lirie. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar Policinë e Shtetit për shpalljen në kërkim të shtetasit Petrit Ramiz Çakrri”, - përfundon njoftimi i burgjeve. Edhe drejtori i Policisë së Burgjeve, Shpëtim Baci, ka deklaruar se leja ka qenë normale dhe se Petrit Çakrrit iu dha leje 7-ditore edhe në nëntor të vitit të kaluar dhe e ka respektuar. Leja iu dha, sipas Bacit, bazuar në dispozitën ligjore dhe falë kritereve, Çakrri e përfitonte.

Kërkesa

Në muajt e fundit të vitit të kaluar, Petrit Cakrri ka depozituar një kërkesë në Gjykatën e Tiranës, ku kërkonte “shuarje të masës së sigurimit”. Seanca ishte caktuar për ditën e djeshme, në orën 14:00. Gjatë seancës u vendos të rrëzohej kërkesa e Cakrrit, duke mos u pranuar ndryshimi i masës së sigurisë. Edhe më parë, ky i dënuar i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të përfituar ulje dënimi apo amnisti, por kërkesat e tij nuk janë pranuar, duke qenë një përsëritës i veprave penale.

Mashtrimi

Petrit Çakrri e mori dënimin e dytë, përkatësisht 6 vjet burg për veprën penale të mashtrimit në burgun 302, pasi përmes kunatit të tij, Besnik Sula, i mori 20 mijë USD të dënuarit me 20 vjet burg Petrit Kallashi, me premtimin se do ta nxirrte nga burgu. Sipas burimeve zyrtare të burgut, mësohet se i ka grabitur me anë të mashtrimit 20 mijë dollarë të dënuarit me 20 vjet heqje lirie, Fatmir Kallashi. Ky i fundit, sipas të njëjtave burimeve, ka qenë në të njëjtën dhomë me Petrit Çakrrin, në burgun “Mine Peza” (302). Duke luajtur brenda qelisë, dy të pandehurit, Çakrri dhe Kallashi, në bisedë e sipër i ka premtuar se do ta lironte nga burgu Kallashin, nëse do të paguante shumën prej 20 mijë dollarësh. Fatmir Kallashi ka pranuar të bashkëpunojë me Çakrrin, në këmbim të lirisë së shumëkërkuar. Ai i ka thënë bashkëshortes të dorëzojë tek Besnik Sulaj 20 mijë dollarë e më pas të presë rezultatin e bisedimeve me prokurorët ose gjyqtarët. Besnik Sulaj, kunati i Çakrrit ka marrë paratë dhe nuk është bërë i gjallë, edhe pse nga policia e shpalli në kërkim. Ndërkohë që gjatë vuajtjes së këtij dënimi, Çakrri i kishte dërguar letër Avokatit të Popullit, duke kërkuar pafajësi, por pa mundur ta fitonte dot. Ndërkohë që ai kishte hyrë edhe në grevë urie, duke kërkuar nga ana e gjykatës që të lirohej nga burgu, pasi sipas Çakrrit, është një akuzë e montuar.

Kush ishte Petrit Çakrri dhe dëshmia e dhënë për vrasjen e Azem Hajdarit

Petrit Çakrri njihet si një ndër dëshmitarët kryesorë në procesin kundër të pandehurve që janë dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit. Po çfarë tha Cakrri për vrasjen e deputetit të njohur, vrasja e të cilët është një nga më të bujshmet. “Në momentin e vrasjes së Azem Hajdarit kam qenë i ulur vetëm 4 metra larg ngjarjes, në lokalin që atëherë quhet "Hanover" që ndodhej në krah të ish-hotel “Drinit”. Pashë Azem Hajdarin të dilte i veshur me pardesynë e bardhë dhe pas tij truprojat Zenel Neza dhe Besim Çerja. Pasi u afrua në vendin ku isha ulur, pashë që drejt tij në takim po lëvizte Izet Haxhia. U takuan dhe shkëmbyen pak fjalë. Ndërkohë pashë dyert e makinave që ishin të parkuara aty pranë të hapeshin dhe prej andej të dilnin "cubat e Tropojës", Fatmir Haklaj, Jaho Salihi dhe krutani Naim Çangu, të cilin e kishin mik dhe në Bajram-Curri e prisnin si të ishte Berluskoni. Gjithçka nuk zgjati më shumë se 2 minuta. Ndodhi një zënkë dhe kërcitën armët. Unë isha nga të parët që u afrova tek trupat pa jetë. I ktheva mbrapsht dhe i pashë nëse ndokush ishte gjallë dhe kishte nevojë për ndihmë. Në këtë moment mbërriti Sali Lusha. I nisëm të gjithë për në spital”. Të nesërmen, sipas tij, ai i deklaroi këto tek ish-shefi të Antiterrorit në Ministrinë e Rendit, Sokol Bizhga.

Çakrri: U arratisa, pasi nuk mund të rrija padrejtësisht në burg

Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës një ditë më parë, ku iu rrëzua kërkesa për ndryshim mase sigurie, Petrit Çakrri vendos të largohet nga Shqipëria, duke mos u kthyer më në burgun e Shënkollit, nga ku ishte liruar me leje shpërblyese 7-ditore. Për këtë arsye, ai vendos të largohet drejt Malit të Zi, të paktën ashtu sikundër deklaron në intervistën e dhënë për televizionin “News 24” përmes linjës telefonike. Ai akuzon drejtësinë se e mbajti pafundësisht në burg dhe për akuza të montuara.

Kur u larguat nga burg?

Kam qenë me leje shpërblyese që nga data 15 janar në orën 12:00 deri sot në orën 13:00. Vuaj një dënim për mashtrim në burgun 302. Por ky dënim ka përfunduar me një vendim të Gjykatës së Tiranës që mban numrin 876, të datës 3.11.2008, vendim që mua më liron nga burgu. Por, ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit në Tiranë nga prokurori. Për këtë kam kërkuar ndryshim të masës së arrestit po në Gjykatën e Tiranës. Dje isha duke pritur vendimin në gjykatë, në orën 14:00, por kërkesa ime nuk u pranua. Burgun e kam mbaruar dhe nuk kthehem më.

Ku ndodhesh?

Ndodhem në Mal të Zi, 300 km në brendësi, afër kufirit slloven. Jam gati gjysmë ore larg kufirit slloven.

Si u arratisët?

Vendimin e mora pas përfundimit të gjyqit dje në Gjykatën e Tiranës, ku nuk u pranua kërkesa ime për ndryshim mase arresti. Jam në burg që prej vitit 2001, nuk mund të rri padrejtësisht në burg për shkak të mafies në sistemin gjyqësor. Mafia në drejtësi më mbajti në burg. I kërkoj ndjesë drejtorit të burgut, Valentin Miri, për problemet që i shkaktova, por nuk mund të rrija më në burg.

Prej sa kohësh qëndron në burg?

Kam 8 vjet e gjysmë vjet në burg.

Për çfarë jeni dënuar?

Për disa vepra penale të montuara. Jam akuzuar për disa vepra penale të montuara dhe nuk mund të rri padrejtësisht në burg.

Çfarë kërkoni nga drejtësia shqiptare?

Nuk kam mundësi të rri padrejtësisht në burg se u do qejfi të tjerëve. Gjykata nuk më dha drejtësinë që më takonte, që të lirohesha.

Si u larguat, hasët vështirësi?

Isha i lirë me leje shpërblyese. Kur gjykata nuk pranoi kërkesën time dhe vendosi të rrija akoma në burg, atëherë vendosa të largohesha. E thashë që nuk mund të rrija pafundësisht në burg. Mafia që sundon në sistemin gjyqësor më mban në burg padrejtësisht.

Ku do shkoni?

Do qëndroj ku të ketë vend, vetëm të mos përmendet emri Shqipëri fare. Po njolloset emri i Shqipërisë nga drejtësia shqiptare.

Ku ndodhet familja juaj?

S’kam familje, burgu ma shkatërroi. Duke më mbajtur në burg pafundësisht, më kanë shkatërruar familjen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›