Dy rrëfime dashurie në TV austriake
Filmi do të transmetohet më këto data në televizion dhe njëkohësisht online: e diel, 8 prill, në ora 17:52; e shtunë,14 prill, në ora 01:37; e diel, 22 prill, në ora 23:42.
Filmi i shpërblyer me pesë çmime në festivale shqiptare dhe ndërkombëtare tashmë është shfaqur në Gjermani, Holandë, Austri, Rumani, Turqi, Australi, Itali dhe Poloni.
Në film, një vizitë tek dy familje rome në Kosovë e hap botën paralele të shoqërisë kosovare në margjina, por dhe asaj qendrore. Pamje nga rrethi i jetës, dashurisë, punës dhe humbjes, gërshetohen për të treguar rrëfime krejtësisht të ndryshme.
Pothuajse pa vërejtur, shikuesi hyn në jetët e këtyre njerëzve, i shtyrë të zbulojë sa më shumë rreth tyre. Ngjyra dhe pamjet, në mënyrë shumë të qetë por njëkohësisht shumë të drejtpërdrejtë, e përçojnë një llojllojshmëri emocionesh e disponimesh; prej atyre që janë të hareshme e plot dritë, deri te ato të errëta e të pashpresë.
Ekipi i filmit përbëhet nga Shota Bukoshi, regjisore, Gazmend Bajri, kamera dhe montazhi, Pëllumb Ballata, zëri, ndërsa muzika është bërë nga Ilir Bajri.