E Diel, 1 Nëntor 2026

Futbollisti i dehur i Kolnit kaloi natën në polici

Duket se nuk kanë fund ngjarjet kaotike në Koln. Skuadra nga Bundesliga gjatë gjithë sezonit ka hasur në probleme me disiplinën e futbollistëve, kurse për incidentin e fundit është përkujdesur mesfushori Slawomir Peszko.

Pas ndeshjes kundër Werder Bremenit të shtunën (1:1), Peszko vendosi të dëfrehet në një klub nate në Dusseldorf. Sigurisht, kishte pirë pak më tepër e më pas në shoqëri të një miku kishte marrë një taksi.

Por, menjëherë pas nisjes, Peszko kishte filluar të shkaktonte problem në veturë, kurse vozitësit iu kujtua një ide e shkëlqyeshme, që futbollistin agresiv në vend të adresës së kërkuar ta dërgojë në stacionin policor. Peszko nuk u qetësua as atje dhe përfundoi në mbajtje deri në mëngjes.

Sipas medieve gjermane, trajneri Stale Solbakken thuhet se nuk do ta falë mesfushorin, i cili duket se ka përfunduar karrierën e tij në Koln. Fillimisht do të paguajë gjobë prej 25 mijë eurosh e më pas pritet t’i shkëputet kontrata.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›