Dy shfaqje intriguese
Drama e Ridvan Dibrës, “Ne të Birt e Shekullit të Ri”, u interpretua mirë dhe arsyeshëm nga aktorët Mirsad Ferati dhe Leonora Hasani, të teatrit profesionist të qytetit të Mitrovicës, sipas regjisë së Ben Apollonit.
Në konceptin e saj ideo-filozofik drama barti historinë e një çifti bashkëshortor në rrethana paqartësie e pasigurie mes dy brezave - një baba i vdekur fizikisht, por i gjallë klinikisht, i cili pengon rrugëtimin e çarçafit bashkëshortor dhe horizontet e prirjeve profesionale të çiftit. Është, pra, kjo një përballje e brezit të ri - ‘të birve të këtij shekulli’ - me mentalitetin e vjetër (i cili ende beson në fotografi fetare), derisa tentohet t’i ndërrohet imazhi dhomës duke i ndaluar supën jetësore babait, për t’i dhënë kështu një dimension të ri konceptit të të jetuarit.
Shfaqja u realizua mirë, regjisura dhe interpretimi ishin profesional.
Mirëpo, mrekullia e mbrëmjes doli të jetë performimi i teatrit rumun, respektivisht njëra nga gjetjet më teatrore në kuptim dramaturgjik, regjisorial dhe interpretues.
Shfaqja “The Water of Havel”, e autorit Matei Visniec, në regji të Vadas Lasszlo’s, dhe me lojën mjeshtërore të aktorëve Romul Morutna dhe Irina Melnic - një aktrim ky që lancohej si model mase dhe përkushtimi – si dhe disiplina e kontrolluar e pashijuar ndonjëherë në një masë kaq organike. Ky aktrim, bashkë me gjestin, pantomimën, grimasat, marrëdhënien, harmoninë në partneritet, thellësinë psikologjike, gjetjet e shumta regjisoriale në raport me rekuizitat dhe lojën me to, qasjen mizanskenike brenda një dinamike të theksuar, u shfrytëzuan me shumë përkushtim dhe angazhim në rrjedhën dramatike.
Revolja si gjetje për lojën ku do të shprehej botërisht revolta kundër saj, bashkë me emrat si Hemingway, Cami, Caligula, Jules Cesar - të cilët përkonin me rrjedhën e dramës, dhe me suvenirët (peshqeshet e ruajtura në kuti të bardha) të përdoruara si karrem, shpalosën një dramë të zezë, përkatësisht, konceptin dramaturgjik të personazheve, që nga fëmijëria e tyre e deri në vdekjen solemne me gotë shampanje.
Gjithsesi, kjo do të ngelet një nga shfaqjet që do të shënojnë kthesë kualitative artistike në këtë garë teatrore.