Dy shpërthime në Kabul, 6 të vrarë

Të paktën gjashtë persona janë vrarë nga dy shpërthime, që e kanë tronditur kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.
Ky sulm u bë mbrëmë vonë, disa orë pasi presidenti amerikan, Barak Obama, u largua nga Afganistani.
Përgjegjësinë për këto sulme e kanë marrë talibanët, që thanë se ato ishin përgjigje për vizitën e Obamës.
Zëdhënësi i ministrisë së brendshme afgane, Sedik Sediki, tha se sulmi vetëvrasës me veturë ndodhi afër kompleksit që shfrytëzohet edhe nga Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Është raportuar edhe për të shtëna me armë zjarri ndërsa sipas një zyrtari të lartë të policisë së Kabulit janë vrarë një roje dhe pesë civilë.