Qarku i Beratit nxjerr 5 deputetë socialistë
BERAT - Socialistët beratas nuk kanë pritur sa të dalin përfundimet e numërimit të votave, por e kanë festuar para kohe sipas tyre fitoren. Të dhënat e fundit flasin se në mbyllje të 298 qendrave të votimit, PS ka fituar 5 nga 8 mandate, PS 2 dhe LSI 1 mandat. Gjatë gjithë ditës, që nga nisja e më pas vazhdimi i numërimit të kutive të para ka nxjerrë në avantazh Partinë Socialiste. Ndërkohë, numërimi ka vazhduar deri në mbrëmjen e djeshme, pa nxjerrë ende ndonjë rezultat përfundimtar, i cili mendohet të dalë vetëm ditën e sotme, me mbylljen e kutive të fundit. Edhe pse ishin mbaruar afatet ligjore të numërimit të votave në KZAZ-në e Beratit, numërimi i votave ka vazhduar ngadalë. Drejtuesit e komisioneve të forcave politike janë justifikuar se janë të lodhur nga kohëzgjatja e punës për numërimin e votave. Procesi i numërimit ka vazhduar i qetë gjatë ditës, pa ndonjë incident, kjo falë dhe akordimit të punës mes përfaqësuesve të partive politike. Nga ora 07:00, kur ka nisur zyrtarisht procesi dhe hap pas hapi ka rezultuar se avantazhi i përkiste votave të Partisë Socialiste kundrejt atyre të forcave të tjera, duke ia lënë radhën Partisë Demokratikë, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane. Rreth orës 15:00, PS kryesonte me 48.8% përballë 27.5% të votave të PD-së. Dy orë më vonë, PS kryesonte me një numër të ngushtë votash, me vetëm 10 të tilla, ndërsa po i afrohej PD dhe LSI. Në orët e mbrëmjes situata ishte sërish në favor të socialistëve. Rreth orës 20:45, rezultati ishte thelluar mes dy forcave kryesore. Nga 298 qendra votimi ishin numëruar 231 të tilla, prej të cilave rezulton se PS kishte arritur 48 për qind të votave, PD 26.2 për qind, ndërsa LSI 11.7 për qind. Çdo qendër votimi ka ndikuar në rezultat, duke afruar ose larguar votat e partive nga njëra-tjetra. Qarku i Beratit do të nxjerrë 8 deputetë dhe rezultati përfundimtar do të përcaktojë dhe forcat politike së cilës i përkasin. Ashtu si në Berat dhe në Kuçovë dhe Urën Vajgurore, numërimi i votave favorizonte PS-në. Ndryshe nga numërimi në Berat, në Kuçovë ai ishte më i shpejtë, por sërish pa mundur të përfundojë. Rreth mesditës, PS kryesonte me 1826 vota më shumë se Partia Demokratike ndërsa në qendrën e Urës Vajgurore, PS kryesonte me 3580 vota më shumë nga PD. Përparësi socialistët ka pasur dhe qytetet e Poliçanit dhe Skraparit. Votimet në të gjithë Qarkun e Beratit u zhvilluan të qeta, pa ndonjë incident të rëndë, ashtu si në të gjithë vendin. d.xh
qarku BERAT
Alenca e Ndryshimit
PD 18996 vota
PR 3686 vota
PAA 93 vota
PDI 77 vota
PAD 148 vota
BLD 211 vota
PLL 71 vota
AMIE 14 vota
PADS 13 vota
PBK 28 vota
Bashkimi per Ndryshim
PS 35187 vota
PSD 822 vota
PDS 728 vota
PBDNJ 117 vota
G99 3023 vota
Aleanca Soc. për Integrim
LSI 8083 vota
PSV 233 vota
273 qendra nga 298 gjithsej