Dy shqiptarë në gjyq në Londër të akuzuar si vrasës me pagesë
LONDER – Dy shqiptarë dolën para një gjykate angleze me akuzën se ishin punësuar nga një biznesmen grek për të kryer vrasjen e 57-vjeçarit Charalambos Christodoulides nga Qipro, i cili u gjet i vdekur në një karrige në bodrumin ku jetonte. Thanos Papalexis, 36 vjeç, dyshohet se ka punësuar dy shqiptarët Ylli Xhelo dhe Robert Baxhia, të cilët në vitin 2000 kanë lidhur viktimën Christodoulides në një karrige, i kanë vënë një mbulesë në kokë dhe e kanë qëlluar për vdekje. Mjekët ligjorë gjetën shenja torturash në trupin e viktimës. I vrari jetonte në një magazinë në Kilburn. Ai kishte një proces gjyqësor për vendin ku banonte, por kishte refuzuar të linte shtëpinë, ndërsa biznesmeni grek Papalexis besohet se ka dashur të vrasë 57-vjeçarin në mënyrë që më pas t’i marrë shtëpinë. Marrëveshja gjithsesi nuk përfundoi pasi vetë biznesmeni grek nuk mundi të nënshkruante derisa pronari i shtëpisë u gjet i vdekur. Biznesmeni grek Papalexis sipas një dëshmitari në gjyq, ka qenë në ankth që të merrte magazinën ku jetonte viktima 57 vjeç, me qëllim që të vazhdonte aktivitetin e tij të biznesit në atë ambient pasi sipërmarrjet e tij po pësonin humbje. “Biznesmeni grek kishte disa persona, 3 ose 4 që i qëndronin gjithnjë pranë si truproja”, i tha gjykatës një dëshmitar. Sipas tij, “ata rrinin të veshur me rroba të errëta dhe me syze dielli, ndërsa bënin përshtypje sikur ishin pjesë e mafies. Viktima e vrasjes, Christodoulides ishte zhdukur për dy ditë para se në mars 2000 policia të kontrollonte magazinën ku e zbuloi viktimën të gjakosur. Dy shqiptarët e punësuar për vrasjen ishin dëbuar njëherë nga Britania para se të kuptohej se kishin bërë vrasjen. Ata u kthyen përsëri në Angli dhe me këtë rast u arrestuan nga policia në mars 2008. Biznesmeni grek që kishte punësuar shqiptarët u arrestua dhe u ekstradua, por tha se nuk kishte lidhje me vrasjen e 57-vjeçarit.