“Vrasja e Xhindit, jo politike”
“Ka vetëm një pistë për vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me politikën apo detyrën e tij”. Ahmet Prençi, kreu i policisë së Shtetit sqaroi mbrëmë në emisionin “Ora e Debatit” në televizionin “Ora News” se lidhur me zbardhjen e ngjarjes më të rëndë kriminale të këtij viti ishin angazhuar efektivët më të mirë të Policisë Kriminale, të cilët bashkërendonin punën në mënyrë të përkryer me prokurorinë. Duke pohuar se nuk donte të jepte mesazhe për autorët e krimit, Prençi edhe pas këmbënguljes së katër gazetarëve, drejtuesit të emisionit Alfred Peza, nuk preferoi të jepte asnjë informacion më tepër. Gjithashtu, kreu i Policisë së Shtetit nuk pranoi të komentonte as pistën e ekzekutimit të deputetit mbrëmjen e 2 majit për probleme pronësie. I pyetur për bashkëpunimin mes prokurorisë dhe policisë për këtë çështje kryepolici hodhi poshtë zërat për kryerjen e hetimeve paralele, duke pretenduar se vartësit e tij çdo tre ditë diskutonin dhe koordinonin veprimet me ekspertët e prokurorisë që ndodheshin në vendngjarje. Gjithashtu, Prençi tha se familjarët e të ndjerit kishin bashkëpunuar me policinë dhe grupin hetimor, ndërsa ishin informuar prej tyre për rrethana të ngjarjes dhe shkaqe të mundshme të saj. Po kështu, Prençi dhe dy zëvendësit e tij, Rasim Boriçi dhe Pëllumb Nako, të pranishëm në emision, u pyetën edhe për moszbardhjen e atentatit ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni tre muaj më parë. Ndërkohë, tre zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit përmendën edhe arrestimin e oficerit të Policisë Kufitare Altin Murra në periferi të Stambollit në tentativë për të trafikuar 200 kilogramë heroinë. Krerët e policisë pranuan faktin se nuk kishin pasur informacion paraprak për veprimtarinë e paligjshme të punonjësit të policisë, por sapo kishin marrë njoftimin ata kishin kryer procedurat e duhura për përjashtimin nga radhët e policisë të Murrës dhe pezullimin e eprorit të tij, derisa të sqarohet pozicioni i tij në lidhje me zgjatjen e lejes së kërkuar nga vartësi edhe me tre ditë të tjera. Duke folur me shifra Prençi pohoi se vitin e kaluar ishin vënë në pranga plot 14 efektivë të Policisë së Shtetit. Më tej, krerët e shtetit u pyetën nga paneli i gazetarëve në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj grave të verbra gjatë një proteste të tyre pak javë më parë, akt të cilin e dënuan ashpër, ndërsa pohuan se menjëherë pas identifikimit policia e kishte shoqëruar në komisariat autorin e kësaj ngjarjeje. Sipas krerëve të policisë, gardistët e pranishëm në vendngjarje duhet të ndërhynin gjatë kohës që biznesmeni i furrave të bukës ushtroi dhunë ndaj gruas së verbër.