USAID qeverisë: Luftoni korrupsionin
Është zhvilluar dje ceremonia e hapjes së Zyrave Qendrore të Qendrës Kombëtare të Licencimit. “Do të reduktohet koha e harxhuar dhe radhët e gjata që e kanë penguar biznesin të aplikojë dhe të licencohet. Përshpejtimi i procesit të licencimit dhe bërja e tij më transparente do të reduktojë korrupsionin edhe gjatë procesit të aplikimit’, u shpreh Drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney. Ky vlerësim ishte për rastin e licencave, ndërsa në përgjithësi për luftën kundër korrupsionit, pritet shumë më shumë. “Tashmë si anëtarë me të drejta të plota në NATO, Shqipërisë do t’i kërkohet një punë më e mirë në kontrollin korrupsionit, i cili mbetet ende një problem serioz. NATO pret nga anëtarët e saj një qeverisje më të mirë për të ndëshkuar korrupsionin në mënyrë e drejtë dhe të paanshme”, u shpreh Mahoney. Në përurimin e saj mori pjesë dhe Kryeministri Berisha, i cili si përgjigje të deklaratave të zyrtares amerikane tha, “Lufta kundër korrupsionit ka marrë një përgjigje të fortë gjatë këtyre katër viteve dhe se përurimi i QKL është një përgjigje e merituar në këtë fushë, ku korrupsioni ekziston ende. Qendra kombëtare e licencave do të mundësojë dhënien e lejeve dhe licencave për biznesin brenda një dite, duke synuar kështu eliminimin e burokracive dhe korrupsionit në këtë fushë.