E Shtunë, 31 Tetor 2026

I riu peng për 200 mijë lekë borxh

 

TIRANE - Një adoleshent është mbajtur peng për një orë e gjysmë në Yzberisht të Tiranës, për 200 mijë lekë të vjetra që i kishte borxh një bashkëmoshatarit të tij. Për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim 21-vjeçarin Endrit Avdia, banues në lagjen “Misto Mame”, në kryeqytet, i cili dyshohet se është autor i heqjes së lirisë së Oral Dakushit. Ky i fundit pasi është liruar nga Avdia, është drejtuar në Komisariatin Nr.6, ku ka denoncuar personin që sipas tij e ka mbajtur peng për një orë e gjysmë, në një tunel në afërsi të Yzberishtit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës dhe dy orë më pas është njoftuar policia. Burime nga policia thanë se gjatë deklarimeve të tij, 19-vjeçari Dakushi, ka treguar se personi që i ka hequr lirinë, e ka hipur me forcë në një motor, më pas e ka rrahur, duke i kërkuar me ngulm paratë. Duke qenë se ai nuk kishte para me vete, Avdia i ka marrë celularin, duke i thënë se do ia kthente vetëm në momentin, që ai do i kthente kushëririt të tij paratë që i kishte borxh. Sipas deklarimeve të Dakushit në polici, disa javë më parë ai i kishte marrë 200 mijë lekë të vjetra borxh, Vali Avdisë, kushëririt të autorit të ngjarjes. Këto para nuk ia kishte kthyer ende dhe sipas tij ky ka qenë motivi që ai është mbajtur peng. Ndërkohë policia ka identifikuar autorin e ngjarjes, por nuk ka mundur të zbulojë vendndodhjen e tij. Efektivat e policisë së Tiranës, kanë kontrolluar banesën e tij në lagjen “Misto Mame”, por sipas familjarëve, 21-vjeçari Avdia prej 3 ditësh nuk kishte shkuar në shtëpi. Ata janë shprehur se nuk dinin asgjë për vendndodhjen e djalit të tyre, madje nuk kishin dijeni as për ngjarjen që ai akuzohej. Ndërkohë policia po punon edhe për shoqërimin e Vali Avdisë, kushëririt të autorit të ngjarjes, i cili sipas policisë mund të japë më shumë shpjegime rreth ngjarjes. Ndërkohë, deri në orët e vona të mbrëmshme Endrit Avdia nuk është kapur nga policia, duke u bërë shpallja e tij në kërkim, me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë së tjetrit dhe plagosje të lehtë me dashje.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›