Kompensimi, AKKP hap procesin për ndarjen e 600 milionë lekëve
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave hap procedurën e shpërndarjes së fondit prej 600 milionë lekësh për efekt të kompensimit monetar. Nëndrejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, Genci Çelo në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se: “Ka nisur procesin e depozitimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara që duhet të trajtohen me kompensim financiar”. “Regjistrimi i kërkesave nga subjektet e shpronësuara për kompensimin në të holla fillon me datë 15 qershor dhe zgjat deri më 14 korrik. Regjistrimi bëhet në zyrat qendrore të AKKP-së, nga e hëna deri në të premten, nga 09.00 deri 14.00”, deklaroi Çelo. Procedurat e shpërndarjes së fondit prej 600 milionë lekësh janë miratuar nga vendimi i Qeverisë me datën 6 maj. “Subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur e gjitha për kompensim, kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe dara e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar: a) nga kompensimet e mëparshme; b) kthim fizik të pjesshëm të pronës, me çdo vendim për atë subjekt; c) nga e drejta e parablerjes dhe ç) nga zbatimi i ligjit nr 7501, për të gjithë trashëgimtarët”, deklaroi Çelo. Në bazë të vendimit të Qeverisë, vlera e kompensimit është vetëm deri në 200 metër katrorë të sipërfaqes truall të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Sipas nëndrejtorit Genci Çelo, ish-pronarëve gjatë depozitimit të kërkesës do t’i jepet një numër, për të shmangur radhët e gjata, ndërsa të gjithë aplikuesit që paraqesin dokumente të rreme, përjashtohen nga kjo procedurë. Ndërsa dokumentet që paraqiten janë të njëjta si në vitin e kaluar. Personat që kanë aplikuar tre katër vitet e kaluara kanë të drejtën të paraqesin vetëm mandat pagesën prej 2 mijë lekësh asgjë tjetër.