E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Kashar, stacioni i fundit

20-04-2011 / Nga Marion Mardoda

Në etikën e mendimit të lashtë, lumturia,nuk ishte çështje e të ndjerit mirë apo keq  por ishte jeta si e tërë. Thuhej të jesh ose jo i lumtur, kështu, diskutimet rreth lumturisë kishin të bënin me diskutimet rreth jetës së lumtur. Është fati ynë i keq që për ne çfarë do të thotë lumturi nuk janë thjeshtë jetët, por gjithashtu momentet e shkurtra. Shkalla e matjes së lumturisë praktikisht është e pamundur. Një indigjen që jeton në xhungël me një mesatare moshore rreth 40 vjeç mund të jetë më i lumtur se një milioner që jeton në Paris apo Londër 100 vjet. Mekanizmat që bëjnë të mundur lumturinë, qoftë edhe për momente të shkurtra, janë shqisat njerëzore. Shqisat janë sensacione, ndjesi, perceptime, vetëdije, impresione etj, dhe tek çdo njeri pasqyrohen në mënyra, rrethana dhe momente të ndryshme. Disa filozofë mendojnë se shqisat janë marrëdhënie midis ndjesive njerëzore dhe realitetit. Këto marrëdhënie të ndikuara edhe nga e kaluara e çdo personi, influencojnë në mënyrë origjinale në personalitetin dhe në atë se çfarë dikush percepton lumturi në përgjithësi dhe në momente të caktuara. Ishin shqisat e Adolf Hitlerit të mprehura gjatë fëmijërisë së tij, skenave të luftës së parë botërore (pasi ai u angazhua si vullnetar në një repart bavarez), situatës socio-politike të Gjermanisë së asaj kohe, që  bënë të humbnin jetën rreth 55 milionë njerëz. Ishte vendlindja e Stalinit që bëri të mos vritet asnjë gjeorgjan në një kohë që gjatë regjimit të tij vdiqën e u vranë më shumë se 5 milionë rusë. Ishte kalvari i vuajtjeve të Servantesit që ideoi “Don Kishotin”. Ishte vendlindja dhe fëmijëria e Tolstoit që frymëzuan “Luftën dhe Paqen”, etj. Ndikimi i elementëve afizikë në reagimin e shqisave pasqyrohet në sjellje negative ose pozitive tek gjithsecili. Nëse mbizotërojnë faktorët pozitivë (si vizualë, akustikë, etj), edhe probabiliteti që të mbizotërojnë sjelljet pozitive do jetë më i madh.             
Një erë karakteristike shiroku pranveror që mbart pak nga thatësira e Saharasë dhe pak nga lagështia mesdhetare e përzier me vegjetacionin e vendit, bëri që edhe tek unë të riaktivizohet një ndjesi të cilën dikush mund të paguajë për ta pasur. Njëlloj si ajo ndjesia kur befas të shfaqet një fotografi e vegjëlisë, të cilën e konsideroje të humbur prej shumë kohësh. Linda dhe u rrita në Tiranë, emigrova, punova e u integrova në shoqërinë perëndimore. Por asnjëherë nuk munda dot ta represoja ndjesinë sublime që të përshkon gjithmonë kur dëgjon nga larg për vendin dhe shtëpinë tënde. Kjo ndjesi e papërballueshme, ishte ndër shkaqet kryesore që më solli sërish këtu. Mbas një periudhe  stabilizimi relativ psikologjik e shpirtëror, vura re se shqisat nuk po më falnin më ato momente lumturie me të cilat isha rritur. Fillova gradualisht të kuptoj se gjërat nuk janë më si më parë. “Perdja e Hekurt” e ajrit të ndotur të Tiranës nuk e lejon flladin e shirokut të vijë me ato cilësi karakteristike. Cicërimat e zogjve pranverorë  janë  zëvendësuar nga  zhurmat e shëmtuara urbane. Edhe sikur të mendonim të gjithë në mënyrë deterministe, përsëri nuk do të na mjaftonin resurset, sepse nëse do të prisnim të gjitha pemët e Tiranës e t’i kthenim në letër, besoj se nuk do mjaftonin së paku për të shkruar zbrazëtitë e banorëve të këtij qyteti. Pallatet që kanë mësyrë kodrat e Tiranës të ngjajnë si ushtarë të huaj të cilët po avancojnë gradualisht drejt hapësirave të mbetura. Nisa të dyshoj seriozisht në shprehjen time të preferuar, e artikuluar nga shkrimtari irlandez George Moore, “një njeri udhëton në gjithë botën në kërkim të asaj që do dhe kthehet e gjen në  shtëpinë e tij”. Po çfarë mund të gjejë një njeri në Mars?! Tirana ishte kthyer në një tjetër  planet, asnjë nga shqisat e mia nuk po reagonte më si më parë ndaj këtij mjedisi totalisht të tjetërsuar. -Në këto rrethana zbrazëtie, nëse shpëton pa t’u helmuar shpirti, njeriu flet e flet me vete, duke u munduar të mos kalojë limitin. Pas kalimit të kësaj prove, ngushëllon veten duke e konsideruar jetën si një luginë të mbushur me lot,një krevat i mbushur me trëndafila, lumë, kabare, lavire, etj. Tranzicion ky i njohur në kalvarin e jetës së pothuajse çdo njeriu. Një fllad i ardhur nga jugperëndimi, pa arritur të infektohet nga mizerja urbane, i shembi tek unë këto mendime të betonizuara. Pikërish në Kashar, rreth 2 km në juglindje të fshatit Mëzez, aty ku fatmirësisht banoj. Për shkak të kuriozitetit dhe formimit tim, nisa të hulumtoj në shkaqet reale të cilat bënë të mundur këtë rigjenerim të befasishëm tek unë. 
Duke qenë fare pranë kryeqytetit, klima e kësaj komune karakterizohet me pothuajse të njëjtat cilësi por me të vetmin ndryshim thelbësor pasi ajo nuk arrin të ndikohet nga ajri i ndotur urban. Kalimi nga zona periurbane në atë rurale bëhet në një harmoni të pabesueshme, respektimi i distancës ndërmjet pallateve dhe kalimi gradual drejt vilave dhe shtëpive përdhese të hapësirës rurale, të relakson sytë dhe të imponon respekt. Infrastruktura e rregullt rrugore,trotuaret  pa pllaka të thyera e të  deformuara nga betonieret, dhe trafiku pothuajse zero, të bën të konsiderosh seriozisht  mundësinë e banimit në këtë zone. Shkrimtari dhe filozofi i madh francez, një ndër liderët e iluminizmit, Volteri, thoshte, “natyra ka pasur gjithmonë më shumë fuqi se edukimi”. Gjelbërimi i pamasë, kodrat, liqenet, ajri i pastër i kësaj hapësire, pra fuqia sublime e natyrës, i dhuron vazhdimisht momente të lumtura banorëve të kësaj zone. Kjo lumturi reflektohet më së miri në çiltërsinë e tyre,në sjelljen e edukuar dhe tejet njerëzore të çdo nëpunësi apo shërbyesi social të kësaj komune, në rregullin dhe pastërtinë e ambienteve të përbashkëta dhe hapësirave të gjelbra. Kjo zonë dallohet për prodhimin e produkteve të larmishme bujqësore dhe blektorale e kryesisht të vreshtarisë, traditë kjo që vazhdon të kultivohet gjerësisht edhe sot. Mbarështrimi i peshkut gjithashtu, i shtohet gamës së gjerë të produkteve të kësaj zone. Ndërtimi i dy shkollave të reja publike shkurtoi ndjeshëm distancën që një nxënës duhet të  përshkonte për në shkollë, pra, ai momenti i lumturisë që përshkon një prind tek sheh buzëqeshjen e fëmijës së tij, këtu nuk venitet nga ankthi i vazhdueshëm  prej rrezikut të automjeteve apo vonesave në trafik. Vlen të theksohet mënyra e ndërtimit të buxhetit në këtë komunë, ku banorët përmes një votimit të hapur vendosin se ku duhen bërë investimet, ndërsa mirëkuptimi mes anëtarëve të Këshillit të Komunës është në nivele të pabesueshme.
Këto parametra përveçse bëjnë të mundur një jetë tejet cilësore aq pranë Tiranës, flasin qartë edhe për potencialin e madh turistik që kjo zonë ofron. Peisazhi tërheqës dhe në një pjesë të konsiderueshme i virgjër, ajri i pastër,produktet e freskëta  bujqësore dhe traditat e ruajtura më së miri, ofrojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e turizmit rural,gastronomik, kurativ dhe aventuresk, ku kohët e fundit vërehet një rritje e numrit të turistëve. Vizioni i pastër perëndimor i kryetarit të kësaj komune synon qartë drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
Arsyet kryesore se pse mendoj që Komuna e Kasharit përbën stacionin e fundit për mua por edhe për çdo banor të hershëm të Tiranës janë: “Tironsve në Tiron” nuk u ka mbetur asgjë nga e kaluara. Ndërsa këtu ato kanë mundësi të shijojnë pa interferencë cicërimat e kanarinave,të zogjve pranveror, të marrin vjedhurazi ndonjë bistak rrush apo të pinë ndonjë gotë ujë pusi. Të thithin ajrin të cilin e kanë harruar prej kohësh  etj. Pra këtu  rigjenerohen ato shqisa të cilat të falin ato momentet e lumturisë për të cilat njeriu ka nevojë. Nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të falënderoj përzemërsisht kryetarin e kësaj komune zotin Besnik Fuçia, i cili me profesionalizmin dhe vizionin e tij, indirekt rigjallëroi tek unë ato shqisa që i japin kuptim jetës, por edhe për mishërimin e një pjese të mirë të ëndrrave të banorëve të kësaj komune. Ndërsa puna e tij mendoj se nuk e vë në diskutim fitoren në 8 maj.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›