E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama me liliputë i jep leksione demokracie Amerikës

20-04-2011 / Nga Rexhep Shahu

Liliputi nuk mund t’ia presë kostumin apo t’ia marrë masat e trupit Guliverit. Sepse do të duhej një repart, një brigadë apo divizion liliputësh për ta bërë këtë gjë. Do të duheshin shumë shkallë, shumë litarë për liliputët me u varë e me e rrokë Guliverin për t’ia marrë masat a përmasat.
Debati i ditëve të fundit, në mes fushatës elektorale për zgjedhjet vendore 2011, ku është në garë për herë të katërt (për gjithçka ose asgjë), kryetari i bashkisë Tiranë që është njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, rreth “incidentit të paprecedentë… edhe për përfaqësitë e shteteve totalitare apo autokratike”, që unë nuk e di cilat janë në vendin tim, në dukje, mes gazetës “Shekulli” dhe ambasadës amerikane në Tiranë, është ndoshta debati më interesant, më i munguar, më i duhuri, më madhori në shoqërinë shqiptare të këtyre njëzet viteve të fundit. Debati që duket, ose duhet, më në fund, t’ia heqë petët lakrorit dhe ta dimë e marrim vesh troç, kush janë, si janë, pse janë, sa janë, pse janë fshehur, pse dolën hapur pikërisht tani edhe tek ne antiamerikanët, që për hir të së vërtetës nuk kanë munguar kurrë, edhe pse naivët kanë besuar se ne jemi një popull njëqind për qind ose nëntëdhjetë e pesë përqind proamerikanë, duke përfshirë edhe shqiptarët mentarë (ah, lum ne që i kemi atje bijtë tanë zulmëmëdhenj!) që jetojnë në Amerikë e që duan të diktojnë edhe departamentin e shtetit amerikan.
Këto ditë ka marrë zjarr e po derdh batare rrufesh e mallkimesh dhe po hedh dhe me kosh kundër Amerikës mizëria e liliputëve, të porositurve, të puthadorëve, të atyre që të hanë bukën e të përmbysin kupën, që hedhin gurin e fshehin dorën, të atyre që të thonë, mbama nënë t’i them kurvë pa më thënë, të atyre që si lukuni a lubi kanë marrë e zhgrryer paratë e Amerikës për media të lira, për antikorrupsion, duke përbaltur shpesh në mënyrë të pamoralshme e të dhunshme kë kanë dashur vetë të përbaltin edhe me pa të drejtë, të atyre që kanë pirë qumështin e mjaltin e Amerikës,  të atyre që Amerika u ka dhënë bukë e strehë, por jo deri aty sa t’ua lëshojë rrethin e oxhakut e t’i lejojë t’i bëhen zot shtëpie në shtëpi të vet, të atyre që edhe pse jetojnë në Amerikë si ikanakë e frikacakë prej këtu, si të pazotët me konkurrue, se nuk i kanë lënë vend vetes këtu, kujtojnë se Amerika duhet t’i pyesë çfarë të bëjë në Shqipëri, t’i pyesë edhe për liderët e vendit këtu, edhe për ambasadorët që ajo dërgon këtu, shkurt, Amerika të marrë frymë në Shqipëri nëpër gabzherrin e tyre.
Unë nuk kam aq mend dhe nuk jam aq lart sa të shoh shumë dhe larg si zoti ambasador Arvizu, por po kuptoj se gjithë kjo stuhi që po ndodh është përgatitje e alibisë së humbjes nga kryetari i bashkisë së Tiranës që është njëherësh dhe kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Që, nëse humb, t’u thotë mbështetësve të tij: nuk më deshi Amerika dhe ndaj ajo duhet urryer. E në pamundësi me qenë trima, ai dhe liliputët e tij apo kori i tij i liliputëve që rrojnë në Shqipëri dhe janë bërë gati-gati pashallarë edhe me paratë e projekteve amerikane dhe kori i liliputëve të tjerë që rrojnë në Amerikë dhe u duket se kanë leje të diktojnë këtu edhe këngët e zogjve, në shënjestër kanë vënë si devijator zotin ambasador dhe Amerikën, natyrisht, ata që e kanë graduar ambasador në Shqipëri, pa pyetur liliputët shqiptarë të Amerikës e të Shqipërisë.
Megjithëse, po ti drejtohesha direkt, zotit ambasador, do të thosha se ata e dinë më shumë se mirë se ti nuk je këtu thjeshtë njeriu që quhet Arvizu, por je përfaqësuesi i Amerikës dhe nuk ke ardhë këtu rastësisht se të gjetën në ndonjë stacion treni a metroje dhe të hodhën në avion si çantë apo valixhe pasagjeri për në Shqipëri. Ata e dinë mirë se për të ardhë ambasador këtu ke kaluar disa provime, disa teste, disa shkallë në kongres, senat, tek presidenti amerikan, pasi për Amerikën, që liliputët po thonë se “nuk është më e fortë, e zonja, e fuqishme etj., dhe paska dështuar në arenën ndërkombëtare…”, ti je ambasador në një shtet kyç a nyje në këtë rajon të trazuar të Europës, (e di mirë se nuk sillet bota rreth nesh, e di mirë) tek një popull që nuk ngre kot piedestale, të paktën për burrështetasit amerikanë, tek një popull që nuk ka fort nderim për piedestalet e shtatoret e rreme mbi to, sepse këta shqiptarët, kur nuk e nderojnë vërtetë një piedestal, e kanë zakon dhe shkojnë e bëjnë shurrën rrëzë tij, siç ia kanë bërë edhe baba Stalinit, edhe baba Enverit. Por çeta e liliputëve apo argatëve të Edi Ramës e të Partisë Socialiste të Shqipërisë, zoti ambasador, nuk duan që presidenti Obama të të ketë ty ndërmjetës e përfaqësues në Shqipëri por të ketë liliputët e Edi Ramës. Dhe kanë nisë garë mes tyre liliputët që jetojnë në Shqipëri dhe liliputët që jetojnë në Amerikë. Dhe duan mundësisht që ty të t’i japin ato porositë e Obamës apo të Hillarit, të kongresit apo senatit amerikan. Argatët që hanë këtu por edhe ata që hanë në Amerikë. Epo kësaj i thonë andej nga anët e mia, nga vij unë, “kush pordhi kapi hunin, kush dëgjoi, nuk shpëtoi”.
Ne e dimë mirë se Amerika e ka dashtë dhe e don Edi Ramën. Unë jam ndër ata që jam mërzitë e trishtue pa fund për ndonji qëndrim të ambasadorëve amerikanë këtu, por as unë e as miqtë e mi apo ato që mendojnë si unë nuk kemi bërë namin, nuk kemi hedhë dhe me kosh kundër Amerikës. Sepse ne e kuptojmë se borxhi ndaj Amerikës që ia kanë shqiptarët është shumë më i madh se çdo gjë. Dhe pikërisht te ky borxh që i kemi Amerikës ne si shqiptarë, si komb shqiptar, këtu ndahemi unë dhe Rama, shqiptarët dhe Rama, shqiptarët demokratë e komunistë, shqiptarët shqiptarë dhe shqiptarët që rastësisht janë shqiptarë në këtë vend pasi nuk dinë nga kanë ardhë dhe nuk dinë nga të shkojnë, kur e ku të shkojnë.
Pra Amerika e ka dashtë dhe e di mirë se e don Edi Ramën, por ai vetë po distancohet prej saj dhe prej ambasadorit Arvizu, për ta patur alibi për humbjen e mundshme. Është lojë e bukur, lojë e thellë, por krejt krejt e lexueshme. Nëse humbet në këto zgjedhje Rama, fajtor kryesor do shpallë Amerikën që nuk e deshi. Nëse humbet në gjithë Shqipërinë e jo veç në Tiranë, do të thotë me 9 maj se ia vodhën zgjedhjet dhe do të përgatisë gjullurdinë për mosnjohje të zgjedhjeve. Rama është para dilemave të mëdha. Për shkak të papërgjegjshmërisë politike dhe moskorrjes së anjë fitoreje politike që kur është bërë kryetar i PS, shumë njerëz i druhen. Po fitoi bashkinë e Tiranës, prapë do të ekzekutojë skenarë të tjerë destabilizues për gjasme zgjedhje të parakohshme. Thjeshtë, qëllimi i tij është ngutje sa më e madhe për t’u bërë kryeministër, ëndërr që nuk i shqitet as ditën e as natën. Sepse ai tashmë ose i don të gjitha, menjëherë ose nuk pyet se çfarë dëmesh mund të bëjë për vendin.
Por liliputi nuk mund t’ia presë kostumin apo t’ia marrë masat e trupit Guliverit. Sepse do të duhej një repart, një brigadë apo divizion liliputësh për ta bërë këtë gjë. Do të duheshin shumë shkallë, shumë litarë për liliputët me u varë e me e rrokë Guliverin për t’ia marrë masat a përmasat.
E gjithë storja ka filluar më 21 janar 2011. Ish koha kur Rama mendoi të tregojë forcën, muskujt. Ish kronika e paralajmëruar e një zie. E paralajmëruar nga miku e aleati i Ramës ish-ministri i Enver Hoxhës, që Tunizinë donte ta bënte këtu në Shqipëri. E paralajmëruar nga një zëdhënës lugëlëpirës, prej njëzet vitesh antikomunist i vetëshpallur, thjeshte për shkakun e vetëm se Enveri e pati heqë nga blloku dhe ia hoqi tagjinë, por që në fakt nuk kishte asnjë lidhje tjetër me demokracinë (kemi plot të tillë që nuk kanë lidhje me demokracinë por thjeshtë kanë inat me Enverin pse i hoqi nga Blloku sepse ishin mirë në bllok, ishin mirë si bij ministrash apo sekretarësh të parë…). E paralajmëruar nga ish-sigurimsa e pseudonimsa (oh sa shumë ka aktivë tek ne nga ata që ustallarët ju thonë bisht qeni…, si patkoi, korani, belushka, merluca, dajti a dreqi… të cilët në fakt janë guri më i rëndë në qafën e lodhur të shqiptarëve.
E kanë inatin me ambasadorin Arvizu (inat i madh ai i 21 janarit 2011…) se ai paskësh “gabuar rëndë”, u paska dalë ndesh dhe u paska thënë se një grup protestuesish nuk kishin atë axhendë demokratike për të protestuar, por kishin axhendë tjetër… Dhe Rama bashkë me liliputët, me të gjithë llojet e liliputëve, edhe me ata që kanë të dyja këmbët në partinë e Ramës, edhe me ata që kanë një këmbë në partinë e Ramës e një këmbë në partinë e Berishës, dhe fusin turinjtë në cilindo grazhd a sahan që u ofrohet, u zemëruan me zotin ambasador pse pa dhunën e 21 janarit dhe pse pohoi se një grup protestuesish kishin axhendë tjetër… Natyrisht u zemëruan sepse atë axhendë nuk e kishin të pamiratuar nga Rama dhe ish-ministrat e diktaturës që i rrinë në krah Ramës, që i bëjnë axhendën edhe Ramës.
Kori i liliputëve që po hungërin kundër Amerikës po keqkuptohet fort. Po kujton se Amerika është Berisha. Po njësojnë me Berishën edhe Amerikën. Po synojnë krijimin e klimës antiamerikane që në fakt patëm kujtuar se është harruar në këto njëzet vite që ka udhëhequr këtë vend Berisha. Ai e çeli udhën për me e sha e me e kritikue, duke heqë ndëshkimin për çdo sharës e shpifës kundër tij dhe administratës së tij. Kështu i nxiti dhe sharësit hynë në të thella. Nuk i kuptuan kufijtë e lirisë e të moralit dhe e shndërruan në kurth ndaj vetës së tyre lirinë që u dha Berisha. Sharësit, të zeztë, e bënë mënyrë jetese sharjen e shpifjen ndaj tij. Rritën pagat për sharje, rritën honoraret për sharje kundër Berishës. Ngritën fabrika e kombinate sharjesh e shpifjesh. Ky është tashmë një realitet i hidhur në këtë vend.
Në të shtatat e 21 janarit, Rama ua bëri gjyqin edhe ndërkombëtarëve, edhe vetë ambasadorit Arvizu, duke ju dhënë leksion demokracie, bile edhe në gjuhën e Amerikës. Sepse ai e njeh më mirë gjuhën e Amerikës dhe gjuhët e tjera të huaja, mbase më mirë sesa shqipen. Ua kujtoi presidentët amerikanë, çfarë kanë thënë e kanë bërë ata për Amerikën e demokracinë… E ai Berisha, s’ditka ç’janë ndërkombëtarët, se Berisha, edhe gjuhën e Amerikës kur e flet, sipas liliputëve të Ramës, e flet viçidolisht. Meqë më doli ky Viçidoli, (vendlindja e Berishës), sipas Ramës e të tijve e sidomos sipas atij që Rama i ka dhuruar strehëzën… duhet zhdukur nga faqja e dheut pa nam e nishan ai Viçidoli. Duhet zhbërë Viçidoli si vend, si fshat. Por ne të tjerët nuk e urrejmë Gjirokastrën edhe pse nga atje ishte Enveri, nuk e urrejmë Bregun, Skraparin, Tepelenën, Korçën, sepse nuk i identifikojmë këto vende si të Enverit apo të byroistëve. Këtë po e them se racizmi është normë për korin e liliputëve të Ramës, që më kanë quajtur mua e femijët e mi çeçenë, malokë, ardhacakë… që po prish edhe gjuhën shqipe duke e folur paksa çeçenisht.
Është një keqkuptim i madh. Rama kujton se Amerika është si punonjësit e tij të bashkisë që dridhen para kryetarit. Por normal, jo të gjithë. Sepse realitetet e reja që janë krijuar në këtë Tiranë në këto njëzet vite kanë bërë që edhe në bashki të ketë tashmë “çeçenë” e malokë të veriut që “ia zunë frymën Tiranës”, anise malokë nga jugu janë shumica në këtë vend dhe ka më shumë dhe çuditërisht këto malokët e jugut me të veriut se pse shkojnë mirë dhe kuptohen shumë me njëri – tjetrin. Rama është si Donkishoti, ky personazh brilant i letërsisë botërore. Ai, si Donkishoti, sa herë nuk i pret palla apo nuk e dëgjon pela, u turret mullinjve të erës e vozave të venës dhe e derdh dëshpërimin e tij. Rama e vizaton mirë veten e vet sepse e njeh mirë. E sheh veten në pasqyrë shumë dhe e njeh. Ai hijerëndi, ai i zemëruari me të tërë, por që derdh zemërim vetëm kundër Saliut, sepse do ta paraqesë veten të madh dhe duhet të merret vetëm me Saliun, ta nëmë e mallkojë vetëm Saliun, se Saliu paska bërë gjithë të këqijat në këtë vend, Saliu paska qenë anëtar i PPSH, se streha më e rrezikshme e komunizmit paska qenë organizata e partisë në spital ku ka qenë Saliu mjek dhe jo komiteti qendror i PPSH, anëtar i të cilit ka qenë babai i Ramës, dhe jo Ramizi, Nexhmija, Gjinushi apo ish ministrat e Enverit e Ramizit, të cilët Rama i ka aleatë. Jo, Rama me kupolën e byrosë politike nuk do të prishet absolutisht, me pinjollët e Bllokut, nuk do të prishet kurrsesi, aty merr cak, aty merr këshillë, aty merr mendje. Rama po do t’i tregojë Amerikës dhe zotit ambasador se kush është Sali Berisha. Sikur ata s’e dinë se është pikërisht ky Berisha që duam s’duam, udhëhoqi shembjen e komunizmit tek ne. Po ju thotë se Berisha është si Gadafi. E po kësaj i thonë, eja baba të të tregoj arat. Negativizmin e ka të lehtëlexueshëm Rama. Zoti ambasador dhe ndërkombëtarët duhet të marrin të kundërtat e atyre që ai thotë e deklaron dhe veç kaq duhet. Rama ka fillu prej ca kohësh me i besu rrenat e veta. E sidomos pas humbjes në zgjedhjet e 2009. E sidomos pas autogolit dramatik që bëri me 21 janar. Por po tronditet përditë e më shumë se pse nuk ia besojnë dhe të tjerët rrenat e tij. E thashë, sulmon Saliun si anëtar të PPSH dhe vetë rri aleat me Ramizin, Nexhmijen dhe ministrat e Enverit e të Ramizit që kanë drejtuar PPSH. Mirëpo sipas tij Saliu si anëtar i thjeshtë partie qenka më i keq e i rrezikshëm se drejtuesit e PPSH, se byroja politike e PPSH. Po kush e han këtë koqe ulliri…
Për dashurinë e rrejshme që ka për Tiranën, për mërzinë që ia jep të qenit përsëri kryebashkiak se nuk din më çfarë të bëjë, ai prapë josh duke nxjerrë të flasë ndonjë folëse gegnishteje duke na “shkepë në rrena”... Me na krijue idenë se ai nuk është racist, nuk i urren çeçenet… Edhe po fitoi mandatin e katërt nuk është ndonjë hata. Do të rrojnë njerëzia në Tiranën thuaj njëmilionëshe, që mund ta drejtojë cilido, Rama apo Basha, por pa përjashtuar çeçenët, që kanë ardhë nga kufijtë e gjelbër të Shqipërisë. Rama le të vazhdojë të besojë rrenat e veta. Le të vazhdojë të kërcënojë ata që janë kundër tij. Le të vazhdojë të diferencojë media, të krijojë e shtojë radhët me liliputë. Të imponojë media që të transmetojnë vetëm ato që do ai e ashtu siç i do ai. Të imponohet duke u thënë se unë jam fytyra e re. Dhe mediave kundërshtare po të dojë le t’u thotë edhe “të fala Arvizusë”, apo “të fala Merkelit”, apo “të fala Sarkozisë”. Për të luftuar Saliun ka alibi të vdekurit kunder tij si Shoshorin, të cilit po ia troshitin eshtrat. Dhe duan të bëjnë më të besueshme trillimet e dëshmitarëve këta liliputë të dhjamosur qafëshkurtë sesa deklaratën e Berishes i cili qartë tha se, që kur kam lindur në vitin 1944 nuk kam qenë kurrë në asnjë sallë gjyqi. Ej njerëz, është lehtësisht e verifikueshme kjo marrëzi e liliputëve të Ramës. Edhe rivalin e vet konkret Lulzim Bashën, të cilit Rama në fakt po i trembet shumë dhe nga frika prej tij, po sheh tek ai Berishën që ta ketë alibi nesër për t’u thënë mbështetësve se unë u përballa me Kryeministrin, ai po e sulmon duke sulmuar Saliun. E sulmon Lulin pse Luli qesh. Lulin e shoh nëpër postera që buzëqesh lehtë, shumë sinqertë dhe mjaft serioz. Por Rama ka dalë në ato posterat e tij duke u zgërdhi fare. Dhe të mendosh një burrë afër gjysmëshekullor, kryetar 11-vjeçar i bashkisë, kryetar i Partisë Socialiste, është shndërruar si një adoleshent 13-vjeçar në ato foto që zgërdhihet, në atë foto që është shpërfytyruar duke ngjitë ku s’rri në të pafajësi e fëmijëri, kjo s’ka bythë ku të rrijë. Jo për gjë, por ne e njohim Ramën në këtë vend, s’është aq fëmijë e aq pafaj, aq i paqtë sa në atë foto montazh. Duket ia kanë bërë me hile, për ta tallë.
Duke iu drejtuar sërish direkt zotit Arvizu, do t’i thoshja se këtu ndër ne, zoti ambasador të duam ty dhe shtetin tënd kur na përkëdhel flokët e na bie shpatullave, kur na bën fresk, kur na favorizon duke na ftuar në seli të ambasadës duke bërë të nënkuptohet tek shqiptarët se ju ftoni aty në seli elitën e shqiptarëve për kafe, elitën e intelektualëve, ato që pyet Amerika, ato tek të cilët merr mend Amerika. Por jo kur nuk na jep të drejtë edhe pse s’kemi të drejtë. Jo edhe kur na jepni leksione demokracie. Ju siguroj siç e ndjej, se debati që po zhvillohet, që nuk është aq civil e qytetar, është fitorja më e madhe sepse u vra frika. Është fitorja më e madhe sepse ti zoti ambasador po i jep liri, leje, po e fton antiamerikanizmin të dalë hapur, të mos ketë  frikë, të mos fshihet, të mos jargavitet, të mos shpërfytyrohet, të mos na mashtrojnë më si proamerikanë vetëm për faktin e thjeshtë se vjellin parulla proamerikane, se kanë të veshura rroba apo kostume amerikane, se kanë viza amerikane në pasaportat e tyre, se marrin ftesa e salutime prej stafit të ambasadës, sepse këtu është në modë tashmë ajo që, po të salutoi dikush nga ambasada, duhet të jesh i sigurtë se të do Amerika... Unë i kam dashur dhe i dua antiamerikanët të dalin hapur, të protestojnë hapur si në vendet e tjera, të djegin, pse jo, edhe flamurin amerikan, të ndërhyjë policia biles edhe për t’i shpërndarë turmat protestuese antiamerikane, t’i godasë edhe me shkopinj gome, t’i lagë e t’i shpërndajë edhe me zorra të trasha uji. Si në Greqi, bie fjala. Apo në Serbi. Ka këtu mjaft të zellshëm e filogrekë që duan të bëhet edhe këtu kundër amerikanëve si në Greqi. Le të dalin hapur ata individë që deri dje kanë shkruar e vjellë kundër shtetit tënd, kundër imperializmit amerikan, kundër “xhandarit ndërkombëtar”... Ata janë ende aktivë me penë në dorë, me fuqi të mëdha ekonomiko-financiare, të marra edhe shumë padrejtësisht në këto njëzet vite nga pasuria jonë kombëtare. Antiamerikanët le të dalin hapur, sepse edhe ju besoj, zoti Ambasador, nuk jeni dakord që shqiptarët të jenë njëqind për qind proamerikanë.
Dhe në fund fare zoti ambasador, dua t’ju siguroj për një gjë, thellësisht e thelbësisht shqiptare. Shqiptarët, por shqiptarët ama, mund të jenë të ligj, të pabesë, monstra, mosmirënjohës, por kurrë jo ndaj Amerikës, kurrë jo. Shqiptarët-shqiptarë mund të përmbysin çdo kupë, por jo të Amerikës. Sepse ata që janë mirënjohës ndaj Amerikës janë mijërafish më shumë se ata që nuk janë mirënjohës. Ju siguroj për këtë. Shqiptarët e dinë se kombi ynë ekziston  falë Amerikës. Shqiptarët e dinë se Kosova është sot falë Amerikës. Shqiptarët e dinë mirë se përmasat shqiptare janë rritur e po shkojnë në vend falë Amerikës. Se shqiptarët po drejtojnë kurrizin falë Amerikës. Por me sa shoh e di, lutem fort të jem i gabuar, ajo që bëtë për Kosovën sikur ka prishur ca qejfe edhe tek ca shqiptarë që janë të tillë me letra, që janë të tillë se hanë bukë këtu, blejnë bukë në furrat tona, por bëjnë duanë e tjetërkujt. Dhe për fund fare duhet ta kuptoni se pikërisht çështja e Kosovës është ajo ndarësja e madhe në këtë vend. Edi Rama nuk ka aleatë në Kosovë. Sali Berisha ka gjithë Kosovën me vete. Jam dëshmitar i dorës së parë se fill pas luftës së Amerikës për Kosovën e lirë prej  serbëve, nuk u lejua Berisha të hynte në Kosovë. Sepse u pa si tërmet kundër botës serbo-sllave. A thua, pse e duan aq shumë Berishën në Kosovë? A janë budallenj ata njerëz atje? Por Rama edhe fjalën Kosovë nuk e ka në fjalorin apo axhendën e tij, nuk e përmend. Nuk ka thënë kurrë se Kosova, kjo që është, është meritë e Amerikës. Ramën e la pa aleatë në Kosovë është kundërshtia e tij kundër udhës që bëri Berisha për në Kosovë. Ajo udhë ishte veç të tjerave, pavarësimi e çlirimi real i Kosovës. Rama nuk e donte atë udhë (që nuk është kurrsesi udhë për në planetin Mars…) sepse ajo do ndryshonte gjeografinë edhe politike të vendit, ajo rrugë e bën Prizrenin më afër Fierit (e jo më afër Selenicës), ajo rrugë bën tregun shqiptar 6 milionësh, bën të populluar gjithë bregdetin turistik shqiptar, lidh kombin apo e bashkon kulturalisht, bën të mundur të njihen njerëzit, të njihen vendet e trojet shqiptare, gdhend dhe gjallëron gjuhën shqipe. Për atë rrugë do t’i kishte hije këtij vendi të bënte edhe ndonjë luftë të vogël civile. Do të ishin të justifikuar edhe disa dhjetëra viktima, të rënë a kurbanë për atë rrugë. Kombet e tjera kanë bërë edhe luftra për projekte te tilla të mëdha. Ndërsa tek ne u bë zhurmë, shumë zhurmë, luftë politike, u drejtua lesh me çekiç, por fati deshti që vullneti i Sali Berishës për ta bërë atë udhë nuk u mposht dhe ajo tashmë është realitet si arteria kryesore e kombit shqiptar, që nuk shkon drejt asnjë apendisiti por drejt zemrës dhe është e ndërtuar mu bash në ashtin e kombit shqiptar siç e dinë dhe e kanë përcaktuar studiuesit kompetentë të kulturës e racës shqiptare.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›