E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të arratisur në Kurjan, kur u vra deputeti Xhindi

 

Një ngjarje paralele me vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, ka ndodhur të shtunën më 1 maj në të njëjtën kohë me atentatin e rëndë që i mori jetën 49-vjeçarit. Disa orë pasi mbi deputetin Xhindi ishte derdhur një breshëri prej 15 plumbash, në fshatin Kurjan dy persona nuk janë gjetur në banesat e tyre. Deputeti kishte disa prona si ullishte dhe magazina në fshatin Kurjan ku banojnë  këta dy persona. Në pamje të parë ngjarjet duken pa lidhje me njëra-tjetrën por ndryshe mendojnë agjentët e policisë, zyrtarët e rendit e madje edhe prokurorët e angazhuar në hetimin e ngjarjes. Konstatimi se dy personat në fjalë mungonin atë natë në banesat e tyre, ka ardhur pikërisht pas interesimit të agjentëve të policisë së Fierit. Ata kanë shkuar në Roskovec menjëherë pas lajmërimit për vrasjen e deputetit ndërsa, pa kaluar shumë kohë, kanë verifikuar disa nga personat më problematikë të zonës. Mes personave "të skeduar" kanë qenë edhe ata të dy, të cilët nuk janë gjetur në banesat e tyre mbrëmjen e së shtunës, pak para mesnatës. Mungesa e të dyshuarve në banesat e tyre, pikërisht në kohën kur u vra deputeti 49-vjeçar Fatmir Xhindi por edhe më pas, ka shtuar edhe më tepër dyshimet e policisë dhe anëtarëve të tjerë të grupit të hetimit. Burimet zyrtare të hetimit thonë se dy personat e larguar nga banesat atë natë, janë të parët në listën e të dyshuarve për autorësinë e krimit të rëndë që i mori jetën deputetit të PS-së, banues në Roskovec. Fakti i largimit nga banesa të dy personave në fjalë është në dijeni të të gjithë anëtarëve të grupit të hetimit dhe zyrtarëve të policisë dhe Prokurorisë. "Inspektorët e policisë së zonës, por edhe agjentë të policisë kriminale, kanë shkuar në banesat e këtyre personave atë natë. Menjëherë pas vrasjes u bë një lloj apeli në zonë, ku u verifikua prania në banesa e një rrethi personash të dyshuar. Mes tyre ishin edhe dy personat që nuk janë gjetur në banesa. Që në momentet që pasuan krimin, agjentët e policisë në terren kishin dyshime te këta dy persona. Ata njihen mirë në zonë dhe përshkruhen si problematikë", thanë hetuesit. Sipas tyre, verifikimi në banesat e të dyshuarve pas çdo krimi që ndodh është një nga veprimet e hetimit ndërsa dyshimet përforcohen edhe më shumë, për shkak të largimit të pa justifikuar të personave në fjalë të cilët mësohet se kanë lidhje fisnore mes tyre.
Hetimi
Zhdukja e dy personave të dyshuar, emrat e të cilëve disponohen nga hetuesit, duket se e ka zhvendosur vëmendjen e policisë dhe prokurorisë në kërkimin e të dhënave të mëtejshme në këtë drejtim. Burimet zyrtare të hetimit thanë se të afërmit dhe familjarët e personave të arratisur nga fshati Kurjan, janë marrë në pyetje për dy ditë me radhë në policinë e Fierit, në prani edhe të prokurorëve të Krimeve të Rënda. Atyre u është kërkuar informacion mbi rrethanat e largimit të dy personave të dyshuar nga banesat e tyre ndërsa janë pyetur edhe për ndonjë mosmarrëveshje që familjet apo vetë të dyshuarit kanë pasur me deputetin e PS-së Fatmir Xhindi. Edhe familjarët e viktimës janë marrë në pyetje direkt për personat e arratisur. Bashkëshortes, vëllezërve dhe të afërmve të tjerë u janë kërkuar të dhëna në lidhje me konflikte apo mosmarrëveshje të mundshme mes deputetit Xhindi dhe dy personave të zhdukur. Zyrtarët që po drejtojnë hetimin e ngjarjes së rëndë, konfirmuan dyshimet serioze se dy të zhdukurit nuk janë gjetur në banesa, pasi mund të kenë qenë fillimisht në vendin e vrasjes së deputetit, në hyrje të oborrit të banesës së tij në Roskovec. Të dyshuarit mësohet se janë larguar më pas nga vendi i ngjarjes, para se policia të organizonte "rrjetën" me patrulla dhe postblloqe për verifikimin e lëvizjes së personave në zonë.                                  re.kr

Prençi: Policia s`dinte kërcënime për jetën e deputetit Fatmir Xhindi
TIRANE - Deputeti i Roskovecit, Fatmir Xhindi është qëlluar me armë nga pas nga një atentator i vetëm. Ahmet Prençi, kreu i Policisë së Shtetit zbardhi mbrëmë detaje nga atentati mafioz i katër ditëve më parë. Duke rindërtuar skenën e ngjarjes, i ftuar në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu, Prençi pohoi se deputeti Xhindi ishte kthyer në banesë pasi kishte qëndruar pak minuta në një lokal aty pranë. Pas kësaj, ai ka kaluar me makinë portën e banesës e cila ishte lënë hapur prej familjarëve ngaqë ai pritej të kthehej. Atentatori, sipas kryepolicit, ka qëlluar nga pas fillimisht nga një distancë rreth 7 metër dhe më pas është afruar. Pas breshërisë, ai është larguar pa u pikasur nga njeri dhe ende nuk është gjetur. E gjithë qitja, sipas Prençit, është kryer nga jashtë portës pasi viktima ndodhej shumë pranë portës. Si pasojë e qitjes, viktimën e kanë kapur 6 plumba, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja kallashnikovi. Kreu i policisë shqiptare pohoi se atentatori ka qëlluar me breshëri dhe është larguar duke mos lënë gjurmë. Një qese dhe një kuti medikamentesh të lëna në vendngjarje, tashmë po analizohen nga ekspertët nëse i përkasin apo jo autorit. Sipas tij, autori mund të jetë ndihmuar nga persona të tjerë për t'u larguar, por krimin e vrasjes e ka kryer i vetëm. Duke rikthyer momentin e krimit, Prençi tha se të parët lajmin e kishin mësuar policët e patrullës së qarkullimit rrugor Fier-Patos. Dy makina po lëviznin me shpejtësi drejt spitalit të Fierit. Në të parën ndodhej trupi i pajetë i 49-vjeçarit Xhindi, ndërsa në të dytën, e cila ishte makina personale e deputetit, ndodheshin familjarët e tij. Në një moment ata ndalojnë, pasi po ndërrohej shoferi i mjetit, që drejtohej nga i biri i deputetit. Pas kësaj, informacioni është përcjellë deri te Prençi, Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri. Në lidhje me zbardhjen e kësaj ngjarje të tipit mafioz, Prençi tha se policia po analizonte gjithçka, nga dita e fundit e deputetit. Sipas tij, janë pyetur shumë dëshmitarë, ndërsa një ditë më parë janë marrë deklarimet dhe dëshmitë e familjarëve të deputetit. Këto prova po analizoheshin nga ekspertët në unison me provat e tjera që po sigurohen në rrugë operative apo hetimore. Prençi tha se deputeti nuk ka pasur kërcënime apo rrezik për jetën. Po kështu, sipas tij, policia nuk ka pasur më parë informacione për rrezikun që i kanosej deputetit. Për më tepër, Xhindi nuk ka pasur asnjë konflikt. Prençi tha se policia po vlerëson çfarëdolloj informacioni që po mbërrin atje nga të gjitha mënyrat. Sipas kryepolicit, ka shumë pista për këtë ngjarje, por hetimet janë përqendruar në pak prej tyre, ato që duken më të mundshme dhe për të cilat ka prova, por sipas tij ende nuk ka një motiv dhe një pistë të përcaktuar saktë për të kërkuar zanafillën e krimit. Informacionet, sipas kryepolicit, po mbërrijnë në polici nëpërmjet shumë rrugëve, ndër të cilat vlerësohet ajo telefonike. Policia tashmë ka vënë në dispozicion numra telefoni si dhe shumën prej 250 mijë eurosh për informatorin, për të cilin kryepolici garantoi publikisht anonimatin dhe pagesën. Prençi pohoi më tej se tashmë janë angazhuar për zbardhjen e krimit të shëmtuar rreth 100 efektivët më të mirë të Policisë, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, SHISH dhe institucioneve të tjera, të cilët po vlerësojnë dhe analizojnë çfarëdolloj informacioni që mbërrin rreth ngjarjes. "Grupi i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje po punon 'non stop' dhe ende nuk kemi emër konkret të autorit. Nuk arrestojmë askënd, nëse nuk do kemi prova të plota", pohoi kryepolici mbrëmë, duke i shmangur emrave konkretë të të dyshuarve apo pistës kryesore të hetimit. Duke argumentuar se këto ishin sekrete hetimore, Prençi pohoi se zona e Fierit paraqitet problematike për sa i përket krimeve. Sipas tij, pjesa dërmuese e krimeve në këtë prefekturë i përkasin atyre që kanë baza në trafikun e narkotikëve apo ngjarjeve të vjetra të trashëguara nga vitet e mëparshme. Si pasojë e kësaj, qarku i Fierit njihej si një nga qarqet më problematikë në vend, përfundoi Prençi.  fa.ma.

Ekzekutimi, 80 persona në komisariat

FIER/ MAJLINDA RAMA

Furgonë policie kanë zbarkuar mëngjesin e djeshëm në qytetin e Roskovecit dhe fshatin Kurjan, aty ku deputeti i vrarë qëndroi orët e fundit të jetës së tij. Rreth 80 vetë pohohet të jenë marrë në pyetje deri në orët e vona të ditës, nga grupi hetimor i çështjes së Fatmir Xhindit. Askush nuk ka kundërshtuar shoqërimin, duke u bërë pjesë e një hetimi masiv për zbardhjen e ekzekutorëve të deputetit.
Burime nga prokuroria e Fierit pohuan dje, se personat janë shoqëruar në ambientet e policisë për të dëshmuar mbi çfarë kanë dijeni për aktivitetin e deputetit, për lëvizjet e tij dhe marrëdhëniet me njerëzit e tjerë. Ndërsa dje ishte dita e tretë e hetimit për krimin e së shtunës, kur u qëllua për vdekje deputeti socialist, hetuesit pohojnë se janë afër zbardhjes. Madje ata shtojnë se e kanë arritur në pistën e vetme që çoi në ekzekutimin e 49-vjeçarit, por deri në kapjen e autorit, ajo nuk bëhet e ditur. Të gjithë personat e shoqëruar që nga mëngjesi i djeshëm e deri në të ngrysur janë marrë në pyetje në zyra të përshtatura pranë godinës së komisariatit të policisë së Fierit, enkas për këtë çështje. Burime nga grupi hetimor tregojnë se 6 furgonë janë mbushur me qytetarë nga Roskoveci dhe nga fshati Kurjan, vendlindja e viktimës Xhindi, që në orët e para të ditës. Ata janë lënë të lirë vetëm rreth orës 17:30, ku u konfirmua se në ambientet e policisë nuk kishte më të shoqëruar. Deponimet e tyre nuk bëhen të ditura, pasi hetuesit janë justifikuar me mundësinë për të nxjerrë sekretin hetimor. Në deklarimet e tyre nuk përjashtohet fakti se mes të shoqëruarve janë dhe të dyshuar konkretë për krimin që i mori jetën deputetit Fatmir Xhindi. Të shoqëruarit janë banorë të qytetit dhe fshatit ku Xhindi ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, ashtu si dhe orët e fundit dhe ky dyshohet se ka lindur konflikti që çoi deri në marrjen e jetës së tij. Të gjithë të shoqëruarit kanë dhënë dëshmitë e tyre mbi veprimet e deputetit dhe marrëdhëniet e tij me personat që e rrethonin. Nuk jepen detaje të hollësishme rreth ndonjë dëshmie konkrete, gjithsesi me këtë po merren hetues të specializuar të cilët po studiojnë çdo fjalë apo citim nga qytetarët e shoqëruar. Po kështu duhet theksuar fakti që të gjithë bashkëqytetarët e deputetit nuk kanë kundërshtuar shoqërimin e tyre në polici. Paralel me hetimet që po kryhen në ambientet e policisë, grupe të veçanta të uniformave blu janë gjendur dje në territoret pranë zonës së Kurjanit dhe në kodrinat e Roskovecit. Përgjatë këtyre shtigjeve uniformat blu kanë vijuar të kërkojnë ndonjë të dhënë a provë që i çon deri tek autori i ngjarjes makabër. Ndërkaq, burime të prokurorisë së Fierit, pjesë të grupit të hetimit të Krimeve të Rënda, pohojnë se aktualisht janë në hapat e fundit të zbardhjes plotësisht të kësaj ngjarjeje. Kjo sipas tyre për vetë faktin se kanë arritur të kenë në dorë një pistë konkrete tashmë, e cila edhe pse nuk bëhet e ditur për arsye të hetimeve, sërish duket se është një pistë që i ka bindur prokurorët të ngushtojnë rrethin e të dyshuarve. Organet kompetente besojnë se janë fare pranë zbulimit të autorit, i cili pritet që shumë shpejt të ketë një emër dhe se arrestimi i tij sipas burimeve është çështje orësh. Përqendrimi i hetimeve vetëm në zonën ku banonte Xhindi lë të kuptosh se vrasja nuk ka pasur motiv politik, por arsye personale të vetë viktimës.
Në ambientet e komisariatit të policisë së Fierit është instaluar grupi i gatshëm, në përbërje të të cilit janë edhe përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që drejtojnë hetimet për vrasjen e deputetit socialist.

80 vetë
mësohet se janë marrë në pyetje gjatë ditës së djeshme, në cilësinë e dëshmitarëve që kanë dijeni për veprimet dhe marrëdhëniet e deputetit të vrarë me njerëzit përreth tij në zonën e Roskovecit dhe Kurjanit

4 ditë
mbushen sot nga vrasja në derën e shtëpisë së deputetit socialist, Fatmir Xhindi, i zgjedhur në 3 legjislatura rresht nga bashkëqytetarët e tij në Roskovec, ndërsa më parë kishte qenë i zgjedhur i komunës Kurjan

Pyeten familjarët
Burime të brendshme të grupit hetimor pohuan dje se pjesë e dëshmive të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes së vrasjes së Fatmir Xhindit janë bërë dhe ato të familjarëve të tij. Në ambientet e shtëpisë, ku dhe presin ngushëllimet për humbjen e vëllait të tyre, janë marrë deklarimet e 5 familjarëve të deputetit. Mësohet se ashtu siç kanë pohuar dhe në media, vëllezërit e deputetit të vrarë kanë këmbëngulur se nuk kanë asnjë konflikt pronësie, duke e përjashtuar nga hetimi këtë motiv. Megjithëse dhe për ta motivet dhe autorët e krimit janë mister.

Vrasja e deputetit angazhon 100 specialistë
Rreth 100 specialistë të fushës së drejtësisë janë angazhuar për hetimin dhe zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Kjo shifër pohohet nga burime të grupi hetimor, sipas të cilave këtu përfshihen prokurorë, oficerë policie e të shërbimit sekret. Që nga momenti i krimit, ata janë përqendruar në zonën e Fierit dhe të Roskovecit, aty ku u ekzekutua 49-vjeçari, për të hetuar dhe gjetur prova që do të hedhin dritë mbi ngjarjen.

Mungesa e dëshmitarit në krim
Mungesa e një dëshmitari në momentet e zënies pritë e më pas ekzekutimit të deputetit në derën e shtëpisë së tij, në Roskovec e vështirësoi që në nisje zbardhjen e krimit. Policia e prokuroria kanë shoqëruar dhjetëra persona deri tani, të gjithë në pozicionin e dëshmitarëve në aktivitetin që viktima zhvilloi në orët e fundit të jetës së tij.

Shpërblimi, 250 mijë euro informatorit
Vendosja e një shpërblimi marramendës kundrejt informacionit që do të japin personat që kanë dijeni për krimin ndaj deputetit nuk ka rezultuar ende përcaktues në këtë çështje. Që prej momentit të shpalljes së tij nga Ministria e Brendshme ka pasur një fluks telefonatash, por deri tani nuk kanë orientuar policinë drejt autorit të ekzekutimit të deputetit socialist, Fatmir Xhindi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›