E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Pse ika nga PD.Berishën e konsideroj konkurent, jo kundërshtar

 

ADI SHKEMBI

Ka një hapësirë të forcave të qendrës së djathtë, që nuk e gjejnë veten të përfaqësuar në atë koalicion, që thonë se është i djathtë në Shqipëri. Ky është argumenti politik i përdorur nga ish-kryeministri i qeverisë së parë pas rënies së regjimit komunist, Aleksandër Meksi, lidhur me rikthimin në politikën aktive, siç e quan ai, gjatë një interviste për “Panorama”.
Zoti Meksi, riktheheni në politikë pas 12 vjetësh me Polin e Lirisë. Përse tani ky rikthim dhe jo me PD-në?
Unë kam qenë në politikën aktive deri në fund të vitit 2001, kur është bërë Kuvendi i fundit i Partisë Demokratike, që nuk pranoi propozimet e mia për parimin ‘një anëtar, një votë’ dhe disa të tjera. Pas asaj e kam quajtur të panevojshme që të jem në një vend ku nuk kërkon të ketë rregulla demokratike, sepse një strukturë jo demokratike nuk mund të ndërtojë Shqipëri demokratike, që kemi dashur të gjithë ne në dhjetor të 1990. Pra, kthimi në politikën aktive do të thosha unë, sepse pasivisht kam qenë i pranishëm në shtyp me shkrime, intervista, ku jam munduar të them fjalën time gjatë kësaj kohe, kthimi tani bëhet për arsye pasi vëmë re në një farë mënyrë që ka një hapësirë të forcave të qendrës së djathtë që nuk e gjejnë veten të përfaqësuar në atë koalicion që thonë se është i djathtë në Shqipëri. Janë shumë probleme të kësaj qendre të djathtë, siç janë kthimi i pronave, ish të përndjekurit, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, evazionit fiskal, nepotizmit etj., të cilat kanë nevojë që dikush të luftojë për to. Kjo është arsyeja e angazhimit tim në politikë dhe për një detyrim moral ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në ato vite të vështira nga dhjetori i ‘90 deri kur morëm pushtetin.
Çfarë synoni me aktivizimin tuaj në këtë grupim politik, i cili është edhe kundërshtar i PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit?
Programi është mjaft i qartë për atë që ne tentojmë të paraqesim për 28 qershorin. Pikërisht lufta për drejtësi, lufta për një ekonomi të tregut të lirë, për demokraci, ishin pjesë e programit politik, të cilat unë nuk po them më, sepse ju i keni përpara. Për sa i përket kundërshtarit duhet të kuptoni që garat janë konkurrentë, kundërshtarë, janë ata që janë diametralisht të kundërt. Në këtë rast nuk mund të quhet në atë kuptim që i jepni ju fjalës kundërshtarë. Ne nuk jemi në një mendje me ata. Unë e kuptoj që mentalitetin e 50 vjetëve të mos jesh në një mendje do të thotë të jesh kundërshtar, sepse s’ke të drejtë të mendosh ndryshe. Unë bëj pjesë në ata që i jap vetes të drejtën të mendoj ndryshe dhe është vënia në jetë e ideve që tregon drejtësinë e tyre ose jo.
A do të ketë koalicion me Partine Demokratike pas zgjedhjeve? E përjashtoni një koalicion me të majtën?
Po e filloj nga e dyta, një parti që thotë që jam e qendrës së djathtë, që i bën vërejtje edhe të tjerëve që janë të qendrës së djathtë, nuk mund të bashkohet me të majtën për të qeverisur. Ne jemi një parti që synon maksimumin e votave, ne duam të jemi të pranishëm dhe e deklarojmë në mënyrë publike që po të kemi votat tuaja, ne dimë të qeverisim dhe dimë ta ndryshojmë Shqipërinë. Parulla jonë është ndryshimi jemi ne. Për sa i përket koalicionit në sistemin proporcional flitet gjithmonë pas zgjedhjeve dhe jo përpara zgjedhjeve.
Pikërisht, do të ketë marrëveshje paszgjedhore me Partinë Demokratike?
Pasi të mbarojnë zgjedhjet duhet të flasim.
Dhe nëse kjo ftesë ju vjen para zgjedhjeve?
Këto punë kanë mbaruar tashmë.
Sipas statutit të PD-se ju jeni ende anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie. E keni dorëzuar teserën e saj?
Dorëzimi i teserës është ceremoni demode, por unë do të thosha që statuti ka pika të tjera shumë herë më të rëndësishme dhe thelbësore siç janë mbledhja e Këshillit Kombëtar, të miratosh politikat, të zbatosh parimin ‘një anëtar një votë’ që gabimisht e kanë futur për të keqen dhe të zezën e tyre siç thonë shkodranët. Të zbatohen ato pika të rëndësishme të statutit, pastaj flasim për pikat e tjera. Nuk fillohet nga bishti ky muhabet, apo jo.
Pra nuk e keni më teserën e Partisë Demokratike, duke qenë se keni marrë drejtimin e një koalicioni tjetër...
Nuk e di atë punë...

Programi i Meksit

 Do të angazhohemi të jemi një forcë opozitare kundrejt çdo tentative regjimi  Do të luftojmë me të gjitha mjetet që ofron demokracia në se shohim shmangie nga rregullat demokratike, nga  ligjet dhe e drejta.  Do t’i jepet zgjidhje problemeve ekonomike: zhvillimit të vendit, uljes së varfërisë, kthimit tek puna, zgjidhja përfundimtare e problemeve të zvarritura si ato të dëmshpërblimit të ish-përndjekurve politik dhe kthimit dhe kompensimit të pronave, mbrojtjes sociale të të varfërve dhe atyre në nevojë,  krijimit të një sistemi fiskal të qëndrueshëm si ai i vendeve evropiane e jo një sajesë “specifike”  shqiptare.  Do të punojmë për forcimin e rendit publik dhe të ruajtjes së kufijve si kushte për të udhëtuar në Evropë pa viza.  Do të luftojmë veprat kriminale, si vrasjet, me rreptësi ligjore dhe çarmatosje.  Do të zhvillojmë një luftë të pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me ligje bashkëkohore, që sot janë deformuar në fushën e prokurimeve, koncesioneve dhe kontrollit të pasurisë së bashku me konfliktin e interesit e nepotizmin.

Ndoka
“Ne kemi Meksin, Berisha ka Xhuvelin”
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka tha dje gjatë konferencës për shtyp se koalicioni është i hapur edhe për figura të tjera të së djathtës. “Poli i Lirisë është i hapur, ka kryeministrin më të suksesshëm, dy zv/kryeministrat dhe mjaft potenciale që kanë dhënë një kontribut të pamohueshëm në qeverisjen e vendit dhe në politikën aktive. Pra është arritur maja”. Sipas tij “Duke e krahasuar edhe me pjesën e mbetur të Partisë Demokratike, sot kjo parti është në koalicion me Xhuvelin, me Gërdecin, pra me pjesë të majta, ndërsa realisht e djathta, qeverisja e pastër e viteve 92-96 është totalisht te poli i lirisë. Kanë ndryshuar gjërat, por në sensin pozitiv”.

Shehi
“Do vazhdojmë rrugën që nisëm në ‘92”
Sipas kreut të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi “kemi filluar një rrugë e cila ka mbetur përgjysmë. Qemë të zotë të luftojmë komunizmin, nuk qemë të zotë të ndërtojmë një demokraci funksionale. Bashkë me zotin Meksi janë ofruar edhe shumë kolegë të vjetër të Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare. Bashkë me Meksin do të rifillojmë edhe njëherë rrugën e gjatë malore të demokracisë për të cilën ka nevojë Shqipëria”. Ish-zv/kryeministri i PD-së gjatë viteve ‘92-‘96 theksoi më tej se “gjykoj që kjo është një ditë e mbarë për të gjithë qendrën e djathtë shqiptare, për të gjithë demokracinë shqiptare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›