E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e nevojshme e tregut të sigurimeve

Avni Ponari 

Për shumë arsye që tashmë dihen, industria e sigurimeve në Shqipëri është në një nga nivelet më të ulëta në botë, vetëm 10-12 euro për frymë. Natyrisht, shkaqet janë disa, por  ...në thelb mbetet vetëm një: dëshira për ta zhvilluar këtë industri. Janë disa faktorë, të cilët sot kanë dalë më në pah dhe nëse nuk konsiderohen të rëndësishëm, atëherë vazhdojmë të thellojmë gabimin. Mungesa e kulturës së sigurimeve dhe trashëgimisë së saj, mungesa e legjislacionit që bën të mundur zhvillimin e kësaj industrie, kanë bërë që tregu shqiptar i sigurimeve të thithë vetëm 5-10 për qind të kapacitetit të tij dhe të lërë në mëshirë të fatit, jashtë mbulimit në sigurim, gjithë pasurinë kombëtare. Në të gjithë territorin e vendit, dëmet njerëzore dhe materiale janë aq të mëdha sa llogariten jo më me mijëra por me miliona, dëmtohen automjetet, aksidentohen me dhjetëra qytetarë shqiptarë, shemben ura, DËMTOHET sistemi energjetik i vendit, përmbyten me mijëra hektarë tokë, digjen me mijëra hektarë pyje, shkatërrohen nga breshëri me dhjetëra hektarë të mbjella, vidhen  pasuri private të çdo lloji, vidhen automjete, dyqane, digjen magazina e pasuri të tjera, të cilat kapin shifra mjaft të larta. Për me tepër, vazhdon të ekzistojë i njëjti mentalitet si 20 vjet më parë me sytë tek qeveria, bashkia dhe organizma të tjera zyrtare shqiptare. Padyshim, në fund të fundit është ekonomia kombëtare e dëmtuar. Dhe, pas kësaj vërshojnë kërkesa drejt qeverisë për çelje fondesh, për ndihma emergjente, duke e bërë shtetin  njëkohësisht fajtor dhe dëmshpërblyese. Pas gjithë këtyre dëmeve, janë shoqëritë e sigurimit ato që kanë si qëllim, për të cilin dhe janë krijuar, të vendosin në gjendjen e mëparshme financiare subjektet apo individët e dëmtuar. Duke mbrojtur  në ketë mënyrë edhe taksat e qytetarëve dhe destinacionin e tyre. Hartimi i reformave në emër të zhvillimit të kësaj industrie, në të vërtetë nuk i shërben këtij zhvillimi dhe mungesa e një strategjie zhvillimi afatshkurtër dhe afatgjatë është problemi kyç. Historia e sigurimeve ka filluar shumë herët në botë, histori që tashmë e ka modernizuar e zhvilluar këtë industri. Dhe natyrisht që sot është në tërësi mbrojtje dhe suportuese e të gjithë sistemit bankar dhe financiar në botë.
Pse duhet zhvilluar industria e sigurimeve
Domosdoshmëria e zhvillimit të kësaj industrie lind nga disa faktorë, por themelor mbetet ajo që, kjo industri krijon në vetvete, garancitë e vazhdimësisë së jetës, biznesit dhe çdo fushe tjetër nga ana financiare. Kur flasim për zhvillim të një industrie sigurimesh, nuk mund të lëmë jashtë edhe fondet e pensioneve private dhe strukturat e tjera të kësaj fushe. Ekspertët e bankave dhe të financave në Shqipëri flasin për një krizë financiare, por asnjëri nuk flet pse është kjo krizë në Shqipëri, çfarë faktorësh e mbështesin dhe çfarë e largojnë nga kriza globale, apo çfarë duhet bërë për ta minimizuar atë deri në maksimum. Ata flasin për terma të ekonomisë globale dhe lënë pa analizuar ekonominë e vendit dhe faktorët mbi të cilat ajo është mbështetur në tërësi. Shqipëria për ketë 10-vjeçar pati një zhvillim të madh në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe ky zhvillim është natyrisht rezultat edhe i zhvillimit të sistemit bankar. Ky sistem i parapriu ekonomisë në tërësi, u përfshi nga një garë e shfrenuar kredish, për të kapur sa më shumë biznese, duke harruar pjesën hyrëse të fondeve dhe mundësitë nga mund të fuqizohet dhe nga mund të ndërpritet. Pjesa themelore hyrëse në Shqipëri janë paratë e refugjatëve dhe GDP e brendshme, të cilat njëra vjen duke u pakësuar dhe tjetra duke u rritur. Treguesit e tremujorit të parë flasin për një ulje remitancave të emigrantëve në masën e rreth 20 %. Por, a mund të mbështetet ekonomia e një vendi mbi bazën e këtyre të ardhurave? Natyrisht që jo. Kush është ai faktor që bën të mundur zhvillimin e ekonomisë dhe në veçanti të industrisë financiare? Kush është faktori që në tërësi fuqizon investimet e brendshme ose mban në këmbë sistemin bankar? Nëse AIG do binte, vallë sa banka në botë do të binin menjëherë? Këtë pyetje është vështirë ta bëjë një njeri dhe natyrisht përgjigja është e vështirë ose e pakonceptueshme për publikun dhe për ekspertët e ekonomisë.
Çfarë roli zë industria e sigurimeve në jetën e vendit
Industria e sigurimeve, është njëra nga tri shtyllat e ndërtimit të shoqërisë dhe zhvillimit të saj. Periudha që kalojmë ka pasur luhatjet e saj. Ajo ka pësuar të gjithë elementët e një vendi në tranzicion të gjatë. Tregu i sigurimeve, sot është zhvilluar vetëm në një drejtim: vetëm në shtimin e numrit të kompanive dhe jo në nivelin e duhur të shërbimeve dhe elementëve që karakterizojnë tregun. Prandaj, edhe ky treg është mjaft i vogël dhe jo pak i përfolur. Një treg sigurimesh motorike dhe pak sigurime vullnetare dhe fare pak sigurime jete dhe pensione private. Totali i tregut të sigurimeve për vitin 2008 ishte 57.600.000 euro, Nga këto, rreth 32 milionë euro ishin sigurime motorike, 22 milionë sigurime vullnetare, 4.2 milionë sigurime jete dhe rreth 400 mijë pensione private. Në analizën e tremujorit të parë të këtij viti vihet re se ky treg ka rritje. Në total për tre muajt e parë, sigurimet kapën shifrën e 15 milionë euro. Duke e ndarë për frymë të popullsisë rritja është nga 13 euro në vitin 2008 në 14 për vitin 2009. Nëse e shikojmë këtë treg në tërësi, kjo mund të konsiderohet një rritje mjaft e vogël dhe pa vlera të konsiderueshme për kushtet dhe mundësitë që ka vendi ynë.
Cilët janë elementët e zhvillimit të tregut
Elementët e zhvillimit të tregut janë të tjerë faktorë, për të cilët duhet mjaft kohë për të folur, por bazë mbetet krijimi i opinionit për domosdoshmërinë e zhvillimit të këtij tregu, largimit të përgjegjësisë së shtetit nga përkujdesja ndaj çdo ngjarjeje të ndodhur dhe krijimi i përgjegjësive individuale për t’u mbrojtur nga çdo fatkeqësi dhe kjo kërkon mbushjen e vakumit ligjor që ekziston për këtë industri. Le ta shikojmë nga ana organizative: A.M.F e krijuar varet direkt nga parlamenti si dhe bankat dhe raporton çdo vit në parlament. Natyrisht që ato flasin gjëra të mira për punën e mirë dhe për rritjen e natyrshme që mund të ndodhë në ekonomi si e jona.
Si është përvoja botërore dhe a i duhet referuar asaj?
Para disa kohësh Rusia krijoj Këshillin Konsultativ për zhvillimin e tregut financiar të vendit në vartësi të presidentit të federatës ruse. Natyrisht që ky këshill është një këshill konsultativ, që merret me përmirësimin e politikave të zhvillimit të tregut financiar. Këtu nuk kërkoj të bëj paralelizma, por midis parlamentit shqiptar dhe A.M.F nuk ka asnjë hallkë ndërmjetëse konsultative apo të një natyre tjetër që furnizon parlamentin me shqetësimet e palëve të A.M.F, të tregut dhe të konsumatorit. Edhe vendet e tjera kanë afërsisht të njëjtën strukture, por themelore mbetet për këto organizma zhvillimi i këtij tregu.
Pse tregu i sigurimeve mbetet i vogël në Shqipëri
Është fatkeqësi, që tregu i sigurimeve në Shqipëri është shumë i vogël, pra paguhet vetëm 13 euro për frymë për disa arsye. Këto të fundit janë përmendur disa herë dhe janë evidente dhe faktor objektiv dhe subjektiv, për të cilët po përpiqemi t’i minimizojmë për ta zhvilluar tregun. Natyrisht që një rol të madh në këtë drejtim kanë organet shtetërore, duke i dhënë vendin e duhur industrisë së sigurimeve, për ta zhvilluar atë. Unë po ju rendis vetëm disa ngjarje të ndodhura në Shqipëri, të cilat janë raste sigurimi dhe se do duhej që ato të ishin të mbuluara në sigurim. Të gjitha ngjarjet e ndodhura në det, djegiet, shpërthimet e bombolave të gazit, përmbytjet, shembjet e dherave e rreziqet e mëdha që kanë pësuar fshatra e godina në qytete, të gjitha llojet e aksidenteve e shumë ngjarje të tjera, janë të pambuluara financiarisht. E pra, kjo e bën të domosdoshëm zhvillimin e legjislacionit në këtë fushë.
Si mund të zhvillohet ky treg
Natyrisht tani industria e sigurimeve në Shqipëri është e formuar. Investitorë të mëdhenj strategjikë kanë hyrë në tregun e sigurimeve, UNIQA grup Austria, Wiena insurance grup dhe Aspis. Pra, është garantuar ose më mirë janë garantuar investitorët strategjikë. Me përvojën e grumbulluar deri tani dhe mbi bazën e eksperiencave të vendeve të zhvilluara me të cilat kemi kontakte çdo ditë, nuk është e thënë që ne do të krijojmë gjëra të reja. Mjafton të ecim në rrugën e atyre, andej nga kanë kaluar ata, duke i përshtatur gjërat me kushtet e vendit tonë.
Çfarë efektesh ka në ekonominë e një vendi zhvillimi i sigurimeve?
Një industri e zhvilluar do të thotë një ekonomi e përparuar dhe natyrisht një sistem financiar i konsoliduar, me shumë likuiditet dhe hapësirë ekonomike. Nëse tregu i sigurimeve do të ishte 100 euro për frymë në vit, do të thotë që, në xhiro do të ishin çdo vit 400 milionë euro, pra automatikisht, me këtë raport prime-dëme do kishim rreth 200 milionë dëme të paguara dhe do kishim shtesa në rezervat teknike, rreth 100 milionë të tjera. Kjo do të thotë që, në banka do të kishim mbi 500 milionë euro likuiditete të tregut të sigurimeve pra para që do ishin në qarkullim dhe likuiditetet do të ishin sot më të mëdha, bankat do të kishin më shumë depozita, ekonomia do të kishte më shumë frymëmarrje. Po ju jap disa shembuj: për vendet fqinje si Kroacia, Mali Zi, pa folur për Slloveninë që ka 2000 euro për frymë në vit, kuptohet çfarë efekti financiar kanë këto mjete në ekonominë e një vendi. Do sjell një fakt: Një nga vendet e Evropës Lindore kërkoi të mblidhet informacion për ketë industri dhe çfarë mundësish rritjeje ka. Në programin e tij strategjik ky vend vendosi rritjen për frymë të popullsisë të sigurimeve, duke e shtuar për 5 vjet nga 50 euro në 300 euro për frymë. Me një shifër të tillë, Shqipëria shkon automatikisht në 1.2 bilionë   euro në vit, ku ekonomia merr frymëmarrjen e plotë. Kuptohet që, nëse kjo bëhet prioritet i qeverisë, atëherë mundësitë janë shumë të mëdha dhe përgatitja e një plani të tillë strategjik është sa i thjeshtë edhe i zbatueshëm. Për më tepër, ekspertët dhe mundësitë nuk mungojnë në këtë fushë. Mungon dëshira dhe predispozicioni për ta zhvilluar.
A duhet të ketë Shqipëria një strategji të qartë zhvillimi të  tregut sigurimeve
Kriza botërore financiare bëri të mundur, që çdo vend të shikojë mundësitë e veta për të lehtësuar sado pak efektet e saj. Vende të vogla si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e kanë më të lehtë të gjejnë zgjidhje më të shpejta dhe më fleksible  pa rënduar shumë interesat e qytetarëve, por duke u vënë në shërbim të tyre dhe duke u ofruar atyre shërbime të reja.  Njëra nga këto fusha është zhvillimi i industrisë si e vetmja  alternativë për të krijuar likuiditete dhe mundësi financimi në vend. Për këtë Kryeministri i Rusisë miratoi Strategjinë për Zhvillimin e Tregut të Sigurimeve në Rusi deri në vitin 2013, të përgatitur nga Ministria e Financave. Strategjia  përfshin studimin e performancës aktuale të tregut rus të sigurimeve, prirjet kryesore të zhvillimit si dhe parashikimet deri në vitin 2012. Prirjet kryesore do të jenë po të njëjtat: përqendrimi i kapitalit, konsolidimi dhe krijimi i grupeve financiare. Në vitin 2007 siguruesit rusë shënuan 21.5 bilionë euro prime dhe 13.1 bilionë dëme të paguara, ndërkohë që vlera e primeve për frymë ishte 150 euro. Kjo vlerë do të vazhdojë të rritet duke kapur shifrën 180-230 euro/frymë në 2010 dhe 255-306 euro/frymë në 2012.  Deri në vitin 2010 primet e shkruara bruto në Rusi do të jenë rritur 1.4-1.5 herë duke arritur në këtë mënyrë vlerën prej 25.5-30.6 bilionë euro. Në të njëjtën kohë, shuma totale e dëmeve të paguara do të jetë 15.3-16.5 bilion euro. Deri në vitin 2012 vëllimi total i primeve në treg do të shkojë 33.1-40.8 bilion euro kurse ai i dëmeve të paguara në 20.4-23 bilion euro. Sigurimet vullnetare parashikohen të shënojnë një rritje të shpejtë. Duke përcaktuar dhe nivelin e rritjes  qeveria po përgatitet të miratojë ligjin  federal për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë në industri dhe në këtë rast vëllimi i sigurimeve të detyrueshme do të përbëjë 60-65% të primeve në total. Krahasuar me nivelin e primeve për frymë në vit në Shqipëri që është 10-11 euro merret me mend se sa mundësi dhe hapësirë ka qeveria shqiptare të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta zhvilluar këtë treg si e vetmja mundësi që do të krijojë frymëmarrje të qëndrueshme për gjithë sistemin financiar në vend. Por kur do të ketë Shqipëria një program të tillë strategjik për zhvillimin e tregut të sigurimeve? 
* Dretjor i Përgjithshëm i SIGAL

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›