E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta, e ndarë për dëshmorët

 

Aristir Lumezi

Dita e Dëshmorëve të Atdheut nuk arriti të bashkojë të majtën dje në Varrezat e Dëshmorëve. Në ditën e 5 Majit, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, e majta u shfaq dje krejtësisht e ndarë, në pozicionet e saj të koalicioneve, ashtu siç ata janë përcaktuar edhe për të hyrë në zgjedhje. Ndryshe nga e djathta, e cila edhe pse ka shfaqur divergjenca dhe ftohje mes ekzekutivit dhe Kuvendit ndaj Presidentit, dje ishte e bashkuar dhe në një nderim të përbashkët ndaj të rënëve në luftë, e majta paraqiti një pamje krejt ndryshe. Të dy grupimet, PS dhe LSI u kujdesën dje të ishin në orare të ndryshme në Varrezat e Dëshmorëve, ndërsa në fjalët e liderëve u shfaq ideja e realizimit të idealeve të dëshmorëve të rënë në luftë. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, vendosi kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” dhe bëri më pas disa vizita në familjet e dëshmorëve, Vasil Shanto, Mustafa Kaçaçi dhe Riza Peposhi. I pyetur nga gazetarët për qëndrimin të ndarë të së majtës në këtë ditë të shënuar, kreu i LSI-së tha se “respekti dhe mirënjohja e Ilir Metës për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe për dëshmorët e Atdheut, nuk ka ndryshuar asnjëherë, sepse Ilir Meta vjen dhe nga një familje partizanësh”. Por kreu i LSI-së vlerësoi ditën e dëshmorëve si një simbol i sakrificës dhe vetëmohimit në emër të atdheut. “Idealet e dëshmorëve për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri të begatë, janë ato që na frymëzojnë çdo ditë në projektin tonë për një Shqipëri Evropiane, ku të gjithë shqiptarët të jetojnë në liri, të jetojnë në paqe dhe në begati”, tha Meta. Kreu socialist Edi Rama pasi vendosi kurorë në monumentin ‘Nënë Shqipëri’ dhe bëri homazhe, mbajti një fjalë me rastin e kësaj dite, në qendër të së cilës ishte vlerësimi i luftës dhe dëshmorëve të saj, dhe lënien pas të ndasive dhe urrejtjes që politika e vjetër ka sjellë. “Çdo 5 Maj, ne kujtojmë në këtë pllajë të heshtur, ata që në moshën më të re, u sakrifikuan për një botë të re. Qemal Stafa u vra në rrugët e ëndrrës për liri, barazi dhe vëllazërim. Në vend të vllazërimit, bota e re solli ndasinë e përgjakshme dhe sot e gjithë ditën, Atdheu që kujton Qemalin e shokët e tij, vuan prej urrejtjes shkurajuese, që vazhdon të ushqehet në atë ndasi të vjetër. Politika e bart në vetvete urrejtjen përçarëse të së shkuarës dhe e përçon kudo, vijimësisht, duke na mbajtur të ndarë në një grindje pa mbarim, pasi kemi rifituar lirinë e humbur për të qenë vetvetja në një botë të hapur, për të kërkuar barazinë në një kohë mundësisht të pafundme, për të ndërtuar vëllazërimin në një Atdhe që ka pafundësisht nevojë për dashurinë tonë, për të e për njëri-tjetrin”, u shpreh Rama para të pranishmëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›