E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të rinj përplasen me policin, plagoset kalimtarja



PESHKOPI – Një përplasje mes dy të rinjve dhe një punonjësi të forcave të rendit para Komisariatit të Policisë së Peshkopisë ka përfunduar me plagosjen e një kalimtareje. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se dy ditë më parë shtetasit Donald Tuko dhe Ervin Spahiu kanë tentuar të hyjnë brenda në komisariat, por janë ndaluar pas përdorimit të armës së zjarrit nga një polic. Pikërisht në këtë moment, njëri nga plumbat e qëlluar në ajër për të trembur dy të rinjtë ka sjellë plagosjen e shtetases Manushaqe Kacani. Sot pritet të jepet masa e sigurisë nga gjykata për 19-vjeçarin Tuko dhe 26-vjeçarin Spahia. Ndërkohë, një grup i posaçëm po merret me zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Konflikti
Donald Tuko dhe Ervin Spahia kanë shkuar mesditën e së martës para ndërtesës së Policisë së Qarkut të Dibrës dhe janë përpjekur të futen brenda për të takuar drejtuesit. Njërit prej tyre i ishte bllokuar makina dhe po tentonin që të bisedonin me krerët e Policisë së Qarkut për të nxjerrë automjetin nga pika e grumbullimit të mjeteve të sekuestruara. Në momentin që iu është refuzuar kërkesa e tyre, ata kanë tentuar të hyjnë me forcë. Sipas burimeve policore, Tuko dhe Spahia u përpoqën të hyjnë forcërisht, duke u konfliktuar me punonjësit e policisë Qemal Kaloshi dhe Halil Selishta. Madje, sipas të dhënave zyrtare të policisë vendore, njëri prej të rinjve ka tentuar t’i marrë armën e brezit punonjësit të policisë. Në këto rrethana, efektivi i rendit ka qëlluar në ajër për t’u vetëmbrojtur. Por, njëri nga plumbat ka qëlluar në trup shtetasen Manushaqe Kacani, e cila po kalonte rastësisht në vendin ku ndodhi ngjarja. Kacani është dërguar në Spitalin e Peshkopisë dhe, sipas burimeve zyrtare, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Arrestimi
Policia bëri arrestimin e menjëhershëm të dy të rinjve, Donald Tuko dhe Evin Spahia, në kushtet e flagrancës. Ata janë prangosur dhe më pas shoqëruar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Sot pritet të jepet masa e sigurisë për dy të arrestuarit. Ata akuzohen për “kundërshtim të forcave të policisë gjatë ushtrimit të detyrës”. Dosja në ngarkim të 19-vjeçarit Tuko dhe shokut të tij i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit. Ndërkaq, pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes, efektivi që qëlloi në ajër, ku mbeti e plagosur një shtetase, pritet të dëshmojë në procesin ndaj dy të rinjve. Disa ditë më parë, gjatë një konflikti me armë zjarri mes dy grupeve rivale në qytetin e Shkodrës mbeti i plagosur një 55-vjeçar.

Arrestohet tritolvënësi, donte të hakmerrej te pronari

FIER - Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar për vendosjen e eksplozivit mbrëmjen e së martës në një disko në lagjen “Apolonia”, në qytetin e Fierit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut pohojnë se është arrestuar shtetasi Dionis Filipi. Sipas tyre, mësohet se 29-vjeçari e ka vendosur lëndën eksplozive në mjediset e lokalit pas një sherri banal me pronarët e objektit. Pas ngjarjes, policia nisi verifikimet dhe më pas u nis drejt banesës së Filipit ku bëri prangosjen e tij. Nga të dhënat e para mësohet se Dionis Filipi ishte konfliktuar disa javë më parë me pronarin e diskotekës, shtetasin Vullnet Hoxhallari, i cili është ndaluar pak ditë më parë pasi ishte dënuar nga drejtësia italiane me 23 vjet burg për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjatë shpërthimit të tritolit mbrëmjen e së martës nuk u regjistrua asnjë person i plagosur, por vetëm dëme materiale, thyerje xhamash.

Sherri me thika, plagosen tre të rinj në Durrës

DURRËS - Një sherr mes një grupi të rinjsh ka përfunduar me plagosjen e tre personave. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit pohojnë se ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm. Sipas tyre, janë tre të rinj që kanë përfunduar në spital. Deri tani mësohet se sherri ka nisur për motive të dobëta dhe më pas kanë përdorur edhe armë të ftohta. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur mbikalimi i Shënavlashit në Durrës. Policia ende nuk ka identifikuar personat që kanë plagosur tre të rinjtë, por mësohet se ata janë të moshës rreth 20 vjeç. Tre të rinj kanë debatuar te mbikalimi i Shënavlashit por më pas kanë nxjerrë thikat, duke i shkaktuar plagë të rënda njëri-tjetrit, - thanë për policinë dëshmitarë në vendin e ngjarjes. Burimet spitalore pohojnë se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.

Gërmonte kromin me kazmë, shpërthen granata

BULQIZË - Gërmonte në masivin e kromit me kazmë, por ka mbetur i plagosur nga shpërthimi i një granate. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Dibrës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm teksa shtetasi Kujtim Miftari po nxirrte mineral nga sipërfaqja e zonës. Në kohën kur 29-vjeçari po punonte me kazmë për gjetjen e copave, mjeti ka hasur në një granatë që ka shpërthyer. Në moment, i riu ka rënë përtokë i gjakosur nga shpërthimi i granatës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, ai ka marrë plagë në fytyrë dhe në sy dhe është dërguar për mjekim në spital, i ndihmuar nga kolegët. Mjekët që e pritën në urgjencë i kanë dhënë ndihmën e parë dhe për fat kanë deklaruar se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vetëm pak ditë më parë, në këtë minierë, por brenda në galeri, humbi jetën një minator gjatë shpërthimit të lëndës eksplozive.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›