Vrasja e ish-drejtorit të KESH-it, arrestohet një nga të dyshuarit
TROPOJË – Vrasja e ish–drejtorit të KESH-it të Tropojës ka edhe një bashkëpunëtor të dyshuar, i cili është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga policia përmes një aksioni të befasishëm. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit konfirmuan se rreth orës 5.00 të ditës së mërkurë, në qytetin e Bajram Currit është organizuar operacioni i koduar me emrin “Mëngjesi”, për kapjen e 23-vjeçarit Bekim Dauti. I riu, lindur e banues në Tropojë, është ndaluar pasi dyshohet se është bashkautor në vrasjen e Sadri Metaliajt, ngjarje e ndodhur para tri ditësh në qendër të qytetit verior. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se Bekim Dauti, në bashkëpunim me Astrit Breçanin, për motive hakmarrjeje kanë qëlluar me armë zjarri mbi Sadri Metaliajn”, - deklaroi policia. Ajo shtoi se aktualisht nga ana e grupit hetimor vazhdon puna për gjetjen dhe kapjen e shtetasit Astrit Breçani. Ndërkohë, materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë për veprën penale të vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim.
13 Nentor 2008