E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: “Sistemi part-time do të jetë 4-vjeçar”



Studimet me kohë të pjesshme do të kenë një kohëzgjatje më të madhe në krahasim me arsimin me kohë të plotë, të paktën një vit më shumë. Lajmi për kohëzgjatjen e këtyre studimeve bëhet i ditur nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili thekson se sistemi part-time do të jetë 4-vjeçar në mënyrë që diploma të jetë e njëjtë me sistemin e ditës. Përsa i përket fillimit të studimeve me kohë të pjesshme, rektori i UT-së shprehet se këto studime do të nisin brenda këtij muaji. Rektori Kule sqaron se studentët do të kenë të njëjtat kurrikula për studimet e pjesshme, por do ta mbarojnë një vit më vonë ciklin e studimeve. Ndërsa udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, që pritet të miratohet së shpejti edhe nga qeveria, përjashton nga studimet part-time maturantët që nuk i janë nënshtruar ose nuk i kanë marrë provimet me zgjedhje të Maturës, këta të rinj mund të shpresojnë për të filluar këto studime gjatë këtij viti akademik. Për këtë çështje, Kule sqaron se nuk duhet të bëhen dallime diskriminuese për këta maturantë. “Mendimi im në këtë pikë është që nuk duhet të diskriminohet. Madje edhe në sistemin me kohë të plotë duhet të ishin trajtuar të barabartë me sistemin jopublik. Me sistemin part-time gjykoj që duhet ta kenë mundësinë të gjithë, edhe ata që nuk kanë marrë provimet me zgjedhje dhe gjithë të tjerët”, - pohon rektori i UT-së.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›