E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpejtësia u merr jetën dy personave, plagosen tre të tjerë në aksidente



Edhe dita e djeshme ka regjistruar një bilanc të përgjakshëm në rrugët e vendit tonë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit raportojnë për të paktën dy të vdekur dhe tre të plagosur në disa ngjarje që ndodhën në Shkodër, Durrës dhe Shijak. Aksidenti më i rëndë u regjistrua në veri të vendit, ku një automjet me dy të rinj ka rënë në Lumin Drin, duke shkaktuar vdekjen e tyre. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur Kthesa e Beltojës në Rrethin e Shkodrës. Makina me targa të huaja drejtohej nga Fatjon Methasani, student stazhier në universitetin “Luigj Gurakuqi. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut Fatbardha Çelepia, mjeti tip Golf, me targa italiane PI 588551, ka dalë nga rruga duke përfunduar në lumë për shkak të shpejtësisë. Për pasojë kanë gjetur vdekjen 40-vjeçari Karasani dhe 22-vjeçari Methasani, të dy lindur dhe banues në rrethin e Dibrës. Policia ka mbërritur në vendngjarje pas një telefonate të mbërritur në komisariat nga një shok i dy viktimave. Kërkimet në ujërat e Drinit nisën që në orët e para të mëngjesit. Fillimisht forcat e RENEA-s gjetën trupin e 40-vjeçarit Karasani dhe më pas, rreth orës 13.00, ekipet e kërkimit gjetën edhe trupin e pajetë të studentit.
Një tjetër aksident me pasojë plagosjen e tre personave ndodhi në periferi të Shijakut. Tre të rinj, pasi kanë pirë nëpër lokale gjatë gjithë kohës, janë nisur në gjendje të dehur me një makinë tip Ford Fiesta, me targa AA SI 25, të drejtuar nga shtetasi Arin Kullolli, por një frenim i menjëhershëm i makinës ka shkaktuar përmbysjen e saj dhe për pasojë plagosjen e pasagjerëve. Burimet zyrtare pohojnë se kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për shtetasin Arian Kullolli, 27 vjeç, lindur dhe banues në Shijak. Procedimi penal ndaj tij nisi pasi ai akuzohet për veprën penale të drejtimit të automjetit në gjendje të dehur dhe pa dëshmi. Të dëmtuarit morën ndihmën e parë mjekësore dhe aktualisht shtetasi Arian Kullolli ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasi I.Gj. u largua për në banesë. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore nga struktura për hetimin e krimeve Durrës, po punohet në drejtim të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet proceduriale do t’i kalojnë për ndjekje Prokurorisë së Rrethit të Durrësit.

BILANCI I AKSIDENTEVE
Shkodër
Moisi Karasani, i vdekur
Fatjon Methasani, i vdekur

Durrës
Arian Kullolli, i plagosur
I.Gj, i plagosur
M.F., e plagosur

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›