Itali, policia shkatërron një rrjet trafikantësh, mes tyre edhe shqiptarë
Policia e Firences ka ndërmarrë një aksion për kapjen e një grupi trafikantësh, të cilët dërgonin drogë në Itali nëpërmjet Marokut dhe Spanjës. Njoftimet e policisë bëjnë të ditur se janë 31 veta të lidhur me këtë trafik, disa prej të cilëve janë arrestuar, ndërkohë që të tjerë janë nën hetim. Mbi këtë grup rëndon edhe akuza për prostitucion. Hetuesit e Pizës dhe Firences kanë nisur dy vjet më parë hetimet për ushtrimin e prostitucionit të vajzave shqiptare dhe rumune nga tutorë shqiptarë të vendosur në një provincë të Firences dhe Pizës. Më pas ky grup është përfshirë edhe në trafikun e drogës. Gjatë hetimeve, policia ka arritur të sekuestrojë rreth 250 kilogramë hashash, 2 kg e gjysmë kokainë dhe 500 gramë amfetaminë, me një vlerë prej 4 milionë eurosh. Poseduesit e drogës janë arrestuar në flagrancë.
Një polic shqiptaro-maqedonas, pjesëmarrës në vrasjen e specialit të “Tigrave”
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë njoftoi dje për mediat se polici B. B. është pjesë e grupit, që siç thuhet, ka qenë pjesë marrës në vrasjen e pjesëtarit të njësitit special “Tigrat” në janar të këtij viti. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, B. B. u arrestua pasi disa ditë ishte në arrati. I arratisur tashmë është edhe anëtari tjetër i grupit Harun Aliun, kryetari i Alternativës Kombëtare dhe ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si Kushtrimi. Ministria njoftoi se implikimin e Bajramit e kanë pranuar dy të arrestuarit e tjerë që dyshohen si pjesëmarrës të grupit, Ismail Etemi dhe Bekim Dardhishta dhe se sipas policisë ata kanë pranuar në deklaratat e tyre se kanë ndërmarrë sulmin ndaj policisë në shenjë hakmarrje për operacionin policor në Brodec në nëntor të vitit të kaluar. Ndaj grupit të lartpërmendur është ngritur masë paraburgimi prej 30 ditësh, edhe pse Harun Aliu dhe Bashkim Bajrami gjenden në arrati. Vrasja e policit të njësisë speciale “Tigrat”, Zoran Markovski, ndodhi në janar të këtij viti në lagjen “Autokomandë” në dalje të Shkupit. Policia vërtetoi se aksioni u krye me një veturë të tipit Opel Vektra, nga e cila është shtënë me armë automatike në drejtim të automjetit transportues të policisë.
13 Nentor 2008