Inxhinieria e Ndërtimit, qeveria miraton 75 kuota për studimet e ciklit të dytë
Vetëm 75 studentë do të kenë mundësi të ndjekin ciklin e dytë të studimeve në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit pranë Universitetit Politeknik në Tiranë. Qeveria miratoi dje hapjen e dy programeve të ciklit të dytë, përkatësisht Inxhinieri Mjedisi dhe Inxhinieri Ndërtimi në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Për degën Inxhinieri Mjedisi me dy profile, Trajtim Uji dhe Energjetikë qeveria ka akorduar 50 kuota pranimi, ndërsa për degën Inxhinieri Ndërtimi, profili Gjeoteknikë 25 të tilla. Në përfundim të programit Inxhinieri Mjedisi do të lëshohen diplomat e mëposhtme: diplomë e nivelit të dytë, DND, në Inxhinieri Mjedisi, profili Trajtim Uji; diplomë e nivelit të dytë, DND, në Inxhinieri Mjedisi, profili Energjetikë. Në Inxhinieri Ndërtimi, profili Gjeoteknikë, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, DND, në Inxhinieri Ndërtimi, me profil Gjeoteknikë. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët që do të regjistrohen me kohë të plotë për ndjekjen e studimeve të dyta në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit është 60 000 lekë. Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vjet. Universiteti Politeknik i Tiranës shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij në masën jo më pak se 30 për qind për studentët, që kanë përfunduar të paktën ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë dhe jo më shumë se 70 për qind për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë që plotësojnë kriteret, atëherë Universiteti Politeknik i Tiranës ka të drejtë të plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar në të.
J. Tashi
Kuotat
Inxhinieri Mjedisi 50
Inxhinieri Ndërtimi, profili Gjeoteknikë 25
Tarifa
Tarifa vjetore e shkollimit, 60 000 lekë
Studentët e Juridikut në protestë për godinën e fakultetit
Studentët e Juridikut në Tiranë kanë protestuar dje në ambientet e këtij fakulteti për godinën ku ata kryejnë mësimin që rrezikon të shembet. Shkak për ndërmarrjen e këtij veprimi nga ana e studentëve është bërë shembja e pallatit në qytetin e Gjirokastrës. Të frikësuar nga rreziku i shembjes së godinës së fakultetit, studentët kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse marrjen e masave të nevojshme. Të njohur me këtë problem, drejtuesit e këtij fakulteti shprehen se pritet ngritja e një grupi hetimor, i cili, pas verifikimeve në terren, do të përcaktojë masat që duhet të merren. Mësohet se studentët që zhvillojnë mësimin në Fakultetin Juridik i kanë bërë një kërkesë-padi Prokurorisë së Tiranës për verifikimin e këtij problemi.
13 Nentor 2008