Dy të rinj shqiptarë kapen me 3 kg kokainë
Policia italiane arreston dy djem nga Berati, të cilët furnizonin me kokainë qytete në Italinë qendrore dhe veriore. Nën hetim edhe 12 klientët e tyre
Dy të rinj shqiptarë arrestohen në Ankona të Italisë me 3 pako kokainë të pastër. Mediat italiane bëjnë me dije se shqiptarët me inicialet E.T., 26 vjeç dhe E.S., 23 vjeç, me origjinë nga Berati, kanë rënë në prangat e policisë italiane, pasi akuzohen për shpërndarje lëndësh narkotike. Akuza për ta erdhi për mbajtje dhe tregtim të lëndëve narkotike dhe konkretisht të kokainës, pasi dyshohet se trafikonin sasinë e drogës në zona të ndryshme të Italisë, ku kishin krijuar klientelë. Dy të rinjve iu sekuestrua 3 kilogramë kokainë me vlerë 300 mijë euro, ndërsa u denoncuan edhe 12 persona të tjerë. Hetimet për ndalimin e tyre vijonin prej disa muajsh, ndërsa nga ana e policisë thuhet se trafiku i lëndëve narkotike vepronte në veri dhe qendër të Italisë. Nga të dhënat e policisë thuhet se në korrik të vitit 2011 ishin arrestuar edhe tre shqiptarë të tjerë po nga Berati, të cilëve iu gjet 50 gramë kokainë e pastër në një makinë, çka shërbeu si sinjal për nisjen e hetimeve. Një muaj më vonë, policia gjeti rreth 2.5 kilogramë kokainë të fshehur në një ndërtesë të vjetër në një kodër afër Porto Sant’Elpidio dhe nga këtu u bë lidhja për dy arrestimet e fundit, pasi u vëzhguan hyrje-daljet në objekt dhe origjina e vizitorëve. Sakaq janë 12 personat e denoncuar, por që janë ende të lirë, që të gjithë klientë të të ndaluarve, ku më të shumtit janë burra të moshës nga 28-55 vjeç. Policia italiane konfirmoi se po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rrjeti të drejtuar nga shqiptarët, që furnizonte me kokainë qytete të ndryshme në Italinë qendrore dhe veriore.