E Diel, 1 Nëntor 2026

Thirrje antishqiptare, dënohen me 3 muaj burg ushtarët grekë

Gjykata Ushtarake e Pireut ka dënuar 2 nga 39 ushtarët e Togës së Zhytësve të Marinës Ushtarake greke, të cilët ishin nën akuzë për parullat raciste të hedhura gjatë paradës së 25 marsit 2010 në Athinë. Gjykata dha “3 muaj dhe 15 ditë burg” për 2 ushtarët e cilësuar fajtorë, ndërsa shpalli të pafajshëm 37 ushtarët e tjerë. Vendimi u shpall në bazë të provës pamore, që ishte videoja e paraqitur në gjyq nga pala akuzuese, ku sipas gjykatës, dukeshin vetëm dy burrat që lëshonin thirrjet raciste, tashmë të njohura. Prokurori i çështjes dhe përfaqësuesi grek i Helsinkit që ngriti padinë civile, nuk u paraqitën dje në gjyq, pasi siç kishin deklaruar dhe siç njoftoi edhe media, gjatë seancës së mëparshme ishin kërcënuar me jetë. Në seancën e djeshme u paraqit vetëm një dëshmitar i akuzës, gazetari Dimitris Angelidhis, i cili ishte ai që ngriti çështjen në media, ndërkohë që në gjyq dëshmuan disa persona në mbrojtje të të pandehurve. Gjykimi vijoi dje pasi u shty të enjten e kaluar, pas incidentit që ndodhi brenda në sallë, ku persona të ndryshëm kërcënuan prokurorin e çështjes. 39 ushtarët e togës së Zhytësve të Marinës Ushtarake greke u paditën nga përfaqësuesi grek i Komitetit të Helsinkit, Panajotis Dimitras, për shkelje të nenit 2 të ligjit “Për antiracizmin”. Në festën kombëtare të 25 Marsit të vitit 2010, gjatë paradës ushtarake, ushtarët e kësaj toge hodhën parulla raciste kundër grupeve etnike shqiptare, turke dhe maqedonase. "Grek lind, kurrë nuk mund të bëhesh" ose “me lëkurën e shqiptarëve do të bëjmë këpucë", ishin disa nga parullat që u brohoritën gjatë paradës, e cila ndezi tensionet në të dy krahët e kufirit dhe u pasua me një sërë incidentesh edhe në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›